Përktheu Fari Laçka
Tani nuk po u drejtohem njerëzve, por ty, Zot i të gjitha qenieve, botëve dhe kohërave. Nuk e di nëse lejohet që krijesa të dobëta, të përhumbura në pafundësi dhe të papërfillshme në gjithësi, të guxojnë të të kërkojnë diçka ty që ke dhënë gjithçka, në bazë të rregullave të pandryshueshme dhe të përjetshme, të denjosh të shikosh me zemërgjerësi gabimet që edhe pse vijnë nga natyra jonë, të mos bëhen mynxyrat tona.
Nuk na ke dhënë zemrën të urrejmë, e duar të theremi. Bëj që t’i ndihim njëri-tjetrit për të mbartur barrën e kësaj jete të vështirë kalimtare; që dallimet e vogla mes rrobave në trupat tanë të dobët, mes gjuhëve tona të cekëta, mes zakoneve qesharake, mes ligjeve të papërsosura, mes opinioneve të pamend, mes kushteve kaq të ndryshme në sytë tanë, por që s’kanë dallim para teje; që të gjitha këto çikërrima mes thërrmijave të quajtura njerëz të mos jenë shenja urrejtjeje dhe përndjekjeje; që ata të cilët ndezin qirinjtë në mes të ditës për të kujtuar emrin tënd, të përkrahin ata që kënaqen me dritën e diellit që u fale; që ata të cilët mbulohen me pëlhurë të bardhë për të thënë se duhet të të duam, mos urrejnë ata që thonë të njëjtën gjë, por nën rasën e zezë; që adhurimi ynë të jetë njësoj, qoftë në një gjuhë të lashtë, qoftë në një të re; që ata të cilët veshin petkun e kuq, që zotërojnë një grusht baltë nga kjo tokë dhe që kanë copëza metali vezullues, të gëzojnë përultësisht atë që e quajnë madhështi dhe pasuri dhe të tjerët t’i shohin pa smirë.
Sepse ti e di që për këto kotësira nuk ka, as pse të zilepsesh, as pse të mburresh. Kurrë mos u harroftë se njerëzit janë vëllezër! Paçin urrejtje vetëm për tiraninë që rëndon mbi shpirtra, ashtu siç neveriten nga banditizmi që rrëmben me dhunë frytet e punës dhe të djersës. Nëse gjëmat e luftës nuk shmangen dot, mos e urrejmë, mos e shqyejmë njëri-tjetrin në prehrin e paqes dhe ta përdorim këtë jetë për të bekuar njësoj nga Azia në Amerikë, në mijëra gjuhë, mirësinë tënde që na ka sjellë në këtë botë.
Shkëputur nga: Traktat mbi Tolerancën