Home KRYESORE Shoqata e Gazetareve Profesioniste te Shqiperise ka reaguar ne mbeshtetje te gazetareve...

Shoqata e Gazetareve Profesioniste te Shqiperise ka reaguar ne mbeshtetje te gazetareve Jetmir Olldashi dhe Basir Collaku

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë po ndjek me vëmendje përfshirjen e dy gazetarëve investigativë Jetmir Olldashi dhe Basir Collaku, në dy procese hetimore, ku figurojnë edhe emra politikanësh të lartë.

Jetmir Olldashi, gazetari i njohur publikisht se realizoi një intervistë me Albert Veliun dhe i siguroi mjetet për të realizuar një përgjim telefonik, ku pretendohet implikimi në trafik ndërkombëtar droge, i vëllait të ministrit të brendshëm, po përballet me masën “Detyrim paraqitje“, pasi akuzohet se ka synuar të denigrojë figurën e ministrit të brendshëm. Sic na informon, gazetari Olldashi është ndeshur me presion e kërcënime gjatë seancave të pyetjeve në prokurorinë e krimeve të rënda, për të treguar burimin e informacionit, që refuzon ta deklarojë, një e drejtë që ia njeh ligji, në këtë fazë të hetimeve.

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë nxit prokurorinë, që teksa bën detyrën për të zbardhur sa më shpejt të vërtetën, të respektojë punën e gazetarit, aspak e lehtë, kur bëhet fjalë për një investigim që përfshin edhe politikanë të lartë, e në pushtet.

Me të njëjtën vëmendje po ndjekim edhe hetimin ndaj gazetarit Basir Collaku, i paditur pas publikimit të një interviste, që realizoi me një nënkomisar policie, në proces azili politik në një vend të BE, që përmend gjatë intervistës emra politikanësh e zyrtarësh të lartë, e pretenduar se është kërcënuar me jetë, për të anashkaluar një rast të denoncuar dhune, nga djali i një deputeti të mazhorancës. Edhe në rastin e z.Collaku, hetimi përfshin politikanë të lartë në pushtet dhe gazetari është paditur për kallëzim të rremë e shpifje, nga një politikan i lartë i mazhorancës në pushtet.

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë nxit prokurorinë, që në procesin e zbardhjes së dy cështjeve, të respektojë punën investigative të gazetarëve Jetmir Olldashi e Basir Collaku, e të mos ndikohet politikisht në procesin e hetimeve. Eshtë detyrë e cdo gazetari, investigimi e raportimi publik i rasteve kur ligji shkelet, apo abuzohet me detyrën, qofshin qytetarë, zyrtarë apo edhe persona në pushtet, e me imunitet.

GAZETARET PROFESIONISTE TE SHQIPERISE

PROFESSIONAL JOURNALISTS OF ALBANIA (APJA)

Share: