Home KRYESORE Përballë Kryeministrit … Nga Elona Caslli

Përballë Kryeministrit … Nga Elona Caslli

Ekonomisti i madh Jean Monnet, njëri nga ata që më së shumti patën kontribuar për ndërtimin e bashkësisë europiane mbi baza të ekonomisë e të teknologjisë, dëftoi në fund të jetës së tij një intuitë gati profetike duke deklaruar që, nëse puna do të duhej nisur nga e para, ai do t’ia fillonte nga kultura: “Et si c’était a refaire, je commencerais par la culture”. Në fushat ekonomike, teknologjike etj. zotërojnë interesa vetjakë, privatë.
Kultura është ajo lidhje e fuqishme që mund të çojë jo te bashkimet sipërfaqësore, por te rrënjët e përbashkëta. Është fjala për rrënjë që nuk përfaqësojnë thjesht të kaluarën e pemës, por janë faktorë të vetë mbijetesës së saj. “Europa” e ëndërruar do të jetë pemë e këtyre rrënjëve.
Shkëputur nga- Rrëmbimi i Europës -Aurel Plasari

I nderuar Z. Kryeministër

Në cilësinë e një individi që beson se nuk është Teatri Kombëtar që i përket Kombit Shqiptar, por është Kombi Shqiptar që i përket Teatrit Kombëtar, në kontekstin e përvojës së vyer europiane, do të doja të sillja në vëmendjen tuaj një pyetje..
A mund të Rilindë një Komb nëse Rilindja fillon me shuarjen e kujtesës emocionale, kulturore dhe historike?

U bënë ditë tashmë, që jam e pranishme në protestën për Teatrin Kombëtar. Është një nga të rrallat protesta, në historinë e këtij Kombi, që e identifikon Shqipërinë, në një kontekst Europian.
Është një protestë, ku nuk ndeshet trupi me trupin, por fjala takohet me fjalën dhe mendja përshëndetet me mendjen.
Është një protestë, ku fjala dhe tingulli artistik, dëshmojnë se në këtë vend të vogël për nga sipërfaqja, por tejet të madh për nga ngjarjet, ekzistojnë ende njerëz që janë të ndërgjegjshëm se ky vend do të trashëgohet.

Historia e një Kombi nuk fillon dhe nuk mbaron me emrin e një Kryeministri, cilido qoftë ai.
Kryeministri i një vendi duhet të jetë shëmbëlltyra e vullnetit kombëtar.
Vullneti Kombëtar nuk e mbështet kurrë faktin që në Fronin e Dijes të ulet këmbëkryq Padituria dhe në Fronin e Virtytit të ulet këmbëkryq Vesi.
Vullneti Kombëtar është përballë Jush Z. Kryeministër dhe me pikëllim të thellë më duhet të pohoj se Ju e shpërfillni Vullnetin Kombëtar.

Dhe e kundërta e Dashurisë për një Komb nuk është Urrejtja , por është Shpërfillja e tij.
Çdo shqiptar nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim, ka po aq të drejta mbi truallin e Teatrit Kombëtar sa keni edhe Ju Z. Kryeministër.
Jemi bashkëpronarë të asaj toke dhe në cilësinë e bashkëpronarëve, vendimi duhet të jetë i përbashkët dhe jo i njëanshëm.

Nuk e di se çfarë do të thotë të jesh Kryeministri i këtij Vendi, por di fort mirë se çfarë do të thotë të jesh një qytetar i shpërfillur i këtij vendi.
Dhe më besoni se kjo shpërfillje ndihet në çdo qelizë, në çdo hapësirë dhe në çdo hap që hedh në këtë vend.

Në kohë të vështira, çdo njeri strehohet tek tingulli i një muzikanti, tek fjala e një poeti, tek romani i një shkrimtari, tek shfaqja e një artisti, por kurrsesi tek kujtimi i një Kryeministri.
Arti është i përjetshëm Z. Kryeministër!

Dhe duke iu rikthyer Ekonomistit të madh Jean Monnet, do t’Ju ftoja që Rilindjen ta rifillonit me rindërtimin e kujtesës emocionale, kulturore dhe historike të këtij vendi.

Në rast të kundërt do të ishte një Rivdekje.

Share: