Përktheu: Elona Caslli
Në Vienë ka hije. Qyteti është i zi dhe gjithçka bëhet mekanikisht. Dua të rri vetëm. Dua të shkoj në pyllin Bohemian në maj, qeshor, korrik, gusht, shtator dhe tetor. Duhet të shoh gjëra të reja dhe t’i hetoj. Dua të shijoj ujin e zi dhe të shoh degët e pemëve që thyhen dhe erërat e forta. Dua t’ia ngul shikimin e habitur gardheve pranë kopshteve. Dua të përjetoj gjithçka; të ndiej plantacionet e reja me mështekna dhe gjethet që dridhen; të shoh dritën dhe diellin; të shijoj lagështinë, luginat e gjelbërta në blu mbrëmjeve, të ndiej vezullimin e peshqve, të shoh retë e bardha që formohen në qiell, t’u flas luleve. Dua t’i shoh qëllimisht barërat dhe njerëzit rozë, kishat e vjetra dhe të brishta; dua të di se çfarë thonë katedralet; të vrapoj pa ndalim gjatë tatëpjetave të lakuara të lëndinës përmes fushave të gjera; ta puth tokën dhe t’u marr erë luleve të buta dhe të ngrohta të ligatinës.. Dhe mandej do t’i formësoj gjërat aq bukur… Fusha me ngjyra..