Home KRYESORE Rama për revistën e grave: Stilistët gay që më frymëzojnë!

Rama për revistën e grave: Stilistët gay që më frymëzojnë!

Mediat e huaja vijojnë t’i kushtojnë vëmendje shfaqjes së pazakontë të kryeministrit Edi Rama në takimet ndërkombëtare të nivelit të lartë. I tillë ishte ai në fund të korrikut në Trieste të Italisë ku kreu i qeverisë shqiptare u prezantua me kostum dhe me atlete të bardha Adidas me vija të kuqe. Në një intervistë për një revistë për veshjet e femrave të quajtur “Women’s Wear Daily”, kryeministri shqiptar ka rrëfyer impaktin e atleteve të tija te presidenti francez.

“Unë isha padyshim lajmi më i madh i samitit. Presidenti francez tha se i pëlqyen atletet e mia dhe i dërgova një palë Adidas sapo u ktheva në Shqipëri, por për të zgjodha një palë të bardha me vija të kuqe dhe blu për të respektuar edhe ngjyrat e flamurit francez” – thotë Rama.

Sipas revistës në fjalë 53-vjeçari nuk është një kryetar shteti i zakonshëm. Për Ramën thuhet se është mjaft i interesuar për modën dhe se ka luajtur për kombëtaren e basketbollit deri në moshën 27-vjeçare.

“Ne nuk kemi luajtur shumë sepse ishim një vend i izoluar. E lashë basketbollin sepse u përfshiva totalisht në lëvizjen kundër regjimit komunist dhe kur Shqipëria u hap unë dola të shoh botën. Kemi pasur më të mira vajzat e volejbollit” – thotë Rama.
Thotë se nuk e ka pasur asnjëherë në mendje të bëhet politikan profesionist megjithëse ishte përfshirë në lëvizjen anti-komuniste. Ai tregon edhe një herë se si vazhdon të pikturojë dhe skicojë ndërsa kryen takimet e tija të punës.

“Është njëlloj si të bësh “doodle”. Njerëzit e mi janë mësuar. Ndonjëherë më pyesin: “Çfarë do të thotë kjo? Pse e bej këtë? Më ndihmon të fokusohem. Kur u bëra ministër i kulturës nuk mund të përqendrohesha në mbledhjet e gjata të këshillit të ministrave dhe ndaj vizatoja. Ministri i arsimit ngjitur me mua i merrte vizatimet në përfundim të mbledhjes. Kur i shkova një herë në zyrë pashë që ai kishte grumbulluar shumë prej tyre. I thashë asistentit tim: “Ky është hajdut. Ka vjedhur artin tim”Ai më tha të mos shqetësohem sepse ai vetë kishte grumbulluar një duzinë me vizatime mbi axhenda apo projekt-ligje”.

Në shkrimin e gjatë të “Women’s Wear Daily” Rama i ka dhuruar gazetarit David Moin edhe një kravatë të stiluar sipas vizatimeve të tija: “Ende nuk e kam vendosur nëse do t’i komercializoj këto. Ndoshta në një jetë të tretë”.

Rama tregon se pëlqen Yamamoto se e surprizojnë idetë e dezajnerit francez të modës Jean-Paul Gaultier i njohur më homoseksualizmin e tij apo të britanikes Vivienne Westwood. Kreu i qeverisë shqiptare thotë se ka pasur një kohë kur ngelte pa frymë me artin e dizajnërit britanik Alexander McQueen, një tjetër homoseksual i deklaruar që u vetëvar në moshën 40-vjeçare. Rama thotë se gjatë kohës që jetonte si artist i lirë në Francë nuk e imagjinonte veten në politikën zyrtare.

“Unë u bëra i famshëm për shkak të aktivizimit në politikë. Isha një lloj Michael Moore. Çfarë mendoni për të? Ai nuk është politikan, por është shumë i lidhur me politikën. Gjithmonë e kam menduar se një qytet i angazhuar në art apo që është figurë publikë e ka obligim të përfshihet”.

Një pjesë të madhe të shkrimit zënë edhe idetë e Ramës për të shtuar eksportet e veshjeve me traditë shqiptare dhe se si kompanitë e mëdha të modës përdorin krahun e lirë të punës në Shqipëri për markat e tyre. Rama thotë se vitin e ardhshëm do të hapë një ekspozitë në galerinë “Michael Schultz” në Berlin dhe një tjetër në “Frankfurt Modern Art Museum”.©LAPSI.al

Share: