Nga foltorja e parlamentit, kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla iu përgjigj në distancë akuzave të Bashës që foli nga Durrësi për vetingun e politikanëve.
Sipas Ballës, nisma e opozitës kërkon që politika shqiptare të bëjë vetingun e vetvetes, por kjo gjë sipas tij nuk mund të ndodhë, pasi reforma në drejtësi e votuar dy vite më parë në Kuvend ia njeh këtë të drejtë SPAK-ut dhe BKH-së.
Balla tha se e dinte shumë mirë frikën e tyre, por se roli ndërkombëtarëve edhe në këtë proces është i pashmangshëm.
“Nisma jote do të thotë që politika të vetojë vetveten, ndërsa sipas SPAK-ut, vetingun nuk e bëjnë dot ca kukulla të politikës por ndërkombëtarët. Juve s’ka nevojë t’ju kesh përballë për të kuptuar hallin tuaj. E di hallin që keni. ‘Nuk duam tha njëri prej jush që vetingun ta bëjnë ndërkombëtarët, se na janë bërë si guvernatorë tha një tjetër’. Jo, as ekspertët e SHBA dhe as ambasadori i BE nuk janë guvernatorë, por miq shumë të mirë të Shqipërisë. Ne me atë që kemi votuar (vetingun ne gjyqesor) ju kemi dhënë atyre të drejtën edhe për të na hetuar”, tha Balla.
Sipas tij, Basha është një jurist mediokër dhe thotë se tij duhet t’i vërtetohet edhe diploma, pasi nisma e tij është publikuar tashmë ne faqen e parlamentit.
“Më lejoni ti kthej përgjigje një juristi mediokër. Akuzove kryetarin e kuvendit se nuk është publikuar propozimi yt o jurist. Ka një nen 77 ai për shqyrtimin e nismave ligjore e ke depozituar ditën e premte nismën. Ka dëgjuar njeri të ketë pasur seancë tjetër e t’i mohohet e drejta e propozimit? O jurist, o Lulëzim nisma merret nga jo me pak se 1/5 e deputetëve. Prej sot pas orës 10 e 30 minuta menjëherë ky material është i aksesueshëm për qytetarët. O jurist, o Lulëzim ndërprit ekspeditat turistike nëpër hotelet e Shqipërisë. Me sa kuptoj javën tjetër do shkosh në Vlorë, shijoje dhe t’i Vlorën se është më e mirë se Amsterdami sa i përket aspektit turistik”, tha ai.
Në fakt, nisma e PD për vetingun në politikë është publikuar në faqen e kuvendit vetem pas ultimatumit të Bashës për Gramoz Ruçin.