Nga Kasem Seferi
Sa shumë veshë për të dëgjuar mirë! Sa shumë kujtime të paharrueshme! Sa shumë emocione që nuk shuhen kurrë! Dhe …
E kam thënë dhe do ta them sa të kem frymë: Çdo gjë të keqe, besimet e kësaj bote e falin, me përjashtim të mosmirënjohjes. Madje Dante Alighieri te “Komedia Hyjnore” e ka vendosur mosmirënjojen te “Rrethi i shtatë i Ferrit“.
Këtë parathënie të këtij rrëfimi ia përkushtoj Prof. Dr. Aristotel Panos!
Do të përpiqem, me modesti, të tregoj se ku kemi “kemi rënë” ne ekonomistët e mësuar prej tij.
Të pranosh një gabim, një faj (nëse është i tillë) dhe të rrosh bashkë gjithë jetën pa e trazuar ndërgjegjen më duket diçka fatale.
Unë, personalisht, jam ndër një prej studentëve të tij, natyrisht: as akademik, as politikan, aq më shumë kurrë mosmirënjohës.
Profesor Aristotel Pano, rreth dy dhjetëvjeçarët e fundit, fizikisht, rron në Selanik, ndërsa shpirtërisht në Shqipëri, në vendin ku u rrit dhe ku dha dhe po jep megjithë moshën madhore një kontribut tejet të vlefshëm.
Kujtoj me këtë rast, ndër të tjerë, përkthimin e fjalës së nobelistëve të ekonomisë me rastin e marrjes së çmimit, përkthimin e librit të ish Guvernatorit të Federal Reserve Bank të SHBA Alan Greenspan, përkthimin e një përmbledhjeje të studjuesve amerikanë në lidhje me ecurinë e krizave të mëdha botërore dhe atyre amerikane dhe, i fundit, por jo përkthim një libër në lidhje me Karl Marksin (Carl Marx).
Sikundër thuhet shpesh: më shumë duhet lexuar ndërmjet rrjeshtave se sa nëpër rrjeshta.
I tillë ka qenë dhe mbetet kjo ikonë e pashlyeshme në rrjedhën e mendimit ekonomik shqiptar si gjatë periudhës së socializmit ashtu dhe pas viteve 90 – të, kur ai si shumë të tjerë gjeti lirinë për t’u shprehur lirisht mbi dyshimet që e munduan gjatë viteve të diktaturës.
Profesor Aristotel Pano është “Ismail Kadareja“ i ekonomisë!
Le të më kundërshtojë dikush!
Le të më japë argument ndryshe dikush!
Tek e fundit, të më thotë dikush se nuk ka mësuar prej tij.
Si ish – Këshilltar Ekonomik i Presidentit Bamir Topi, nuk kam pasur asnjë lloj tagri për të bërë qoftë edhe një hamendje rreth propozimit për një medalje për Profesor Aristotel Panon, që të gjithë edhe sot e përmendin emrin e shkurtër: “Teli”.
Kam pritur këto vite që, ndoshta, Profesor Dhori Kule, Profesor Anastas Angjeli, Profesor Genc Ruli, Zoti Rober Çeku, Profesor Sherif Bundo, etj, etj, si dhe politikanë të tillë si Florjon Mima e deri te Erion Braçe, për t’i kujtuar Presidentit të sotëm Zotit Ilir Meta (ekonomist) se edhe në fushën e ekonomisë si dje ashtu dhe sot ka pasur një gjigand që meriton të çmohet publikisht.
Kujtoj me këtë rast se sa pengesa hasi dhe sa vuajtje kaloi ky gjigand deri para viteve 90 – të.
Kurrë nuk u ankua edhe pse ia shkatërruan shëndetin!
I fortë, mendjendritur, dashamirës ishte, është dhe mbetet mik i të gjithë atyre që i mësoi, i të gjithë atyre që mësuan, që mësojnë dhe do të mësojnë prej tij.
Me këtë rast jo të zakonshëm, në këto ditë të “mjerimit” të mendimit ekonomik akademik në Shqipëri, le të bëhet dikush, ose disa që e kanë tagrin për të bërë një propozim për t’i dhënë medalje këtij burri.
Të vlerësosh Prof. Dr. Aristotel Panon në këto kushte, nuk do të ishte gjë tjetër veçse në thirrje për të bërë diçka për vendin, pikërisht, kur shpresa për të ardhmen e ekonomisë është ligështuar.
Ndoshta, nuk duhet të isha unë nismëtari i kësaj përkujtese, por ja që ndërgjegja ime nuk është e qetë edhe pse bashkëjeton me faktin që Profesori im i nderuar në mjedin e ekonomistëve dhe kolegëve të tij të dikurshëm, ende nuk është respektuar publikisht.
Kasem Seferi – ekonomist