Home KRYESORE Çfarë do të ishte bërë drejtori i Charlie Hebdo po të mos...

Çfarë do të ishte bërë drejtori i Charlie Hebdo po të mos e kishin vrarë?

Nga Mentor Kikia

Po e nis direkt me përgjigjen e pyetjes që shtroj në titull. Unë mendoj se drejtori dhe stafi tjetër i revistës satirike franceze, po të mos ishin varë nga terroristët një vit më parë, do të ishin bërë prostituta.

Po mendoni se jam i rrjedhur? Jo! Unë jam gazetar dhe në emër të lirisë së medias, mund të shkruaj çdo përversitet që mendja ime e sëmurë mund të prodhojë.

Dhe, meqë në Francë ka shumë burra që bëjnë prostitutën, unë mendoj se edhe ata të tillë do të ishin bërë. Në Këln të Gjermanisë, një tufë harbutësh, refugjatë arabë, sulmuan disa gra. Ne të gjithë u nervozuam me atë që ndodhi atje.

Por meqë mes tyre kishte edhe disa sirianë, revista franceze mendoi se edhe Aylani, fëmija-simbol i krimit ndaj popullit sirian, që u gjet i mbytur në brigjet turke, do të ishte bërë përdhunues.

Një vit më parë e gjithë bota mbajti frymën dhe e gjithë bota u solidarizua me revistën franceze, që u bë viktimë e terrorizmit për shkak të karikaturave të Profetit.

Por në një vjetorin e kësaj masakre, ajo ka dalë fare nga binarët duke treguar me gisht dhe një fëmijë të mbytur, vetëm 3 vjec, që ishte pjesë e eksodit më tragjik që pas Luftës së Dytë Botërore. Duke u tallur, ironizuar dhe sarkazuar një viktimë të pafajshme, edhe më të pafajshme se anëtarët e stafit të saj që u vranë një vit më parë në zyrat e punës.

Por kësaj radhe askush nuk është solidarizuar me Charlie Hebdo!

Madje tashmë ne mund të themi me zë të lartë se në emër të lirisë së medias, akush nuk ka të drejtë të shkelë mbi liritë e të tjerëve, dhe aq më shumë mbi shpirtin e një fëmijë të vdekur, në përpjekje për ti ikur zjarrit dhe vdekjes që ka mbjellë në vendin e tij një udhëheqës i çmendur.

Sot sërish po organizohen takime, përkujtime e ceremonira ne emër të lirisë së medias, edhe në Shqipëri, me falmur Charlie Hebdo.

Por ajo nuk mund të jetë më flamuri i lirisë, edhe pse është viktimë e saj.

Unë mendoj se feja është mashtrimi më i madh në historinë e njerëzimit. Ndërsa të vritesh në emër të fesë, është çmenduria më e madhe. Por, derisa luftërat më të përgjakshme sot në botë po bëhen në emër të saj, ky mashtrim(pra besimi) duhet trajtuar me kujdes. Në emër të lirisë së medias, unë përkulem tokazi për këdo reporter, fotograf e kameraman që është vrarë e plagosur në frontin e luftës a në përleshje me policinë e ushtrinë ne vendet diktatoriale, në përpjekje për të informuar botën.

Por, më vjen keq, nuk mund të përkulem para atyre që u vranë, ndërsa shkarravisnin në zyra, duke u tallur me besimin(verbërinë) e të tjerëve dhe së fundi me jetën e një fëmije të vdekur.

Share: