Mediat e huaja sërish e vendosin Kosovën nën lupën e një vendi që po prodhon xhihadistë. Këtë herë është televizioni italian ”˜La 7′ dhe emisioni “Piazza pulita” “Sheshi i Paster” që merret me tema hulumtuese.
Në reportazhin dhjetëminutësh, Kosova cilësohet si një shtet i krijuar nga amerikanët, por në të cilin nga paslufta, më shumë janë ndërtuar xhami sesa fabrika.
Mendonte se i biri i tij, dikur imam në fshatin ku u lind e u rrit, kishte shkuar në Egjipt për të studiuar. Për këtë, ai shiti krejt ç farë kishte, edhe lopën nga e cila ushqeheshin, vetëm që t’ia siguronte të birit paratë e rrugës. Ky është prindi, Shemsi Maliqi nga fshati Busavatë e Kamenicës. E tash kur dyshohet se i biri, Alehimi po lufton për organizatën terroriste ISIS, prindi i tij nuk dëshiron ta besojë.
Kështu e nis televizioni italian “La 7” rrëfimin për kosovarët që po i bashkohet xhihadit, duke e përshkruar vendin si një prej shteteve ku në raport me popullsinë, ka numër të madh të atyre që kanë shkuar në Siri për të luftuar.
-“Nëse do të ishte e vërtetë, do të ishte një katastrofë”, thotë ndër të tjera Shemsi Maliqi, për televizionin italian, teksa i referohet të birit si person i qetë, i dashur dhe shumë i zoti në teologji.
Pavarësisht të gjithave, Shemsiu deklaron se ka mall për të birin, nusen e tij dhe mbesën tre vjeçe, të cilët një vit pas udhëtimit të parë të Alheimit, ai është kthyer dhe i ka marrë me vete.
Në emisionin “Piazzapulita” të transmetuar me 7 janar 2016 në kanalin ”˜7′, gazetarja italiane Valentina Petrini, në hulumtimin e përmbledhur në dhjetë minuta mbi këtë temë, takon dhe bisedon me disa familje të tjera, të afërmit e të cilëve kanë shkuar për t’iu bashkuar ISIS-it, në luftën që ata e konsiderojnë të shenjtë.
Gazetarja ka vizituar edhe familje të tjera, si ajo e Sinan Mujit nga Bresalci i Gjilanit, i vrarë në shtatorin e vitit 2014, për të mësuar më shumë për arsyen që i shtynë këta persona, kryesisht të rinj, që të marrin këtë rrugë, apo të tjera në rrethinën e Kaçanikut, raporton Lajmi.net.
Por në asnjërin rast, ajo nuk gjen përgjigjen, ndonëse si më e përafërta konsiderohet arsyeja ekonomike, pasi vendi vuan nga një shkallë e lartë e papunësisë.
Në pjesë të këtij hulumtimi të cilin e sjell Lajmi.net, sigurisht se nuk ka se si të mos përmendet kryeterroristi nga Kosova, Lavdërim Muhaxheri nga Kaçaniku, i cili shfaqet teksa bën thirrje për xhihad në gjuhën shqipe dhe djeg pasaportën e shtetit të Kosovës.
Në reportazh theksohet se ky vend i shendërruar në shtet, falë ndihmës amerikane, nga paslufta ka ndërtuar më shumë xhami sesa fabrika, ndërkohë që potencohet edhe përpjekja dhe angazhimi i organeve policore kosovare në luftë kundër terrorizimit. /Lajmi.net
Shenim: Koleget italian duhet te sjellin ne vemendje te teleshikuesve te tyre se jane me qindra mijera shqiptaret te cilet ne menyra te ngjashme kane shkuar ne Perendim per te studjuar dhe jetuar dhe jane integruar me sukses aty, ku nuk mungojne qytetaret e lindur atje dhe jane tashme pjese e Jihadid Islamik.