Home KRYESORE “Sekseri” kap mat juristin e Hipotekës: Kush është i riu i zgjedhur...

“Sekseri” kap mat juristin e Hipotekës: Kush është i riu i zgjedhur këshilltar bashkiak. Si u zbulua skema e korrupsionit

Një zyrtar i Hipotekës së Shkodrës dhe tre persona të tjerë të dyshuar si sekserë janë ndaluar dhe arrestuar nga Policia, duke finalizuar me sukses operacionin e koduar “sekseri”.

Prokuroria e Shkodrës ka regjistruar procedimin penal ndaj shtetasit Mirjan Bletaj, me detyrë jurist pranë Hipotekës së Shkodrës dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Bashkiak, i dyshuar për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Po ashtu, Policia ka ndaluar edhe shtetasin Sokol Tirana (mik i juristit), i dyshuar për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Përveç tyre, Policia ka arrestuar edhe dy shtetas të tjerë, Joan Zefi dhe Ndoc Tara. Edhe këta shtetas akuzohen për “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Sipas burimeve nga Prokuroria, shtetasi Sokol Tirana dyshohet se ka përfituar shumën 1 mijë euro nga Joan Zefi dhe Ndoc Tara, të cilët kërkonin që nëpërmjet juristit të Hipotekës, Mirjan Bletaj, të krijoheshin lehtësira për të përshpejtuar procedurat për një dosje pronësie të depozituar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive.

Pagesa prej 1 mijë eurosh ishte lënë që të bëhej në një lokal në afërsi të Hipotekës së Shkodrës dhe në ato momente Policia ka ndërhyrë, duke arrestuar dy shtetasit, Ndoc Tara dhe Joan Zefi. Më pas janë ndaluar edhe juristi i Hipotekës, Mirjan Bletaj dhe Sokol Tirana. Sipas burimeve pranë Policisë, të ndaluarit dhe të arrestuarit kanë mohuar akuzat ndaj tyre për korrupsion pasiv dhe ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, duke thënë se nuk kanë lidhje për çfarë dyshohen.

PRECEDENTËT

Edhe më përpara, në Hipotekën e Shkodrës ka pasur raste kur drejtorë apo edhe ish-punonjës janë akuzuar për “Shpërdorim të detyrës” apo korrupsion pasiv, por deri më tani nuk ka asnjë të dënuar, pavarësisht akuzave të ngritura apo arrestimeve të bëra herë pas here gjatë këtyre viteve të fundit. Pak ditë më parë, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha se shumë shpejt do të ketë raste konkrete me arrestime në zyrat e hipotekave për çështje korrupsioni dhe siç duket ka nisur nga Shkodra.

SI U ZBULUA SKEMA

Sipas burimeve nga grupi i hetimit, prej disa muajsh, Prokuroria e Shkodrës dhe Policia kishte nisur disa hetime për Hipotekën e këtij qyteti, duke arritur në zbardhjen e këtij rasti që organi i akuzës dyshon se është korruptiv. Burimet bëjnë me dije se shtetasi Ndoc Taraj, 70 vjeç, banues në fshatin Mushan në Njësinë Dajç, kishte për të marrë certifikatën e pronësisë të një objekti.

Për të përshpejtuar këtë procedurë, ka kontaktuar me shtetasin Johan Zefi, 39 vjeç, banues në lagjen “Tom Kola” në Shkodër. Ky i fundit i kishte kërkuar një mijë euro kundrejt marrjes të përshpejtuar të certifikatës së pronësisë dhe ato para do t’ia jepte shtetasit Sokol Tirana, 49 vjeç, banues në lagjen “Tom Kola” në Shkodër.

Këto para sekserët e dyshuar do t’ia dërgonin juristit të Hipotekës së Shkodrës, Mirjan Bletaj. Nga ana tjetër, bëhet e ditur se ka dyshime se mund të jenë edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, në këtë çështje apo çështje të tjera që janë nën hetim e sipër.

Juristi është edhe këshilltar bashkiak

Mirjan Bletaj, 31 vjeç, mësohet se është shkarkuar nga detyra pak ditë përpara se të arrestohej. Vitet e fundit ai ushtronte detyrën e juristit në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Shkodrës. Njëkohësisht, Mirjan Bletaj është anëtar në Këshillin Bashkiak të Shkodrës. Në marsin e këtij viti kaloi nga Lëvizja Socialiste për Integrim te Partia Socialiste e Shkodrës si këshilltar i PS-së. Një ditë më parë, kur edhe u arrestua, Mirjan Bletaj ishte bërë gati që të vinte në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Sipas burimeve në Hipotekën e Shkodrës, në ditët në vijim pritet që të ketë edhe shkarkime të tjera.

PANORAMA 

Share: