Nga Jakup B. GJOÇA, Gazetar i Telegraf
Në atë që është e dukshme, kjo është një puro arrogancë, nga kryeministri Rama, që: “Ju bëni çfarë të doni, bëni ligjin si të doni, sot drejtoj unë dhe përderisa drejtoj unë, të gjitha marrëdhëniet e mia me të tjerët i përcaktoj unë, si të dua unë”
Bamir Topi, ish-Presidenti i Shqipërisë, në intervistën ekskluzive për gazetën “Telegraf”, duke analizuar tensionin politik në Shqipëri, sidomos në prag të 28 qershorit, vendimmarrjes së BE-së për hapjen e negociatave, thotë hapur, që Parlamenti ynë është nën thundrën e kryeministrit Rama. Duke kritikuar demagogjinë dhe propagandën e llogaridhënies së qeverisë, ish-Presidenti Topi, e cilëson si një zhbërje të administratës shtetërore, derisa sajti i kryeministrit, “zgjidh” çdo hall, ndërsa “aftësinë” e kryeministrit Rama, t’u japë zgjidhje të gjitha shqetësimeve, e vlerëson si UNI-n e Pushtetit absolut. Zoti Topi gjykon si fajtor të kriminalizimit të parlamentit dhe pushtetit vendor kryetarët e partive, por thekson se yeministri Rama ende mban kontakte me ish-deputetë e ish-kryebashkiakët që u larguan si persona me rekorde kriminale. Ish-presidenti Topi vlerëson se gjendja ekonomike e shqiptarëve është përkeqësuar në këto 5 vitet e qeverisjes “Rama” dhe shkaku i emigrimit është varfëria. Ish-Presidenti Topi sjelljen publike të kryeministrit Rama, sidomos ditët e fundit e cilëson si “puro arrogancë” që ai e vlerëson vetveten mbi ligjin dhe mund të bëjë e të sillet si të dojë, përderisa drejton ai.
– Zoti President Topi, llogaridhënia e qeverisë, kështu siç bëhet, ku kryeministri u përgjigjet ankesave të qytetarëve me batuta dhe premtime se çdo gjë do ta zgjidhë ai dhe jo Administrata shtetërore, çfarë domethënie ka?
– Të japësh llogari gjatë mandatit qeverisës, sigurisht është një proces normal në një vend demokratik, kur mendohet se institucionet shtetërore funksionojnë. Por, në rastin tonë, llogaridhënia e qeverisë socialiste ka marrë natyrën e një fushate politike, propagandistike, edhe pse jemi në një distancë kohore nga zgjedhjet e ardhshme të pushtetit administrativ. E them këtë konstatim, sepse demokracia, së pari, duhet të shfrytëzojë maksimalisht institucionet kushtetuese dhe shtetërore. Kur bëhen zgjedhjet politike, ato bëhen për të rinovuar institucionin më të rëndësishëm të demokracisë, që është institucioni i parlamentit. Nuk më rezulton, që institucioni i parlamentit në Shqipëri, sidomos në këtë periudhë, të funksionojë në kushtet normale, sikurse jemi parë dhe jemi mësuar ta shikojmë. Kjo ka qenë difektoze në çdo qeveri, mirëpo në qeverinë e zotit Rama e shikojmë më shumë se në çdo qeveri tjetër. Duket sikur parlamenti është institucioni që tentohet të demonstrohet thjesht për aparencë, domethënë, që: “Ne kemi parlament!”. Në fakt, ne kemi parlament, por parlamenti, në bindjen time, është nën thundrën e kryeministrit. Pra, në demokraci, marrëdhëniet parlament- qeveri janë të tilla, që parlamenti, nëpërmjet instrumentit të komisioneve parlamentare, të seancave plenare, aty ku bëhet debati politik, ku mundohet të monitorojë punën e qeverisë, këtu po ndodh e kundërta. Këtu, tentohet gjithmonë, të luhet me shifrat, duke thënë që mazhoranca është e qëndrueshme dhe shohim vetëm përplasje, vetëm përplasje dhe jo nuk shohim më asnjë diskutim për ligjet. Unë, që kam qenë për shumë vite në parlament, kujtoj me mall diskutimet që bëheshin për thelbin e ligjit, për qëllimin politik të ligjit, për synimet që kishte ligji, por tek e fundit, kishte kuptim edhe vota, ndonëse ishim në opozitë, vota e saj kishte shumë kuptime. Tani nuk shohim më asnjë lloj interpelance, mbaj mend interpelancat që bëheshin me kryeministrat e radhës, kur ne (PD-ja) ishim në opozitë, merrte kuptimin me të vërtetë të një beteje politike në institucionin më të rëndësishëm, ndërsa sot, defekti qëndron sa tek maxhoranca, qëndron edhe tek shtyrja e opozitës.
– Lexuesit e gazetës sonë janë të interesuar të dinë, se cilat janë sot vlerat politike të mirëfillta?
– Në radhë ta parë, për gazetën “Telegraf” theksoj se sot marrin vlera politike ekzibicionet, shfaqjet dhe ajo që është më e rëndësishme, thelbi që duhet të ketë kuptimi i fjalës “Parlament”, kur flitet për politikën debatohet mbi bazën e pozicioneve politike them që është venitur shumë. Kjo është arsyeja pse kryeministri dhe maxhoranca e shikojnë ditën, kur do të vijë seanca plenare, jam i bindur dhe unë e lexoj, e lexoj jo thjesht si qytetar, e lexoj si politikan, dhe si njeri që e njeh mirë psikologjinë e politikanëve, e shikon si një gjë, thuhet një fjalë popullore “thelë përmbi samar”, një gjë që i bezdis, ndërkohë, që dita, kur mblidhet parlamenti duhet të jetë dita më e gëzuar për një kryeministër, qoftë edhe për një opozitar, sepse aty ka mundësi të shpalosë me elokuencë dhe me kthjelltësi, qoftë problemet, qoftë defektet e mosarritjeve, por edhe premtimet, që mund të marrin njerëzit në elektorat, nëpërmjet një bisede. Sot, të dalësh dhe të bësh takime, duke pasur ekskluzivisht vetëm militantët përpara, kjo ndodh në kuptimin e një dialogu monoton, të mërzitshëm, madje as dialog nuk është më, është një monotoni, që publiku shqiptar është mësuar ta shikojë rëndom, sidomos gjatë fushatave elektorale.
– Kryeministri i adreson të gjithë qytetarët të zgjidhin ankesat ndaj administratës publike dhe drejtuesve të saj tek sajti kryeministror. A nuk është kjo zhvlerësim i funksionit të shtetit, kur kryeministri e pranon që shteti është i paaftë dhe të gjitha zgjidhjet qytetarëve ua jep vetëm ai?
– Këtu problemi qëndron te forca e institucioneve. Është kjo lloj politike, e cila kërkon edhe në momentin që kërkon ta ndryshojë administratën publike, e fundos administratën akoma më poshtë. Janë dy gjëra: Gjërat që zhvillohen në plan konkret dhe gjërat që kuptohen në planin psikologjik. Ne vazhdimisht, dhe ky është defekt i të gjitha pushteteve politike, kemi tentuar ta dhunojmë psikologjikisht administratën publike. Administrata publike nuk është e qeverisë, ky është gabimi i madh. Është administratë e shtetit, pra administratë publike dhe, nëse ne kemi probleme sot, në botën e qytetëruar, e kemi pikërisht në konceptimin e funksionimit të shtetit dhe shteti kuptohet në radhë të parë me administratën. Pra, ti mund të ndryshosh pushtetin politik dhe pushteti politik mund të ndryshohet për krizat politike disa herë dhe brenda një viti, ndërsa ajo që i jep garanci një vendi, që e prezanton atë me zbatimin e të gjitha ligjeve, është administrate publike. Në rast se ti fut në sajt kryeministror për të marrë të gjitha vërejtjet, problemet që kanë njerëzit, do të thotë që ti ke zhbërë administratën publike. Ti me vullnet e ke zhbërë, ke rritur pushtetin e individit, pushtetin e UNI-t, dhe, në fund të fundit, kemi shkuar jo më në një simptomë, por në një sindromë të një pushteti monist.
– A mund të zgjidhen, t’u jepet e drejta problemet, hallet, shqetësimet e qytetarëve, kur deputeti, ministri dhe deri edhe kryeministri të shkarkojnë në ajër një drejtor të Përgjithshëm, vetëm e vetëm pse dëgjuan në llogaridhënie një ankesë?
– Ky është abuzivizëm dhe kjo ndodh në kastën e pushtetit.
– Kjo ndodh rastësisht, në këtë llogaridhënie?
– Nuk ndodh rastësisht. Së pari, është mungesë formimi politik dhe profesionalisht, dhe e dyta, është një mënyrë veprimi dhe të menduari, që gjithë populli duhet të kuptojë, që varet nga një njeri, Ju thashë, kjo është një sindromë e pushteteve moniste. Kjo shikohet në mënyrë të dukshme tek kryeministri aktual. Unë, në natyrë, nuk kam ndonjë mllef, për më tepër, unë politikën e shikoj si një art dhe mënyrë artikulimi të njerëzve të qytetëruar dhe kur shikoj, që politika tentohet të dominohet në pushtet me UNI-n, atëherë ne vetëm se themi që jemi pushtet pluralist, por ne jemi futur me vetëdije nën kontrollin e tmerrshëm të pushtetit të një njeriu. Kjo është e dëmshme, sepse ka krijuar raporte varësie të njerëzve, të cilët tentojnë t’i bëjnë qejfin pushtetit të radhës të kryeministrit, dhe të gjithë janë bërë kryeministër dipendentë, janë të varur nga ai. Për ata nuk ka më rëndësi ligji, nuk ka më rëndësi rregulli i administratës, nuk ka më rëndësi kualifikimi, mjafton të jesh në rregull me emocionet që ka kryeministri. Në kontaktet me audiencën e gazetës “Telegraf” ju kini pasur mundësi të kuptoni ashtu si dhe unë edhe përgjigjen e pyetjes së thjeshtë: Atëherë, çfarë administrate publike mund ta quash këtë?!
– Sipas pohimit të vetë kryeministrit Rama, aktualisht kemi administratë publike të paaftë dhe drejtues të këqij. Kush fajësohet, derisa kryeministri qeveris 5 vite rresht dhe a mund të ndodhë, që në këtë shtet vetëm kryeministri është shumë i aftë?
– Unë do ta kisha dëgjuar me vërejtje dhe do t’i kisha bërë një analizë, nëse ky pohim i kryeministrit bëhej muajin e parë të qeverisjes së parë të kryeministrit, që vjen nga opozita. Por, ta thuash këtë, pasi qeveris 5 vite rresht, je në vitin e dytë të mandatit të dytë, duket sikur gjithçka që thuhet sot, i kthehet bumerang shumë i rëndë, atij që i përmend këto defekte të administratës publike. Në rastin më të mirë, pranon që (si kryeministër) ke qenë miop dhe nuk ke ditur të konstatosh se çfarë administrate shteti ke. E dyta, që është më e rëndë, në 5 vite ka influenca të drejtpërdrejta të kryeministrit për të zgjedhur ministra, që nuk janë në pozicionet ë tyre, sepse administrata fillon me qeverinë, sepse ministrat, ndonëse janë karrige politike, punojnë me funksion administrativ. Kur kryeministri zgjedh një ekip, që nuk i përshtatet zgjedhjeve të vendit, për më tepër vazhdon të kritikosh njerëz në administratë, që në të shumtën e rasteve, njerëzit më të kualifikuar anatemon dhe dhunohen nga njerëzit militantë të partisë, së pari, nuk paguan aq sa duhet. E dyta, dhunohen psikologjikisht. E treta, bien pre e politikave, të cilat nuk janë në sintoni me atë që kërkon Shqipëria sot dhe më thoni, çfarë u mbetet këtyre njerëzve? Kështu administrata jonë shkon zi e më zi dhe kjo është shumë më e rëndë për kryeministrin.
– Zoti President Topi, është rastësi, që, nga kjo mazhorancë socialiste gjatë 5 viteve, shumë deputetë dhe kryebashkiakë socialistë dolën persona me rekorde kriminale?
– Unë nuk e shikoj rastësi. Për gazetën tuaj e konfirmoh faktin, se aq më tepër, kryeministri Rama është njeriu, që mbas 2008-s, (me ndryshimet kushtetuese) bashkë me kreun e opozitës, zotërojnë sot të gjitha pushtetet e mundshme në Shqipëri, dypartitizmin, partitë e tera janë dekori i këtyre partive, dhe kur vjen puna për të emëruar në listën e deputetëve dhe në listën e zgjedhjeve lokale, e bëjnë kryetarët e partive. Fakti, që procesi i dekriminalizimit, i futi në rrjetë, unë mendoj, që nuk fajësohen vetëm ata, që kanë kryer më parë rekorde kriminale. Unë mendoj, që faji në vendimmarrjen politike është më i madh, sesa ai i përshkimit të njerëzve, që kanë rekorde kriminale.
– Përse?
– Rekordi kriminal është individual i një personi, por, kur këta njerëz i përfshin në vendimmarrje politike dhe në administrimin e fateve të njerëzve, dëfton që faji është te kryetari i partisë. Unë nuk kam dëgjuar deri tani një “Më fal” të kryetarit të PS-së, pse i bëri deputetë e kryebashkiakë personat, që kanë rekorde kriminale. Prandaj unë fajin ia lë politikës së madhe të vendimmarrjes për pushtetin politik dhe administrativ.
– Pse deri tani, kryetari i PS-së, kryeministri aktual, nuk ka kërkuar falje publike zgjedhësve të vet, por edhe popullit?
– Mua më ka rezultuar e kundërta, që Edi Rama ka tentuar t’i mbrojë pafundësisht, deri në momentin, kur dokumentacioni zyrtar ka vërtetuar të kundërtën e pohimeve publike të Ramës. Mendoj, që Rama ende realisht, nuk është shkëputur në kontaktet, qofshin fizike, qofshin funksionale me njerëzit me rekorde kriminale. Në mënyrë të dukshme për publikun Rama tenton të thotë, që “unë e zbatoj ligjin e dekriminalizimit”, por kur vjen puna për të mbajtur në këmbë influencën politike që përfiton nga këta njerëz, Rama vazhdon t’i ruajë, t’i mbrojë, t’i konservojë. Dhe miopia e madhe që ekziston në shoqërinë tonë, është pikërisht ky fakt. Një vend i vogël, që njohim shumë mirë njerëzit, nga ana tjetër, pranojmë si versionin më të besueshëm atë që jep kryetari i një partie politike.
– Mos vallë kjo sjellje e kryeministrit Ramës është papërgjegjësi, papjekuri politike, apo kryeministri Rama është peng i pazareve me personat me rekorde kriminale?
– Unë nuk mund të kem prova për pyetjen që bëni ju, por jam i sigurt, për diçka. Në atë që është e dukshme, kjo është një puro arrogancë, nga kryeministri Rama, që: “Ju bëni çfarë të doni, bëni ligjin si të doni, sot drejtoj unë dhe përderisa drejtoj unë, të gjitha marrëdhëniet e mia me të tjerët i përcaktoj unë, si të dua unë. Për fat të keq, ndërgjegjja politike e shoqërisë tonë, është shumë e varfër, sepse në momentin, kur ti vazhdon të qëndrosh me njerëzit, që janë penalizuar nga ligji i dekriminalizimit, atëherë ti nuk meriton të mbështetesh politikisht. Për faktin, që ne, si shoqëri, vazhdojmë me këtë kryeministër, atëherë e keqja duhet parë edhe tek shoqëria, e cila, për fat të keq, varfërohet çdo ditë politikisht dhe i jep hapësirë kryeministrit (Rama), i cili tallet me batuta, pjesa më e rëndësishme e fjalimeve dhe e fjalëve të tij janë batutë, janë sipërfaqe, nuk ka thelb dhe këtë e them me plot gojën ekskluzivisht për gazetën “Telegraf”.
– Kryeministri Rama e ka strategji këtë komunikim publik?
– Kryeministri Rama e ka kuptuar, që batuta dhe në kushtet kur estrada e shtetit nuk funksionon më, këtë boshllëk, pikërisht, për ta mbuluar me një vello humori, ai, e bën dhe e bën shumë mirë, por edhe ka arritur të korr edhe sukses në këtë lloj politike. Ky është, jo vetëm një paradoks, por unë do të thosha, që është një tragjedi e madhe për shoqërinë, në dëm të shqiptarëve.
– Zoti President Topi, në këto 5 vite të qeverisjes “Rama” mendoni se është rritur mirëqenia e popullit, derisa INSTAT na jep shifra të rritjes ekonomike mbi 3 % çdo vit?
– Absolutisht, jo. E kundërta, prapë. Janë rritur taksat, janë ulur shërbimet publike, nuk ka më vepra të rëndësishme, por ka vetëm ndarje midis grupeve të caktuara dhe sot ato i quajmë oligarkë, dhe evidentohen më qartë, se çdo herë tjetër. Gjithmonë ka pasur lidhje të qeverisë me oligarkë, por tani kjo marrëdhënie sikur është institucionalizuar. Pra, duket, sikur nga njëra anë ka një marrëdhënie prestigjiatore me njerëzit, u bën numra shpejtësie me propagandë, duke i hutuar me fjalë dhe batuta, nga ana tjetër, punët e rëndësishme, serioze, qeveria dhe kryeministri i bën me një grup njerëzish, të cilët kanë monopolizuar ekonominë, nuk i kanë dhënë frymëmarrje ekonomisë, dhe ata kanë parë vetëm interesat e tyre. Ju të gazetës “Telegraf” e dini fot mirë dhe keni botuar madje materiale për debate të forta politike me qeverinë e kaluar që unë kam pasur, por, kurrsesi nuk mund ta vendos në ekuivalencë me këtë, që po ndodh tani. Më vjen keq ta them, por unë kam pritur nga qeveria e radhës, që të përmirësohet standardi i jetesës së qytetarëve, shoh standarde të përkeqësuar, marrëdhënie të rrënuara, dhe, tek e fundit, kjo është arsyeja pse shqiptarët, kërkojnë që të largohen nga Shqipëria.
– 350.000 shqiptarë, në këto 3 vitet e fundit braktisën Shqipërinë, 1 milionë të tjerë aplikuan Lotarinë Amerikane. Përse emigrojnë sot shqiptarët?
– Jemi në 2018-n, unë mendoj, që është një valë e një spirale të re, pas 28 vitesh nga emigrimi i parë masiv i shqiptarëve. Emigrimet masive të shqiptarëve në 1990-1991 bëheshin për qëllime të tjera, në kushte të tjera, tani këta shqiptarët e sotëm kanë një motivim tjetër emigrimi. Sot, një pjesë e shqiptarëve duan të ikin, por një pjesë do të qëndrojë, të gëzojë vendin e vet. Një nga këta jam edhe unë, që kam ardhur në 1989 në Shqipëri, erdha me idenë, që me doktoraturën që bëra jashtë, t’i shërbej vendit tim. Njerëzit, që emigrojnë nuk ikin sepse nuk e duan vendin e tyre, por na tregojnë që e gjithë shpresa, që kanë pasur nga politika dhe nga qeveria socialiste, u kthye për ata në një zhgënjim të madh, sepse, të flasësh për marrëdhënie me pushtetin politik dhe nga qeveria e radhës, nuk është thjesht problemi a kanë punë, apo nuk kanë punë. E dyta, çfarë hapësire lirie kanë? E treta, çfarë sigurie jete kanë për fëmijët? E katërta, çfarë formimi merr rinia jonë sot? Unë e shikoj si negativitet, që lokalet e kafeneve janë plot me të rinjtë tërë ditën, sepse në asnjë vend të Evropës, nuk shikon pjesën më të rëndësishme të shoqërisë, rininë, ta shikosh në mënyrë parazite nëpër klube. Kjo dëfton që shoqëria jonë është parazite për shkak të politikës. Në qoftë se ai, që drejton qeverinë, e orienton drejt, atëherë edhe qeveria u jep të rinjve mundësi alternativa.
– Tani, që Franca ka shqetësim rritjen e azilkërkuesve shqiptarë dhe televizioni francez pyet kryeministrin Rama a ka dhimbje, pse emigrojnë shqiptarët, ju, çfarë mesazhi u përcjell kryeministri Rama, duke u përgjigjur, që nuk i dhimben shqiptarët që emigrojnë?
– Për hir të vërtetës, unë nuk e kam ndjekur këtë intervistë, por besoj në këtë që thoni ju…
– Është fjalë për fjalë, përgjigja e kryeministrit, siç jua them…
– Ju besoj, që është thënë kështu, dhe, në rastin më të lehtë të interpretimit të përgjigjes së kryeministrit Rama dhënë në TV Francë 24, tregon që kryeministri ka qenë jo mirë, kur e dha këtë përgjigje, sepse gjendja shpirtërore e njeriut është e tillë, që të lejon që disa sentenca të të ikin pa u menduar. Dhe, në rast se përgjigja e kryeministrit është e menduar, është shumë e rëndë. Shumë e rëndë, sepse të mos kesh asnjë lloj ndjeshmërie, për një dramë, që ndodh sot, kur ne përpiqemi ta sjellim Evropën këtu, dhe njerëzit, për shkak të mungesës së shpresës dhe besimit te qeveria tenton të emigrojnë sërish në Evropë, tregon që është e keqe e madhe që ekziston në politikën e drejtimit të Shqipërisë./Telegraf.al