Emri i Sokol Bodes, ish-drejtori i Postës në Dhërmi për të cilin Prokuroria ka lëshuar urdhër-arrest është përmendur edhe sot gjatë seancës gjyqësore tek Krimet e Rënda ku po vlerësohej masa për ish-ministrin Saimir Tahiri.
Prokurori Besim Hajdarmataj tha se ndonëse për të ka pasur prova që ishte një nga personat që ruante drogën e Habilajve, ai arriti të qëndronte tre vite në detyrën e drejtorit të Postës së Dhërmiut, shkruan BW.
“Unë u shkarkova, nuk munda të qëndroj tre vite në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda”,- ka ironizuar me tej Hajdarmataj, teksa kërkonte të gozhdonte ish-ministrin me provën e re, atë të emërimit të Bodes, në një post kyç.
I bindur që Saimir Tahiri duhet të ishte në burg, prokurori nuk ka nguruar të deklarojë në sallën e gjyqit që ai përbën rrezik për prishjen e provave.
Nga ana tjetër ish-ministri është parë të replikojë me gjykatësen dhe të thotë se për të ishte e njëjta gjë si masa arrest me burg ashtu edhe arrest shtëpie.
“Për mua është njësoj si arresti me burg, si arresti i shtëpisë. Unë nuk kam ndërmend të largohem nga vendi. Këtu do jem për të pritur drejtësinë”,- ka thënë ish-minisitri./BW