Home I pakategorizuar Zënja e hapësirave publike, policia aksion për zhvendosjen e mjeteve të braktisura

Zënja e hapësirave publike, policia aksion për zhvendosjen e mjeteve të braktisura

Policia Rrugore e Tiranës dhe ajo Bashkiake kanë nisur këto ditë zhvendosjen e 215 makinave të braktisura në kryeqytet. Pas evidentimit të automjeteve që nisur nga gjendja e tyre dyshohet se janë të braktisura prej kohësh nga zotëruesit apo përdoruesit e tyre ose shfrytëzojnë hapësirën publike si treg shitje, si dhe pas njoftimeve të vendosura nga Policia mbi xhamat e këtyre mjeteve, Policia Rrugore në bashkëpunim me Policinë Bashkiake ka nisur fazën e spostimit të mjeteve që nuk kanë liruar hapësirën apo parkimet e zëna brenda afatit të caktuar nga njoftimet e Policisë.

Kontrolli i Policisë në lidhje me evidentimin dhe lirimin e hapësirave publike është shtrirë në të gjithë territorin e kryeqytetit duke vlerësuar edhe ankesat apo informacionet e adresuara nga qytetarët në lidhje me këtë fenomen shqetësues në zonat e banimit të tyre. Në funksion të këtij plani janë evidentuar dhe njoftuar rreth 215 mjete në zona të ndryshme të qytetit.

Si dhe janë spostuar 24 automjete të ndryshme për shkelje të parashikuara në nenin 157 të ligjit nr. 8378 datë 22.07.1998, i ndryshuar, Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë. Policia Rrugore do vijojë punën duke ushtruar kontroll në të gjithë territorin e Tiranës, për t’ju ardhur në ndihmë banorëve që kanë adresuar shqetësime përsa i përket kompetencave të Policisë Rrugore, si dhe për të evidentuar dhe ndëshkuar çdo shkelës të rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllimin e vetëm rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rruge.

Share: