“Nënë Tereza në pullat shqiptare” e Hysen S. Dizdari
promovohet në Muzeun Historik Kombëtar
Nga Leonora Laçi
Pati gjuhëtar, letrarë, historianë si: dom Lush Gjergji, Dom Nikë Ukgjini, Tonin Çobani, Tefë Topalli, Ndue Ukaj e të tjerë dhe pjesëmarrës nga fusha e filatelisë. Më datë 12 Nëntor 2018, nën organizimin e Muzeut Historik Kombëtar me drejtor dr. Dorian Koçi, në sallën “Shpataraku” ora 11:00 u zhvillua promovimi i botimit “Nënë Tereza në pullat shqiptare” e sjellur në shqip dhe anglisht, botuar nga Shtëpia Botuese AGSTUDIO.al, Tiranë: 2018 më autor, Hysen S. Dizdarin.
Parathënia e këtij botimi është bërë nga Dom Lush Gjergji që është biografi më i madhe i nobelistës shqiptare Nënës Terezë, ku i ka kushtuar 17 botime jetës dhe veprimtarisë së saj e shpallur tashmë Shenjte. Ndër të tjera në parathënien e tij ai shkruan për botimin e librit: “Ja, ky botim ndoshta na ndihmon të kuptojmë botën, jetën dhe veprimtarinë e Shën Nënë Terezës, të shprehura në mënyrë artistike nëpërmjet prezantimit të pullave të emetuara në vitet 1990- 2018 në këtë album.”
Moderatori i aktivitetit pasi përshëndeti pjesëmarrësit i dha fjalën dom Lush Gjergjit, që foli për rëndësinë e Nënës Terezë dhe vlerësoi punën e autorit që ka marrë një tjetër aspekt të rëndësishëm historik vlerësimin e Nënës Terezë në pullat shqiptar.
Ndërsa veteran i filatelisë shqiptare z. Lorenc Kaçulini u ndal tek pullat kushtuar figurës së Nënës Terezë duke sjell dhe faktin se janë rreth 56 shtete të ndryshme që kanë emetua pulla me figurën e Nënës Terezë në periudha të ndryshme. Po ashtu tha se pullat postare për te janë përmbushje e një misioni dhe një promovim i vlerave tona kombëtare, dhe se imazhi i pullave postare ilustron idealin e Nënë Terezës, angazhimin e saj për paqe dhe bamirësi, solidaritet dhe dashuri mes njerëzve.
Studiuesi dr. Tonin Çobani u ndal në tre tregime të jetës së Nënës Terezë; si dhe tek rëndësia e të buzëqeshjes së njëri-tjetrit, pra me përvuajtje, me bindje, me sakrifica njerëzit t’u largohen xhelozirave, inateve, konflikteve, luftërave. Me përvuajtje, bindje dhe sakrifica t’i buzëqeshin edhe atij të vetmuarit, të pamundurit nga mplakja, sëmundja, varfëria…
Moderatori i aktivitetit z. Paulin Ujka vazhdoi me recitimin e vargjeve të poezisë së z. Ndoja me titull “Nana e të gjithëve”.
Në fundin e aktivitetit e mori fjalën autori, i cili me mjaft emocion përshëndeti të pranishmit që e kishin nderuar me pjesëmarrjen e tyre e foli rreth librit-album dhe paraqiti përmbajtjen e librit.
Në albumin kushtuar Nënës Terezë, autori Dizdari, paraqet rreth 14 emisione, që janë si vijojnë; Emisioni i parë-emetuar më 4 tetor 1992. Emisioni i dytë- emetuar më 25 prill 1993. Emisioni i tretë-emetuar në korrik 1994. Emisioni i katërt-emetuar më 5 maj 1996. Emisioni i pestë-emetuar më 13 shtator 1997. Emisioni i gjashtë- emetuar më 31 gusht 1998. Emisioni i shtatë-emetuar më 5 shtator 1998. Emisioni i tetë- emetuar më 1 dhjetor 2001. Emisioni i nëntë- emetuar më 19 tetor 2003. Emisioni i dhjetë- emetuar më 9 nëntor 2007. Emisioni i njëmbëdhjetë-emetuar më 15 nëntor 2007. Emisioni i dymbëdhjetë-emetuar më 26 gusht 2010. Emisioni i trembëdhjetë- emetuar më 21 shtator 2014. Emisioni i katërmbëdhjetë- emetuar më 4 shtator 2016.
Ky libër album për Nenë Terezën e parë ndryshe, është një gur i çmuar i autorit për kulturën shqiptare. E sikur të gjithë ne të vendosim nga një gurë në mozaikun e madh, atëherë figurat kombëtare do të ishin më të plota.
Promovimi i aktivitetit u drejtua me mjeshtri nga z. Paulin Ujka nga Shkodra, dhe pati pjesëmarrës nga Shqipëria e Kosova.
Me të mbyllur aktivitetin promovues, u realizua një takim me Drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar z. Dorjan Koçi, i cili priti në zyrë autorin së bashku me miqtë e tij, dhe shkëmbyen biseda miqësore rreth librit të promovuar.
Përndryshe, autori Dizdari para disa kohesh, me përkushtim të madh ka botuar edhe albumin kushtuar figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në pullat shqiptar me 33 emisione duke filluar nga viti 1913 e deri sot.