Home KRYESORE Të gjitha pushtetet për Kryeministrin!

Të gjitha pushtetet për Kryeministrin!

Nga Desada Metaj

Frika për pushtetin, nxitimi për të mbrojtur karrigen apo dhe presioni i njerëzve të afërt për të mbajtur me çdo kusht qeverisjen dhe privilegjet që sjell ajo e kanë shtyrë Edi Ramën që së fundmi të synojë të ketë në dorë çdo pushtet që deri diku ka qenë i pavarur prej tij dhe jo prej politikës.

Pasi askush nuk ka më dyshime se çdo strukturë e qeverisjes dhe e pushtetit lokal të socialistëve është nën hyqmin e plotë të kryeministrit,pasi projektligje qesharake që shiten si mbështetëse për biznesin janë thjesht në shërbim të klientëve të Edi Ramës,pasi prishi marrveshjen dhe hoqi kryetarin e KQZ dhe bëri pazar për të larguar shefin e shërbimeve sekrete,së fundmi po tenton të vërë nën kontroll dhe prokurorin e përgjithshëm.

Një përpjekje që në fakt është intesifikuar gjatë javëve të fundit,ku çështja Tahiri,Dako apo dhe ndonjë dosje tjetër për të cilën Edi Rama ka dijeni të plotë, po ja trondisin pushtetin që të paktën deri më sot ka patur jashtë kontrollit vetëm një pjesë të prokurorisë. Kjo tentativë e nisur jo publikisht disa javë më parë por e kristalizuar vetëm ditët e fundit, së fundmi mori dhe “bekimin” e OPDATE dhe EURALIUS,dy organizmave që kanë asistuar reformën në drejtësi por që nuk mundën të parashikojnë ngërçin që po pëson proçedura për zgjedhjen e prokurorit të përgjithshëm. Edhe pse për publikun është e vështirë të shpjegohet jurudikisht,fakti për t’u thënë me gjuhë më të thjeshtë ka lidhje me ngritjen dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë,organizmi që zgjedh kandidatër për kreun e ri të organit të akuzës. Shkak për mosfunksionimin e KLP është mungesa e anëtarit nga shoqëria civile.

Dhe kjo ndodh pikërisht në një vend ku organizatat jo fitimprurëse mbijnë si kërpudhat pas shiut dhe një pjesë e tyre madje protestuan para Kuvendit për vonesën e miratimit të reformës në drejtësi ndërsa ajo diskutohej në parlament. Por edhe pse KLP me qëllime të qarta politike dhe jo vetëm nuk funksionon,ligji parashikon që parlamenti mund të votojë prokurorin që drejton organin e akuzës duke e përzgjedhur atë mes atyre që kanë më shumë eksperiencë. E vetmja gjë që mund të interpretohet, është numri i votave që duhen për ta zgjedhur atë.

Këtë interpretim mund ta japë në menyrë perfundimtare vetëm Gjykata Kushtetuese, nëse Parlamenti duhet ta zgjedhë Kryeprokurorin e Përkohshëm njësoj si atë të Perhershmin me 84 vota, që Edi Rama nuk i ka apo me 36 vota, siç e do kryeministri.

Ky është momenti që Edi Rama po bën lojën e njohur tashmë me misionet monitoruese në Shqipëri, te cilat dështuan në çdo parashikim ligjor për reformën në drejtësi.

Dje në media qarkulloi një email amerikanëve të OPDAT në Tiranë të cilët rekomandonin që zgjedhja e prokurorit të ri të përgjithshëm të bëhej me votim të thjeshtë. Thënë ndryshe Edi Rama mund të emërojë kryeprokuror këdo qe ai preferon me skemën e një votimi sikur të ishtë duke ndarë dietat e deputetëve. Vë bast se për Kryeprokurorin e Ramës nuk do të marrë pjesë në votim as Saimir Tahiri, që i preferuari i kryeministrit të duket sa më i pavarur.

Për emailin e OPDAT- it që u shpernda në anglisht dhe që nuk kishte asnjë të dhënë se kujt i adresohej, u mësua se ishte një interpretim që komisioni parlamentar i ligjeve i kishte kërkuar misionit të OPDATE në Tiranë. Të paktën kështu sqaroi ky mision për Opinion.al pa dhëne detaje se kush nga Komisioni i Ligjeve ia ka kërkuar, edhe pse çështja e Kryeprokurorit akoma nuk është në rend dite.

Ne u interesuam për më shumë të dhëna lidhur me këtë çështje,por përfaqsuesit e misionit këtë herë preferuan të heshtin,duke mos iu përgjigjur interesimit tonë të mëtejshëm. Me këtë interpretim, OPDAT i ka lënë në dorë Edi Ramës dhe gurin e fundit për të patur në dorë çdo pushtet në këtë vend ku skandalet mbeten pa përgjigje, ndërsa lajm i ditës është epiteti i radhës që kryeministri i vë medias. Me gjithë difektet e punës së saj, me paralajmërime të mbetura jo rrallëherë vetëm të tilla, më lëvizjet e fundit prokuroria po përpiqet të faktojë lidhjet e politikës me trafikun e lëndëve narkotike dhe banditizmin që është pjesë e çdo hallkë të qeverisjes. Duke vërtetuar akuzat e një pjese të vogël të medias, atyre pak analistëve dhe opozitës që Shqipëria është një vend i kanabizuar dhe kriminalizuar tej e tej.

Dhe mesa duket Edi Rama po përpiqet që të ketë nën kontroll edhe prokurorinë dhe ata që po hetojnë jo vetëm Saimir Tahirin. Për të shmangur çdo tentativë që mund t’i rrezikojë pushtetin,për të mbrojtur (edhe pse pa dëshirë) çdo bashkëpunëtor që është i përfshirë në trafikime dhe banditizma,për të fshirë çdo gjurmë që mund të ketë ne dosjet voluminoze të krimeve të rënda. Dhe për këtë është i gatshëm të blejë apo shesë çdo bashkëpunëtor apo kundërshtar,të shpikë çdo ditë nga një epitet të ri për gazetarët që të tërheqë vëmendjen nga llumi,të luajë patriotin apo dezertorin,ujkun dhe qingjin. Me çmimin e vetëm,ruajtjes nga hetimet e vërteta,që në fakt duken të jenë të munguarat e mëdha në një vend ku reforma për drejtësi është një vjershë e recituar keq në anglisht.

Share: