Përktheu nga origjinali anglisht Elvis Zaimi
Gjithsesi, është shumë e vështirë të mos urosh që ata të kishin qenë më pak skrupulozë. Të shpeshta janë ankesat se Jane Austen është shumë prozaike, apo se Thomas Hardy është me tepri “melodramatik”. Sakaq, duhet të ndërmendemi se për të marrë prej cdo shkrimtari gjithcka ai mundet të na e japë nga leximi i tij, është e nevojshme që secilit t’i përqasemi me mënyrën e tij të ndryshme. Duhet ta kujtojmë prore se një nga cilësitë e madhështisë është se ajo përputh tokën, qiejt dhe natyrën njerëzore, duke i njëjtësuar këto të treja në pajtim me vizionin e saj.
Është pikërisht kjo mjeshtëri e madhështisë të shkrimësisë, kjo vecantësi e pashoqe dhe e pakompromis e talentit të shkrimtarit për “ta mposhtur dhe shtënë në dorë realitetin”, duke e riprodhuar më pas të shndërruar sipas vizionit vetanak artistik, arseyeja pse shkrimtarët e mëdhenj shpesh kërkojnë nga ne të bëjmë përpjekje heroike për t’I lexuar drejt dhe kuptuar ata sic duhet. Individualiteti i tyre na e përkul brendapërbrenda ndërgjegjen, i shkallmon më forcë ledhet e saj për të krijuar të cara depërtuese.
Të përshkosh shtegtimin e leximeve të listës së autorëve që zë fill nga Jane Austen tek Hardy, nga Peacock tek Trollope, nga Scott tek Meredith, nga Richardson tek Kipling, është si të vërtitesh lakadredhas, i dërrmuar dhe i shpërfyturuar deri në cfilitje, i flakur herë në njërën dhe herë në tjetrën anë të kurrizit të një rruge që gjarpëron. Vec kësaj, secili prej nesh është i lindur me një anësi të natyrshme për të parapëlqyer ecjen sipas një drejtimi të caktuar, sesa drejtimet e tjera.
Disa lexues në mënyrë instiktive pranojnë më shumë vizionin e Hardy sesa atë të Austen, duke përjetuar të lexuarin e këtij autori bashkë me rrjedhën dhe jo kundër saj, gjatë të cilit mendimi lëviz përpara, duke u mbartur natyrshëm ndër mendimet e tyre, lehtësisht dhe butësisht, i zhvendosur nga shtysa e prirjes së tyre të brendshme; afëria e zemrës të lexueseve me individualietin dhe gjenialitetin e autorit. Por atëbotë, Jane Austen është e neveritshme për këta lexues. Mendimi i tyre kur lexojnë Jane Austin nisë të lëkundet i shtangur dhe i trullosur nëpër “shkretëtirën” e romaneve të saj.
Disa herë, ky antagonizëm i natyrshëm është kaq i madh sa nuk mund të kapërcehet, por përpjekja për ta bërë këtë ja vlen të bëhet gjithmonë. Sepse këta libra kaq të vështirë dhe të padepërtueshëm, megjithë ashpërsinë e tyre paraprake acaruese e cila duket se i bën të paarritshëm për lexuesin t’i hyjë kuptueshmërisht leximit të tyre, shpesh japin në fund frytet më të pasura nga leximi. Kjo na e rrit kureshtinë dhe na habit rreth përbërjes komplekse dhe të përzierë të mënyrës sesi është gatuar truri ynë, të cilin ndërsa gjatë një stine të caktuar e neverisin disa hise letërsie, ka oreks për to gjatë stinës tjetër, duke i ndjerë si thelbësore.
Nëse është e vërtetë atëherë se librat u përkasin tipeve nga më të ndryshmet, dhe se për t’i lexuar drejt ato na duhet ta lakojmë apo përkulim fuqishëm imagjinatën tonë, fillimisht në një mënyre të caktuar, pastaj sipas një tjetre,-atëherë po kaq e vërtetë është edhe kjo tjetra; se leximi bën pjesë tek zëniet e njeriut me një ndër punët më të lodhshme dhe shteruese. Shpesh interesi ynë për të lexuar shfaqet me kaq endje sa faqet fluturojnë përpara nesh, dhe ne na duket sikur e jetojmë, dhe jo se e mbajmë ndër duar librin. Por sa më shumë të na ngacmojë dhe na e nxitë ngazëllimin ky lexim, aq më I madh është rreziku i të mbilexuarit.
Me siptomat e tij tashmë jemi të familjarizuar. Befas libri brymësohet me një akullsi si ajo e ngicës së ujit hendek, dhe bëhet i rëndë si plumbi. Ne gogësijmë dhe shtriqemi, por nuk mund ta ndjekim më. Fluturimet më të larta të Shekspirit dhe Miltonit bëhen të patolerueshme. Dhe ne llomotisim me vetveten-a është Keats një budallë, apo unë jam i tillë-një pyetje e dhimbshme, por për më tepër një pyetje që nuk kemi nevojë t’I përgjigjemi nëse do të arrinim të kuptonim sesa e madhe dhe e rëndësishme është pjesa që luan në artin e leximit, arti i mosleximit.
Të jesh në gjendje të lexosh libra pa i lexuar ata, të hovësh dhe kapërcesh, të bredhësh i lirë dhe shëtisësh, të pezullosh gjykimet, të ngarritesh punëkot dhe bjerrakohës duke gjezdisur i ngeshëm nëpër rrugicat duke vwshtruar fasadat të fshatrave apo qyteteve të pikturuara me gërmat e alfabetit nëpër faqet e një libri, është mënyra më e mirë për ta rinuar fuqinë tënde krijuese. Të gjitha biografitë dhe memuarët, të gjithë librat hibridë të mbushur dingazi plotepërplot me fakte, shërbejnë për të restauruar tek ne fuqinë e të lexuarit të librave realë-domethënë të veprave të krijuara nga imagjinata e kulluar.