Home KRYESORE Përse kjo histori maoceduniane? Cfarë shembulli i keq për gazetarët e rinj!

Përse kjo histori maoceduniane? Cfarë shembulli i keq për gazetarët e rinj!

Nga Artan Fuga

Në takimin e fundit mes ekzekutivit dhe gazetarëve, sa mësuam nga vetë mediat, u tregua se në çfarë pike të ulët, problematike, cinike, vende vende shërbyese, janë marrëdhëniet mes gazetarëve dhe ekzekutivit në fuqi në Shqipëri.

Shembull më të trishtët nuk ka për gazetarët e rinj!

Kush i jep të drejtën etike ekzekutivit që t’i ndajë gazetarët në ata që ja vlen t’i ftosh dhe në të tjerë që as ja vlen t’i dëgjosh jo më t’i ftosh! Ku e gjen këtë të drejtë seleksionuese ndërkohë që ajo darkë është bërë me lekë buxheti dhe nuk është një darkë miqsh. Edhe Putini fton qindra gazetarë dhe ka sens demokracie jo kaq të ngushtë.

Si mundet që nuk u ndjenë të fyer gazetarët kur ekzekutivi u tha në turi se nuk i ndjek, nuk i lexon, llapni cfarë të doni! Përse kjo histori maoceduniane në një gotë kafeje e me përmasa lilipute sikurse jemi si vend ku kryetari kinez nuk e lexonte Zheminzhibaon?

Media është rruga e hapësirës publike ku mund të shprehet qytetari. Përse e mbyll në mënyrë deklarative ekzekutivi këtë pistë komunikimi me qytetarin? Cfarë koncepti për demokracinë realizohet kështu dhe që bën që pastaj qytetari pa komunikim me ekzekutivin të flasi duke djegur qytetin?

Ishte rasti të shkëmbeni mendime në të mirë të Shqipërisë ku ekzekutivi të shpaloste vizionet e tij para mediave dhe të kërkonte bashkëpunumin me to për transparencë publike si edhe nga ana e medias për të shpalosur problematikat që i adresohen ekzekutivit, me fakte, të dhëna, konkretisht, pa ilaritet që është krejt pa sens në mbledhje publike.

Edhe një herë nuk ishte një darkë miqsh gjysëm çakërqejf që i hedhin romuze njeri tjetrit. Por, ajo u kthye në një komedi çvleftësimi i gazetarit.
Romuze që mbulonin komplimente të nëndheshme, kritika që kalonin në familjaritet, gazetarë që nuk flasin sepse sigurisht pastaj rrezikojnë vendin e punës edhe në mediat private.

Mbi të gjitha na del se paskan qenë edhe fjalime të orientuara, me protokoll, me kënd dhe stil të porositur, fejtone komike, ndërkohë që ekzekutivi u deklaron se nuk i ndjek e nuk i sheh e dëgjon. Me një fjalë janë qentë që lehin kur karvani ecën përpara, janë sadistët që kanë nevojë për kavien, janë gjinkallat e verës që sulmojnë mizën e dheut puntore.

Edhe ata heshtën a thua se e kishin të zenë gojën me qofte me mish derri!

Gjithçka për t’i denigruar hapur gazetarët dhe madje futur në grindje me njeri tjetrin duke zbrazur në mënyrë provokative uturakun e konfidencave personale mbi tavolinat e mbushura me meze.

Tjetër priste opinioni publik, sinqerisht, cfarë shembulli negativ për gazetarët e rinj.

Share: