Rruga e Arbrit që lidh Peshkopinë me Tiranën në afro një orë, duke lehtësuar qarkullimin e qytetarëve dhe të mallrave mes dy zonave, është në ndërtim në pothuajse çdo kilometër të saj.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, inspektoi sot ecurinë e punimeve në pjesën e rrugës që bën lidhjen me Tiranën.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë ka zbuluar se rruga do të përfundojë në mars të vitit 2021.
“Do jetë një rrugë e jashtëzakonshme nga pikëpamja e aseteve dhe vlerës që do krijohet në zonat rreth e rrotull. Është fantastike për agroturizëm, për bujqësi. Është Shqipëri e pazbuluar kjo pjesë”, u shpreh Rama.
Afrim Qendro, drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar sqaroi se aktualisht po punohet në 29 nga 35 kilometrat e pjesës së parë të rrugës.
“Janë 35 kilometra dhe punohet aktualisht në 29. Në këtë 14 kilometërshin që jemi aktualisht, kanë mbaruar dy ura, nga ura e Çerenecit e deri në Bllatë e është duke u punuar në dy ura të tjera. Nga 4 tunele, një tunel 500 metra ka mbaruar së hapuri si galeri dhe në të gjithë tunelet e tjera është duke u punuar”, tha ai.
Ministri Gjiknuri nga ana e tij vlerësoi investimin në tërësi dhe nënvizoi ritmet e shpejta të realizimit.