Home KRYESORE U ndërpre Vetingu/ ONM: Llalla dhe Imeraj duhet të hetohen nga prokuroria

U ndërpre Vetingu/ ONM: Llalla dhe Imeraj duhet të hetohen nga prokuroria

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla dhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Besnik Imeraj nuk do të jenë pjesë e vetingut, pasi u dorëhoqën nga vazhdimësia e punës në sistemin e drejtësisë. Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM) thotë se vendimi i marrë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është i saktë, por shton se nëse nga dosjet e tyre dalin me dyshime, ato duhet të përcillen pranë organeve hetuese, siç është prokuroria e përgjithshme.

“Është e saktë që një anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-Prokurori i Përgjithshëm kanë dhënë dorëheqjen. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ende nuk ka dhënë një vendim të arsyetuar sipas Aneksit B, neni G i Kushtetutës dhe Ligjit të Vettingut për rastin e tyre. Por, qëllimi i vettingut nuk është që të zhvillojë procedura penale, por, siç parashikohet në nenin 1 të ligjit të verifikimit, është garantimi i funksionimit të duhur të sundimit të ligjit dhe pavarësisë së vërtetë të sistemit gjyqësor”.

Prandaj procesi synon të pastrojë sistemin nga magjistratët që nuk i përmbushin standardet e funksioneve të tyre. Nëse sjellja e një subjekti apo (ish)subjekti të rivlerësimit sjell dyshime për vepra penale, dosjet e tyre përkatëse mund të përcillen përmes kanaleve të përshtatshme, siç parashikohet në legjislacionin shqiptar”, thuhet ne reagimin e ONM për gazetën “Shqiptarja.com”.

Deri më tani, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka njoftuar shkurtimisht ndërprerjen e Vettingut për dy të dorëhequrit, por nuk ka dhënë informacion, nëse gjatë vlerësimit të dosjeve të tyre, ka gjetur apo jo elementë të dyshimtë që mund të jenë objekt i Prokurorisë apo organeve të tjera ligjzbatuese, siç mund të jetë pasuria e pajustifikuar, apo kontaktet me persona të papërshtatshëm gjatë ushtrimit të detyrës.

Share: