Sa prej jush i kanë ndjekur protestat e banorëve të Astirit këto ditë? Sa prej jush e kanë parë të udhës për t’ju bashkuar kësaj proteste?
Banorët e Astirt prej 16 ditësh kanë dal në protesta kundër shembjes së ndërtesave/objekteve që do të preken nga zbatimi i projektit të ‘Unazës së Madhe’. Këta qytetarë janë në ditën e 16 të protestës, pavarësisht ‘censurimit’ që shumë media kanë zgjedhur të bëjnë me këtë ngjarjë duke devijuar ose duke mos e mbuluar atë tërësisht.
Duhet të qartësohet se ata nuk janë kundër projektit. Janë pro saj, vetëm me një kusht: Të dëmshpërblehen 100 %.
Qytetarët kanë nevojë për përgjigje.
Ata kërkojnë ngultazi një takim me kryetarin e bashkisë, por deri më tani nuk ka asgjë zyrtare nga institucionet përkatëse duke mos njoftuar paraprakisht se sa persona do preken nga ky projekt, e çfarë kostosh ka. Pra, ka disa pikëpyetje dhe do ishte e qenësishme që të kishte një sqarim nga autoritetet. Fadromat për prishjen e objekteve kanë mbërritur në vendngjarje, por ende nuk ka asnjë veprim se cila do jetë rruga ligjore për dëmshpërblimet.
Protestuesit mund të kenë ‘grabitur’ vëmendjen dhe reagimet e të gjithëvë ne, por çuditërisht nuk ka rezultuar efikase për kryebashkiakun e Tiranës, i cili në total, në daljet e tij publike e ka cekur vetëm 2 herë këtë çështje, pa pasur argumente.
E vetmja mburojë e tij (siç ndodh rëndomtë me aktorët politikë) janë cilësimet: shpellarë, banditë, nazistë. I etiketon banditë 10-vjeçarët, të cilët flen me makthe në vend të ëndërrave, dhe zgjohen rrugëve duke mbajtur pankarta në duar e duke thërritur me të madhe: ‘Shtëpinë do ta mbroj me gjak’.
Këto 16 ditë nuk kemi parë protesta banditësh, siç shprehet Veliaj.
Kryebashkiaku sulmon ngaqë nuk është i gatshëm t’u përgjigjet banorëve. Ndihet i frikësuar, sepse si çdo politikan tjetër është mësuar t’i shoh shqiptarët në protesta vetëm nën mantelin e militantit, pa sy dhe vesh, konformist deri në atë pikë edhe kur në lojë futen të drejtat e tyre vitale.
I godet me epitetin ‘shpellarë!
Fatkeqësisht, politika jonë po bën një punë kolosale për t’i transformuar trupat dhe mendjet e njoma në – shpellar, duke ua ekzekutuar mendimet dhe të drejtat që pa lindur.
Qytetarët kërkojnë përgjigje; Ata nuk kanë nevojë të sodisin në televizion ‘bukurinë’ dhe arrogancën e politikanëve.
Ndër të tjera, deklarojnë se “nëse banesat do prishen pa aprovimin e banorëve, do ketë viktima”.
Këta qytetarë kanë nevojë për mbështeje. Për mbështetjen time. Por unë do ngrihem në protestë, kur një banorë i pafajshëm të vdes.