Një 41-vjeçar që kishte krijuar një skemë mashtrimi duke premtuar leje ndërtimi në Itali, përmes një studioje fiktive në Milano, është arrestuar dje nga Policia e Tiranës.
Për një periudhë disamujore ai dyshohet se ka zhvatur 1 milion euro, me premtimin e lejeve të ndërtimit, duke nënshkruar edhe kontrata fiktive. Tre persona kanë rënë pre e mashtrimit të tij, duke dhënë shumat e konsiderueshme të parave dhe pasi kanë kuptuar skemën, e kanë denoncuar në Polici.
Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se kanë arrestuar të dyshuarin Klodian Ciruna, 41-vjeç, i dënuar edhe më parë për mashtrim. Ai është arrestuar gjatë operacionit të koduar “Lucia”, që u organizua dje nga oficerët e Antikrimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës. Arrestimi i tij është kryer për akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda, ndërsa ka nisur edhe hetim pasuror për sekuestrimin e të ardhurave që ka përfituar nga kjo skemë.
OPERACIONI
Gjatë operacionit të koduar “Lucia”, specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës arrestuan 41-vjeçarin Klodian Ciruna, i skeduar dhe më parë për mashtrim. Sipas Policisë, ky person, që hiqej si biznesmen, u ka marrë rreth 1 milion euro tre personave, duke u premtuar leje ndërtimi në Itali. Shtetasit me iniciale P.K., L.D., dhe B.H., kanë denoncuar 41-vjeçarin në zyrat e Krimit Ekonomik në Policinë e Tiranës dhe menjëherë nisën hetimet në bashkëpunim me organin e akuzës për dokumentimin e veprimtarisë së tij kriminale.
Nga hetimet ka rezultuar se Klodian Ciruna kishte përfituar shuma të konsiderueshme valute përmes premtimit të lejeve të ndërtimit dhe për të qenë sa më bindës, ai u kishte thënë se operonte me një studio avokatie në Milano. Madje, herë pas here u ka dërguar të dëmtuarve e-maile false, në emër të një studioje që në fakt drejtohej nga persona të tjerë, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me të.
AKTIVITETI
I arrestuari Klodian Ciruna rezulton të ketë në pronësi një kompani “Call Center”, të regjistruar në QKR që prej vitit 2010 dhe që sipas Policisë, aktualisht rezulton e mbyllur. Burimet thanë se për të kamufluar veprimet e tij dhe për të qenë më bindës, 41- vjeçari Ciruna ka bërë kontrata noteriale fiktive.
Gjithashtu, ai ka krijuar përkohësisht një kompani “Call Center” me aktivitet në fushën e shitblerjeve të pasurive të paluajtshme në Shqipëri si dhe jashtë saj, të cilën më pas e ka mbyllur. Pas arrestimit të tij, Policia tha se ka referuar materialet në Prokurori në ngarkim të tij, për veprën penale “Mashtrim me pasoja të rënda”. Ndërsa po vijojnë hetimet për të zbuluar raste të tjera, që ai mund të ketë përfituar para përmes kësaj skeme mashtrimi.
360grade.al