Home KRYESORE Demarkacioni regjistron një tjetër dështim në Kuvend

Demarkacioni regjistron një tjetër dështim në Kuvend

Kuvendi i Kosovës ka shtyrë sërish seancën e jashtëzakonshme për ratifikimin e Marrëveshjes për Shënjimin e Vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, njohur gjerësisht si Demarkacioni. Seanca, është shtyrë për të mërkurën në ora 10:00.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje kërkon dy të tretat apo 80 vota të deputetëve, të cilat aktualisht nuk janë siguruar.

Në fillim të seancës, tashmë të ndërprerë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kërkoi deklarimin e grupeve parlamentare, duke ua bërë me dije deputetëve, se votimi mund të ndodhë vetëm në një rast dhe nëse dështon ratifikimi i marrëveshjes, Kosova do ta humbë liberalizimin e vizave.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se po të ishte një marrëveshje e mirë, Kuvendi do ta ratifikonte qysh në vitin 2015. Sipas tij, marrëveshja është e dëmshme, andaj ratifikimin e saj duhet ta bëjnë ato subjekte politike që e kanë nënshkruar atë.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se marrëveshja duhet të ratifikohet dhe se votimi i saj nuk duhet të ndodhë, para se të arrihet një konsensus i brendshëm politik.

LDK është shprehur për ratifikimin e Marrëveshjes. Por, ky subjekt politik nuk e mbështetë ratifikimin e demarkacionit, nëse pjesë e tij është edhe raporti i Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare, ku konstatohet se Marrëveshja e njëjtë është e dëmshme për Kosovën.

Një reagim të ashpër ndaj qëndrimit të LDK-së kishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Marr ju qoftë”, u është drejtuar disa herë Haradinaj deputetëve të LDK-së.

Ndaj fjalimit të tij, reagoi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, duke i thënë Haradinajt se për tri vjet e ka mbajt vendin të bllokuar me kauza të rrejshme.

Atmosfera jo e mirë për të vazhduar me seancën dhe pasiguria për ta hedhur në votim marreveshjen, e shtyri kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli që të shpallë pauzë.

Pas pauzës, u zhvillua një takim ndërmjet shefave të grupeve parlamentare dhe kryetarit Veseli. Aty, nuk mori pjesë vetem Vetevendosje, e cila e ka bërë të qartë se nuk e voton demarkacionin aktual.

Por, as pauza nuk solli ndonjë risi. Mungesa e konsensusit dhe votave, ndikoi që me shumicë votash, Kuvendi të shtyjë seancën deri në arritjen e një konsensusi.

Pas seancës, deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi tha se partnerëve të koalicionit nuk iu pëlqen që të diskutojnë në Kuvend, por që të diskutojnë natën, ashtu siç kanë vepruar të enjten.

Ai tha se në rast se ka konsensus, ai do të duhej të ishte vetëm në interes të qytetarëve. Por siç ka thënë ai, siç duket mund të mos ketë fare konsensus.

Ndryshe, edhe të enjten, gjatë orëve të pasdites, partitë e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë zhvilluar takim edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës, parti kjo në opozitë. Për lehtësimin e arritjes së një marrëveshjeje, në bisedime janë përfshi edhe përfaqësuesit ndërkombëtar, për në fund nuk kishte dakordim të plotë.

Mospajtimet ndërlidhen me faktin se Qeveria e Kosovës ia ka bashkangjitur Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit edhe një raport të Komisionit shtetëror për shënjimin e vijës kufitare dhe Deklaratën e nënshkruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq, përmes së cilës shprehet gatishmëria dypalëshe për korrigjimin e gabimeve eventuale gjatë procesit të Demarkacionit të kufirit.

LDK nuk e mbështetë ratifikimin bashkë me raportin e Komisionit shtetëror për kufirin, pasi që atë e konsideron si jo final dhe në kundërshtim me marrëveshjen me Malin e Zi.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti tha se të gjithë deputetët e kësaj partie politike do ta mbështesin ratifikimin e marrëveshjes, por pa raportin e Komisionit shtetëror, pasi që ai është kundërthënës.

Hoti tha se 27 deputetët e LDK-së do të votojnë për ratifikim, por qeverisë i mbetet t’i sigurojë votat nga partitë në koalicion, pasi që problemi është te koalicioni qeverisës.

Në anën tjetër, AAK ka deklaruar se do ta ratifikojë demarkacionin vetëm nëse Projektligjit i bashkëngjitet edhe raporti i Komisionit shtetëror.

Sidoqoftë, edhe nëse arrihet një marrëveshje mes PDK-së, AAK-së, Nismës dhe LDK-së me pakicat jo serbe, Kuvendi nuk do të arrijë të sigurojë 80 votat e nevojshme, pasi që subjekti më i madh opozitar, Lëvizja Vetëvendosje është pozicionuar kundër ratifikimit të kësaj marrëveshjeje, sikurse edhe Lista Serbe.

Ndërkohë, përfaqësuesit ndërkombëtar, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie dhe ata të Bashkimit Evropian u kanë bërë thirrje të panumërta deputetëve që ta ratifikojnë demarkacionin dhe t’i hapin rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Komisioni Evropian e ka bërë të qartë se pa ratifikimin e demarkacionit, Kosova nuk do të mund të përfshihet në zonën e lëvizjes së lirë, brenda BE-së, pa viza.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Si e tillë, kjo marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës. /REL

Share: