Home KRYESORE Shqiponja e vendosur në 100-vjetorin e Pavarësisë është hequr nga sheshi “Shqiponja”

Shqiponja e vendosur në 100-vjetorin e Pavarësisë është hequr nga sheshi “Shqiponja”

Simboli i Shqiponjës së vendosur në 100-vjetorin e Pavarësisë është hequr nga sheshi “Shqiponja” mbrëmjen e së premtes, duke i hapur rrugë Unazës së Madhe të Tiranës. Monumenti u vendos aty 6 vite më parë, ndërsa në vend të tij do të ndërtohet një mbikalim me tre nivele që do të lehtësojë trafikun.

Sheshi “Shqiponja” në Tiranë tashmë do të identifikohet vetëm nga kjo pllakatë, pasi Monumenti që i dha emrin është hequr mbrëmjen e së premtes.

E derdhur e gjitha në çelik dhe me një lartësi 6 metra, Shqiponja u vendos në rrethrrotullimin e Doganës në nëntor të vitit 2012 si simbol i 100 vjetorit të Pavarësisë.

Gjatësia e Unazës së Madhe shkon në 27 kilometra, ndërsa pikërisht në këtë vend do të ndërtohet një mbikalim me tri nivele që do t`i japë zgjidhje trafikut në kryeqytet.

Ndërkohë sipas projektit, ky segment rrugor nga “Pallati me Shigjeta” te sheshi “Shqiponja”, në të cilin qarkullimi i mjeteve kryhet me vështirësi, do të përbëhet nga tri korsi.

Projekti që është konsideruar si një nga më të rëndësishmit në 100 vitet e fundit, ka shkaktuar pakënaqësi dhe revoltë të banorëve, ndërtesat e të cilëve preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe.

317 objekte do të shemben. Për familjarët Bashkia ka ofruar si zgjidhje bonusin e qirasë për një vit.

Aktualisht janë në ndërtim 5 lote, 2 në segmentin Fusha e Helikopterëve deri në Shkozë- Materniteti i Ri dhe 3 lote rikualifikimi nga shkolla Teknologjike deri tek sheshi “Shqiponja”.

Share: