Analisti Mustafa Nano, në librin e tij “Provocateur”, rrëfehet me një stil interesant në një autointervistë. Mes të tjerave, ai flet për Edi Ramën.
Mes kritikave që ka për kreun e qeverisë, Mustafa Nano shkruan se e ka votuar sepse e mendonte “si të keqen më të vogël”, por më pas thotë se e ka çuar votën dëm.
“Problemi që unë kam me të është që ai nuk diti, nuk mundi e nuk deshi të ngrihej mbi nivelin e “së keqes më të vogël”, dhe është kjo që, në mos sot, nesër, do të bëjë që ai të shihet, a të jetë, si e keqja më e madhe. Është kjo që më jep herë pas here ndjesinë se votën time e kam çuar dëm.”-shkruan Mustafa Nano.
Më tej, Mustafa Nano shkruan se e keqja më e vogël e Ramës është vetëpëlqimi.
“Le ta fillojmë me “të keqen më të vogël” të tij: vetëpëlqimin. Ai ka një mendim të shkëlqyer për veten. Jeton me idenë se Shqipëria i rri ngushtë, se ai do të duhej të ishte në krye të ndonjë vendi të madh, se këtu ku i ka rënë për hise të jetojë e të sundojë nuk ka të tjerë që të barabiten me të. Më kujtohet se në vitin 2011, kur ai po përgatitej të kandidonte për herë të katërt për kreun e Bashkisë së Tiranës, unë bëra një shkrim, në të cilin i kërkoja të mos e bënte këtë.”-shkruan më tej, Mustafa Nano.
Sipas Nanos, ka dy arsye se pse Rama nuk duhej të kandidonte, e para është për faktin se në atë kohë ishte kryetar i Partisë Socialiste, dhe në mendjen e njerëzve ishte kandidati për kryeministër dhe së dyti, kandidimi për herë të katërt ishte një teprim në vetvete.
Nano thekson se ‘Që kryetari i një partie të rëndësishme të mendojë se në partinë e tij nuk ka një njeri tjetër, përveç atij vetë, që të kandidojë për një post të rëndësishëm, siç ishte ky i kreut të Bashkisë së Tiranës, kjo për mua është skandaloze. Siç është skandaloze, gjithashtu, që kandidati të kërkohet gjithnjë brenda partisë. Kjo e fundit është domethënëse, sidoqoftë. Fakti që nuk kërkohen e nuk preferohen kandidatë nga jashtë partisë, tregon se postet shihen si një lopë për t’u mjelë e jo si një përgjegjësi për t’u ushtruar e si një pushtet për t’u administruar. Partive tona u duket më e volitshme një humbje e garës sesa një fitore e saj me njerëz “të huaj”.”.
Po ashtu, Nano shkruan se Rama është njeri pa ideale. “Është njeri pa ideale. Vini re: Po them pa ideale, jo pa ide! Ide ka, por nuk e vë ujin në zjarr për to. Mund t’i flakë tej për hiçgjë, gjë që do të thotë se ato nuk kanë hedhur rrënjë në qenien e tij. Dhe kjo gjë e bën të mos ketë asnjë projekt të vetin qeverisës. Bën ç’t’i dalë përpara për të arritur të vetmin qëllim që ka: Të rrijë në pushtet!”-shkruan ndër të tjera analisti Mustafa Nano./CNA.al