Një vendim i qeverisë shqiptare i datës 7 Janar 2016 i dha dritën jeshile disbursimit të 360 milionë lekëve(të vjetra) për sponsorizimin e 8 faqeve shkrim-reklamë në prestigjozen “The Economist”.
Gjëja e parë që bën përshtypje është se nga fondi total prej 360 milionë lekësh(të vjetra), rreth 300 milionë është shuma e tërhequr nga Fondi Rezervë i Qeverisë.
Ndërsa 60 milionë lekë (të vjetra) u tërhoqën nga buxheti i AIDA-s, që është Agjencia e Investimeve nën varësinë e ministrit Arben Ahmetaj.
Zbardhja e vendimit dhe mënyra si e ka organizuar qeveria këtë reklamë hedh dritë dhe mbi disa detaje të reja pikante.
Vendimi zbulon se për të realizuar këtë shërbim qeveria pagoi një kompani ndërmjetëse, që do prenotonte hapësirën tek faqet e “The Economist”.
Angazhimi i kësaj kompanie ka kushtuar, 2o milionë lekë (të vjetra).
240 milionë lekë(të vjetra) janë paguar për vetë gazetën “The Economist” që ofroi hapësirën prej 8 faqesh.
Por pak më poshtë qeveria ka specifikuar, se vetëm konceptimi dhe shkrimi i atyre 8 faqeve do i paguhej autorit 40 milionë lekë(të vjetra).
Ky është një zë shumë i dyshimtë i fondit. Për shkakun se, materiali i prezantuar tek “The Economist”, ishte një shkrim elementar, në mos primitiv.
Për shembull, dy gazetarë krejt të zakonshëm në Shqipëri, do mjaftonte të tërhiqnin materialet e gatshme me të dhëna nga qeveria dhe për 48 orë do e kishin përfunduar një shkrim të tillë, me gjithë përkthimin. Dhe kostoja nuk do ishte as sa 10% e shumës prej 40 mln lekësh të paguar nga qeveria.
40 milionë lekë është një shifër stratosferike për konceptimin dhe shkrimin e 8 faqeve krejt mediokre me një informacion elementar si ai i paraqitur në “The Economist”.
Duket se qeveria i ka menaxhuar këto lekë në mënyrën më të papërgjegjshme të mundshme, e vetmja mënyrë për t’i shpërdoruar më keq këto lekë, do ishte ndoshta grisja e tyre. /Hashtag.Al