Home KRYESORE Basha: Rama 15 mandate i ka marrë me kriminelë. Kjo u faktua!

Basha: Rama 15 mandate i ka marrë me kriminelë. Kjo u faktua!

Lideri i PD, Lulzim Basha deklaroi sot se qeveria nuk është legjitime. Ai tha se Rama i ka fituar zgjedhjet me bandat. Eshte e faktuar me përgjime se si janë marrë votat, tha ai, duke përmendur me emra funksionarët e PS që kanë bashkepunuar me kriminelë.

Deklarata e Bashës:

Çdo ditë që kalon po provon se çështjet dhe kauzat për të cilat Partia Demokratike ka luftuar me një kosto të lartë politike, më në fund janë të qarta para syve të gjithë shqiptarëve:

• Gjendja e drogës që ne denoncuam u bë e qartë për të gjithë shqiptarët.

• Kriminelët në Kuvend u bënë të qartë për të gjithë shqiptarët.

• Lidhjet e ministrave dhe politikanëve me trafikun e drogës u bënë të ditura.

Tashmë kanë dalë në dritë edhe provat zyrtare, të krimit të të gjitha krimeve: marrja e pushtetit nga Edi Rama në bashkëpunim me krimin.

Kriminelët janë bërë faktori kryesor elektoral në Shqipëri. Vota e njerëzve, vullneti i njerëzve nuk kanë asnjë rëndësi në zgjedhjen e qeverisë në Shqipëri.

Kriminelët e Fushë Krujës grabitën vota për Edi Ramë në zgjedhjet e 2017, nën drejtimin direkt të deputetit Rahman Rraja. Vetë djali i Rrajës u hetua për blerje votash dhe për kërcënim ndaj votuesve por hetimet ndaj tij u mbyllën.

Grupi Rraja ka qenë i vetmi shtab elektoral i PS-së në Krujë aq sa Rraja i vogël ndihet oponenti ynë zgjedhor dhe sfidon opozitën në zgjedhje, duke provuar hapur se konkuruesi ynë zgjedhor nuk janë socialistët por janë kriminelët e rekrutuar nga Edi Rama.

Përgjimet kane nxjerrë në dritë faktin se kriminelët e grupit të rrezikshëm Avdylaj kanë punuar për grabitjen e votave për llogari të PS, Vangjush Dakos dhe deputetëve të Edi ramës. Bashkë me Ramën, në pushtet erdhën edhe Avdylajt, ndaj ky grup kriminal u fuqizua në një grup të rrezikshëm ndërkombëtar të drogës.

Në përgjimet e Lezhës është e njejta gjë, Ndokat kanë qenë bandë elektorale e PS-së.

Në Kavajë del qartë se Elvis Roshi ka bërë të njejtën gjë, së bashku me Gent Dajën. Madje aty krimi dhe pushteti edhe formalisht u shkrinë në një në personin e Elvis Roshit.

Në Elbasan Qazim Sejdini ka bërë të njejtën gjë, trafikantët e drogës dhe pushteti i tij janë një,

Njësoj në Dibër, Prokuroria ka një dosje tjetër ku hetohet për vjedhjen e votave në Dibër ku është përfshirë Ulsi Manja, Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri.

Sot mund të themi me siguri se krimi i ka siguruar Edi Ramës të paktën 10-15 deputetë përmes kërcënimit, grabitjes dhe blerjes së votës.

Ajo që është e vërtetë është po ashtu se 2017 ishte përsëritje në përmasa edhe më të mëdha e 2013-s. Në 2013, modeli ishte që kriminelët vetë i bëri deputetë.

Burimi i krimit në politikë, i korrupsionit dhe i rritjes së krimit në rrugë është krimi elektoral.
Një pushtet që merret me ndihmëm e kriminelëve do të punojë me kriminelët për kriminelët:
Një pushtet që buron nga krimi, do të ekzistojë si pushtet i krimit.

Në momentin që Edi Rama vendosi të bashkëpunojë me krimin për të fituar zgjedhjet, në Shqipëri mori fund çdo lloj procesi politik. Mori fund cdo lloj mundësie që të qeverisej për popullin dhe në emër të popullit.
Ky është realiteti dramatik ku jemi sot: pushteti i Ramës është pushtet i kriminelëve, nga kriminelët, për kriminelët.

Pushteti i siguruar nga kriminelët shpjegon:

1) Pse Edi Rama lejoi kultivimin dhe trafikimin masiv të drogës, madje nën mbrojtjen direkte të policisë dhe qeverisë;

2) Pushteti i siguruar nga kriminelët shpjegon se pse Edi Rama liroi nga burgu dhe ju dha pafajësi bandave nga Hakmarrja për Drjetësi tek Indrit Taullai dhe Lul Berisha; pse Edi Rama nuk e luftoi asnjëherë krimin;

3) Pushteti i siguruar nga kriminelët shpjegon pse bëri që Shqipëria të kthehet në strehë të sigurtë për të gjithë kriminelët shqiptarë të përfshirë në trafikun e drogës në Evropë dhe në Botë.

4) Pushteti i siguruar nga kriminelët shpjegon pse sot Edi Rama është përfshirë në operacione gjigande të pastrimit të parave nga ndërtimet masive në bregdet e në qendër të Tiranës, te aferat korruptive të pastrimit të parave me inceneratorët, PPP e deri te grabitja e dhunshme e Teatrit Kombëtar për ta shndërruar në kulla dhe pastrim parash.

5) Pushteti i siguruar nga kriminelët shpjegon kapjen e drejtësisë nga Edi Rama,

6) Pushteti i siguruar nga kriminelët shpjegon emërimin e prokurores politike Arta Marku dhe përdorimin e saj për të mbrojtur të gjithë politikanët e lidhur me krimin, duke larguar të gjithë prokurorët që po i hetonin dhe duke i kaluar hetimet tek shërbëtorë të bindur të pushtetit.

Sot një gazetar dhe një deputet i opozitës janë nën hetim sepse kanë denoncuar një kriminel; kryetari i opozitës thirret në prokurori se ka denoncuar një kriminel në Fushë Krujë, dhe thirret sërish në prokurori se ka nxjerrë sekretin që Taulant Balla është garant politik i pastrimit të parave.

Kush nuk është sot nën hetim: Vangjush Dako, Taulant Balla, Qazim Sejdini, Ervis Çyrbja, Damian Gjiknuri dhe të tjerë poilitikanë të lidhur me krimin.

Pushteti i siguruar nga krimi shpjegon sjelljen e Edi Ramës: brutal, dhe arrogant me qytetarët e thjeshtë dhe justifikues, mbrojtës dhe mbështetës i kriminelëve dhe politikanëve të lidhur me krimin.

Sepse Edi Rama e di që pushteti i tij nuk varet nga vota e popullit, por nga kriminelët. Ndaj ai tallet e sillet brutalisht me popullin, dhe mbështet, justifikon krimin.

Unë jam i vetëdijshëm se shumë njerëz kanë humbur besimin tek politika dhe kjo i bën shumë të pandjeshëm ndaj vjedhjes së votës.

Por sot duhet të kuptojmë se pasojat e bashkëpunimit të krimit me politikën janë shkatërruese.

Ne kemi përdorur shpesh termin narko-shtet, por ky është thelbi: trafikantët e drogës vendosin kush do jetë deputet dhe kush do jetë në pushtet.

Ky është krimi më i rëndë që mund të ndodhë: një grup kriminal, një organizatë kriminale e pambështetur politikisht mund të luftohet dhe të eleminohet. Në vitin 2006 qeveria e PD-së dëshmoi se brenda gjashtë muaj shkatërroi bandat që kishin terrorizuar Shqipërinë për vite të tëra.

Po kur qeveria buron nga krimi, në vend të luftës kundër krimit kemi shfaqje sikur luftohet krimi: kemi operacionet fasadë, kemi kriminelë që nuk kapen, kemi kriminelë që sundojnë qytetet shqiptare.

Edhe një herë sot Elbasani sundohet nga grupet kriminale, Vlora sundohet nga grupet kriminale, Shkodra po ashtu, e gjithë zona nga Tiranë në Shkodër përfshi Krujën, Laçin, Lezhën po ashtu.

Tirana është nën sundimin e krimit dhe të drogës: mjafton të dilni në mbrëmje në lokalet e bllokut apo në trotuaret nga zona tek Blloku deri tek Rruga e Elbasanit dhe do të shikoni se kudo ka shpërndarje dhe konsum droge dhe banditë të armatosur që argëtohen.

Aksionet e fundit janë aksione fasadë të llogaritura sa për të bërë zhurmë pa prekur krimin. Edhe këta që janë arrestuar do të lirohen apo lehtësohen ngadalë. Edi Rama nuk do të shkëputet dot nga krimi, sepse lidhja e tij me krimin është burimi i pushtetit të tij.

Kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin. Dhe kush kishte pak dyshim, tani eshte i qarte se si bashkvepron Edi Rama me krimin per te blere vota. Krimi i siguron votat Rames dhe Rama i jep paprekshmeri krimit ne trafiqe dhe duke ju pastruar parate e pista ne ndertime, investime etj.

Në Shqipëri nuk do ketë luftë kundër krimit dhe drejtësi nëse nuk do të dënohen krimet elektorale të Edi Ramës.

Kjo gjendje është provë e domosdoshmërisë të ndarjes së politikës nga krimi dhe dekriminalizimit të zgjedhjeve: të cilat janë prioritete absolute të Partisë Demokratike.

Keto dy nisma duhen bere pa humbur kohe per ti dhene mundesi qytetareve te vendosin me vote te lire dhe te ndershme per qeverine qe duan.

Share: