Historia e dhimbshme e Azem Çokut e tre djemve të tij që kaluan jetën përmes torturave në burgjet dhe kampet e diktaturës
Azem Çoku dhe të bijtë e tij, Bedri Çoku, Esat Çoku dhe Çaush Çokun kanë kryer rreth një shekull burg në kohën e diktaturës. Është një ndër familjet më të goditura nga sistemi komunist. Babi dhe tre fëmijët, e kanë kryer dënimin në burgjet famëkeqe të Burrelit, Spaçit, Qafë-Barit dhe nëpër kampet të ndryshme të punës të shpërndara nëpër të gjithë territorin e Shqipërisë. Bedri Çoku ka kryer 25 vjet burg, dhe po aq kanë kryer edhe babai e dy vëllezërit e tij.
Ja si e rrëfen Bedri Çoku, histroinë e familjes së tij nëpër burgjet e diktaturës, në një intervistë për “Zërat e Kujtesës”: Quhem Bedri Çoku. Kam lindur në vitin 1949, në fshatin Muçias të rrethit të Lushnjes. Vij nga një familje e mesme fshatare, e cila është marrë kryesisht me bujqësi dhe me peshkim, për shkak se fshati im ndodhej në breg të kënetës së Karavastasë, një lagunë shumë e bukur, e cila kufizohet me brezin e pishave të Divjakës. Të parët e mi ishin me origjinë nga Manastiri, dhe nga lufta apo për çështje hasmërie, kishin ardhur aty rreth 150 a 200 vjet më parë. Në Myzeqe gjetën vend të përshtatshëm, gjetën toka të lira por edhe mundësi që të merreshin me peshkim, pasi ishin marrë që më parë, në liqenin e Ohrit. Ishin fis punëtor, por natyrisht shfrytëzuan edhe tokën pjellore dhe peshkimin, dhe gradualisht u bënë një familje e pasur në fshat, bile një nga më të pasurat në pellgun e Myzeqesë.
Gjatë luftës, a u përzie familja juaj me politikë?
Gjatë luftës, babai u bashkua me Ballin Kombëtar; vepronte si tip rreshteri, që kishte një brigadë të vetën, dhe operonte në Fier dhe Lushnje. Po meqë ishte djalë i vetëm, e ëma shkoi dhe iu lut komandantit të Ballit Kombëtar që t’ia kthente djalin në shtëpi, se po të vritej ai, shuhej familja. Ata ranë dakord. Kështu që babai ka ndenjur rreth gjashtë muaj i angazhuar me çetën e Ballit. Më pas, kur hyn komunistët, në fillim nuk e trazuan, por kur filloi fushata kundër kulakëve, babai qe ndër të parët që iu nënshtruan tatimeve të herë pas hershme dhe të rënda, që qeveria komuniste i vendosi qëllimisht, për t’i shkatërruar ekonomikisht. Më pas, në vitin 1950, e arrestuan dhe e dënuan gjoja për pjesëmarrje me Grupin e Rezistencës. Bashkë me babanë tim, arrestuan edhe kulakë të tjerë, jo të atij fshati, por të krahinës aty përreth.
Babai, në të vërtetë, a kishte të bënte me Grupin e Rezistencës?
Po kishte të bënte me Grupin e Rezistencës; takohej me krerët e tij, që ishin nga Kavaja, Lushnja apo dhe Berati. Nuk kishin arritur akoma të krijonin grupe dhe veprime konkrete, por thjesht e kishin të programuar në mendje që do ta mbështesnin rezistencën dhe do të ishin gati për veprim. Deri këtu kishin arritur ata, siç më ka treguar babai. Por atëhere ishte koha kur do të arrestoheshin Zenel Shehu, Hamit Matjani me të tjerët dhe Sigurimi i Shtetit, ishte forcuar goxha. Kështu që ata fillimisht arrestuan këtë grup njerëzish që konsideroheshin si mbështetës, si kontigjent i gatshëm bashkëveprimi me grupet e diversantëve, grup ku bënte pjesë edhe im atë. Pra babain e dënuan bashkë me një grup prej gati dhjetë vetësh, emrat e të cilëve për fat të keq nuk më kujtohen tani.
Si quhej babai?
Azem Çoku.
Sa vjet e dënuan?
E dënuan 15 vjet. Dhe aty filloi edhe kalvari i vuajtjeve tona, sepse jo vetëm dënuan babain, por na konfiskuan të gjithë pasurinë, të tundshme e të patundshme. Erdhën ata të Përmbarimit, dhe na nxorën prej shtëpie. Një shtëpi që ishte goxha e madhe: me 8 dhoma dhe me papafingo. Madje shtëpia ishte projektuar nga një arkitekt italian, sepse babai kishte qenë në gjendje të mirë ekonomike, dhe gjatë Luftës me italianët zhvillonte një farë tregëtie peshku, që e zinte në kënetën e Karavastasë. Babai ka qenë ndër të parët në rrethin e Lushnjës, që së bashku me një tregtar tjetër po nga Lushnja, blen makinën e parë shirëse, dhe njëkohësisht solli edhe materiale moderne për peshkim, që nuk ekzistonin në atë kohë, gjë që i solli mbarësi edhe në këtë biznes. Por siç duket, komunistët e morën inat për pasurinë që kishte vënë me djersën e ballit. Dhe nuk u merrte as të tretat e as të dhjetat bujqve, po kishte vetëm dy njerëz si shërbëtorë të cilët i ruanin delet, të cilët ishin pa shtëpi e pa katandi. Në pronësi familja kishte shumë krerë dele, dhi, lopë dhe kuaj; kishte dhe punëtorë që i punonin tokat. Kurse këtyre të dyve që i mbante si ndihmës, megjithëse punonte bashkë me ta, u siguronte ushqim dhe strehim.
Në fokus të këtij Instituti, është edhe çështja e shpronësimit nga reformat komuniste. Meqë jemi në këtë pikë të rrëfimit, a mund të na jepni ndonjë shifër?
Unë kam qenë i vogël, kur u arrestua babai dhe na i morën të gjitha. Pra, bëhet fjalë për vitin 1950. Por, nga ç’më ka treguar vëllai i madh dhe nga gjyqi që kemi bërë vonë për arsye pronësie, del që kemi pasur rreth 100 hektarë e ca tokë, prej të cilave arritëm të rimerrnim vetëm 55 hektarë. Dhe nuk kemi se si i marrim për arsye se edhe sot e kësaj dite, mbasi kanë kaluar 25 vjet prej ndryshimit të regjimit, mbetet akoma në fuqi ligji 7 501, që ia rivodhi pasurinë pronarëve të ligjshëm. Pra, le të themi, kishim një pasuri të konsiderueshme. Dhe më gjithë atë pasuri, na nxorën në mes të rrugës. Një fakt i rëndësishëm që unë duhet ta theksoj është që babai im kishte dy gra njëkohësisht, se ashtu ishte koha, dhe kështu që ishim një familje e madhe: ishim katër vëllezër me nënën tonë e tre motra dhe një vëlla, ai më i madhi, me gruan tjetër.
Jetonit bashkë?
Po, jetonim bashkë dhe në harmoni. Kështu që, kur na nxorën nga shtëpia, vëllai i madh nga babai ishte ushtar. Gjyshja bashkë me këtë gruan e babait, nuk lëvizën nga fshati, sepse ajo ishte e sëmurë dhe ndoshta nga dëshpërimi e nga gjithë ai hall i madh që na ra, vdiq mbas ca ditësh. Kur ajo vdiq, atëherë edhe gjyshja e la fshatin. Kurse nëna jonë na mblodhi të gjithë ne fëmijët, vajza e djem, ku më i madhi vëlla ishte nëntë vjeç dhe motra më e madhe rreth 14-15 vjeç, dhe morëm rrugën për në qytetin e Fierit, ku nëna kishte të motrën.
Ka qenë një udhëtim i tmerrshëm. Bëhet fjalë për vitin ’51. Unë kam qenë rreth 3-4 vjeç, dhe nuk kam si e mbaj mend mirë, por disa gjëra më kujtohen. Ishte baltë e madhe. Dilnim nëpër Myzeqe, nëpër fshatra, dhe kërkonim bukë derë më derë, por s’na jepte njeri; s’na afronte njeri. Në fshatin tonë jo e jo, por edhe kur dolëm nga fshati, njerëzit kishin frikë të na ndihmonin për shkak të terrorit psikologjik që kishte krijuar sistemi në popull, sepse në atë periudhë, nuk u arrestuan vetëm nga fshati ynë, por edhe nga fshatrat e tjerë. Domethënë që fushatë arrestimesh, dhe për shkak të propagandës komuniste, cilësimi “kulak” ishte një etiketim i tmerrshëm, që të bënte që në sy të njerëzve të dukeshe si përbindësh. Njerëzit e pushtetit bënin mbledhje natë e ditë, për të demaskuar ata që gjoja kishin grabitur popullin, varfëruar popullin, dhe shfrytëzuar mundin e tyre. Saqë arritën pastaj dhe nxorën edhe barcaleta të tipit që “kur shkonte për gjueti Azem Çoku në kënetën e Karavastasë, merrte fshatarët, u hipte mbi shpinë edhe gjuante për rosa në shpinën e tyre”.
Duke shkuar për në Fier, mbaj mend kur po ngjisnim atë kodrën ku ndodhet Manastiri në Ardenicë. Ishim tetë fëmijë veç me nënën. Ajo e gjora, merrte një pjesë dhe i ngjiste, dhe kthehej e merrte pjesën tjetër, që pastaj dilnim në xhaden kryesore se as rrugën nuk e dinim mirë dhe veç po shkonim me hamendje. Në Manastir ndodheshin disa murgj, të cilët kur na panë ne duke u tërhequr ashtu zvarrë, e të rraskapitur, u turrën dhe na ndihmuan. Na morën në krahë, na zbritën poshtë, por fillimisht na dhanë për të ngrënë aty në Manastir.
Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit
360grade.al