Home KRYESORE Majko në Australi; Sekretari për Emigracionin: “Dyert e hapura për emigrantët e...

Majko në Australi; Sekretari për Emigracionin: “Dyert e hapura për emigrantët e aftë dhe që njohin gjuhën angleze”

Ministri Majko për komunitetin: Po punohet për mësimin e gjuhës shqipe online.

“Në Australi, kryesisht në Melburn, jeton një numër i konsiderueshëm shqiptarësh dhe gjysma e tyre flasin shqip, pasi vendi ynë i kushton shumë rëndësi ruajtjes së identitetit të komuniteteve” Kështu i tha Ministrit të Shtetit për Diasporën, Sekretari për Emigracionin dhe Politikat multikulturore në Australi, z. Richard Johnson. Gjatë bisedës miqësore të zhvilluar me z. Pandeli Majko, zyrtari Australian pohoi se çdo vit, vendi i tij priste një numër të madh emigrantësh, të përkohshëm dhe të përhershëm, duke i lënë hapësirë të veçantë studentëve. Sipas tij, mbi bazën e një programi të përvitshëm, Australia mirëpret qindra emigrantë që duhet të përmbushnin dy kritere kryesore; të jenë të aftë dhe të zotërojnë gjuhën angleze. “Ne përpiqemi të afrojmë njerëz të aftë dhe 2/3 e atyre që vijnë këtu, e bëjnë këtë përmes programit të bazuar tek meritat. Mund të vish nga çdo cep i botës. Ne i kemi dyert e hapura për personat e aftë dhe që njohin gjuhën angleze”, ishin fjalët e z. Johnson. Ministri Majko vlerësoi lart politikat e shtetit Australian për emigrantët dhe i falënderoi autoritetet për mbështetjen që i kanë ofruar komunitetit shqiptar në veçanti. Sekretari për Emigracionin theksoi se ndihma e Australisë për emigrantët përqendrohej në tre shtylla kryesore, që sipas tij, përbënin edhe çelësin e suksesit; punësimi, arsimi dhe gjuha angleze.

Më pas z. Majko u takua me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Sydney. Ndërsa theksoi se diaspora shqiptare në Australi ishte ndër më të integruarat, duke qenë se mësimi i gjuhës shqipe ishte përfshirë në sistemin shkollor, Ministri kërkoi të shkonin një hap më tej, me gjetjen e mënyrave efikase për të joshur brezin e ri drejt gjuhës dhe kulturës shqiptare. Ai propozoi që mësimi i gjuhës të ndërlidhej me aktivitete argëtuese. Vëmendje të veçantë iu kushtua projektit për publikimin e librave online, diçka kjo që do të lehtësojë qasjen ndaj gjuhës shqipe në një vend të largët e të madh si Australia.

Z. Majko njohu pjesëtarët e komunitetit me planin për të mundësuar mësimin e gjuhës shqipe online, përmes videove ku do të përfshihen mësues të kualifikuar. Komuniteti shqiptar në Australi shprehu interes të veçantë për një iniciativë të tillë. U fol gjithashtu për shkollat verore, të cilat siç tha Ministri, do të ishin një mënyrë e mirë për të arritur tek brezi i ri, që do të njihte nga afër historikun dhe kulturën e vendit të origjinës.

Share: