I nderuar Z. Rama,
Në vitin 2008 prisja fëmijën tim të parë. Gjëja që më bënte përshtypje ishin oborret e shkretuara të shkollave.
Mbolla me mundësitë e mia rreth 100 pemë në oborret e shkollave “Edith Durham”( ish 11 Janari); në shkollën e muzikës “Dëshmorët e lirisë”; në gjimnazin “A.Z.Çajupi” dhe në fshatin “SOS”. Nismën e quajta “Kam një pemë”, shkruajtën disa gazeta, revista, televizione. U publikua edhe në web-sitin e Bashkisë që Ju e drejtonit.
I nderuar Z. Kryeministër,
Jo, jo… Nuk e bëra për fëmijën tim, e bëra për egoizëm e asgjë tjetër. Një fëmijë vetëm kur e përqafon trungun e një pemë, ndjen të njëjtën siguri dhe e krahason me përqafimin e prindërve të tij. Pra kisha hallin tim, që ta lija të kuptonte se ka një babë të palëkundshëm në përkatësi, në përkushtim e në përgjegjësi…
Pastaj a e dini çfarë ndodhi, i nderuar?
Ngaqë nuk e ndiqni shtypin, natyrisht nuk e dini! Ndodhi që disa punonjës të Bashkisë, e morën këtë nisëm dhe ua “shitën” juve si të tyren. Hallall ta kenë! Mblodhët lek prej bizneseve të ndryshme dhe mbollët 5200 pemë në Tiranë.
Pra në thelb, çdo qytetari që ecën në trotuaret e Tiranës ditën me diell, i bën hije egoizmi im i rrënjosur tashmë!
Shënim: I nderuar, ne shqiptarët e diasporës e dashurojmë natyrën me një egoizëm të paparë…
Mirupafshim deri nesër në këtë orë,
Sinqerisht, Ahmet Dursun