Home KRYESORE Pse gënjente Edi Rama?

Pse gënjente Edi Rama?

Nga Manjola Bregasi

Në fillim ishte opozita. Por askush nuk ia vuri veshin e madje i cilësuan akuza politike. Më pas mediat e huaja. Por sërish u kundërshtuan, e madje kush guxoi ta shprehte hapur, u konsiderua edhe prishës i imazhit të Shqipërisë.

E megjithatë, në raportet e ndërkombëtarëve, Shqipëria vazhdonte të ishte një vend problematik për kultivimin e drogës, ndonëse Kryeministri i saj në asnjë moment nuk e pranoi një fakt të tillë.

Për Ramën Shqipëria nuk ishte ajo e kanabisit për të cilën fliste opozita dhe as ajo e drogës për të cilën flisnin mediat e huaja.

Madje, ku në një njërin nga emisionet “Opinion” kur gazetari Blendi Fevziu i vuri në dukje se shumë shpejt edhe mediat ndërkombëtare do të shpreheshin mbi këtë çështje, Rama e cilësoi atë si prishës të imazhit të Shqipërisë, duke ju drejtuar me fjalët: “Shqipërinë po e turpëroni ju”!

E në fakt nuk zgjati shumë dhe BBC e DW publikuan artikuj që nuk e nderonin aspak Shqipërinë, teksa tregonin se ç’ndodhte me kultivimin e narkotikëve, në këtë vend të vogël në qendër të Europës.

Por ka akoma. Kur në Nëntor të vitit 2016, Presidenti i atëhershëm Bujar Nishani kërkoi mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Rama jo vetëm që deklaroi se nuk do të shkonte, por ironizoi hapur me një status në FB, që akuzonte opozitën dhe mediat si shkaktarë kryesorë të zhurmës së kanabisit, ndërsa publikonte një letër të komisionerit Avramopulos, që vlerësonte përpjekjet e Shqipërisë në luftën për kanabisin. “Të mblidhet Këshilli Kombëtar i Sigurisë? Jo, duhet të mblidhet këshilli kombëtar i PD-së dhe redaksitë e gazetave dhe portaleve të Shqup-it”, shkruante Rama atëherë.

Dhe për qeverine Rama 1, këtu përfundoi gjithçka.

Por në qeverinë Rama 2, situata ndryshoi. Ishte vetë Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa që më shumë se një herë ka pranuar problemet e Shqipërisë me drogën duke nxjerrë zbuluar Edi Rmën. Madje së fundi, ai shkoi edhe më tej, kur disa ditë më parë, nga Vlora deklaroi lidhje të krerëve të policisë me drogën, duke kërkuar ndryshime në struktruat më të larta të këtij institucioni.

Përse gënjeu Edi Rama, kur tha që Shqipëria nuk kishte probleme me drogën? Përse refuzoi dhe ironizoi mbledhjen e Këshillit të Sigurisë? A kishte diçka për të fshehur? Apo ndoshta nuk kishte informacion për çfarë po ndodhte në shtëpinë e tij?

Cilado qoftë e vërteta ajo rëndon, sepse një Kryeministër nuk mund të gënjejë, e ca më pak të mos dijë çfarë ndodh me vendin që ai qeverise.

Share: