‘Vatra’ në Tampa, SHBA
Shoqata “Vatra” Tampa Bay, si dhe mbarë komuniteti shqiptar në Florida, solidarizohet dhe mbështet plotësisht protestën studentore. Ne jemi të ndërgjegjshëm për drejtësinë e kësaj proteste e shkaktuar nga keqqeverisja në shtetin shqiptar, të cilën e ka mbuluar korrupsioni dhe krimi. Nëpërmjet tarifave e taksave të papërballueshme arrin deri aty sa të vështirësojnë dhe të bëjnë të pamundur ndjekjen e studimeve të larta nga shumë studentë e sidomos të atyre që vijnë nga familje të varfra.
Edhe pse larg jush, ne jemi shpirtërisht bashkë me ju, duke protestuar si demokratë me ndershmëri e ndërgjegje kombëtare për çdo padrejtësi jo vetëm ndaj ju studentëve, por dhe mbarë qytetarëve shqiptarë që po e vuajnë deri në palcë diskriminimin politik, ekonomik e kombëtar nga kjo qeveri e korruptuar.
E gjithë diaspora dhe populli shqiptar i kanë drejtuar sytë dhe vëmendjen nga ju, sepse ju jeni shpresa jonë. Ju dhe vetëm ju mund ta çoni Shqipërinë përpara dhe të realizoni ëndrrat e rilindësve tanë, të Konicës e të Nolit, të të gjithë atyre që sakrifikuan dhe jetën për një shtet demokratik europian.
Ju falënderojmë edhe një herë nga zemra për vijimin e protestës deri në zgjidhjen e kërkesave tuaja. Do të jemi krah për krah me ju në çdo hap që do të hidhni për reformimin e Shqipërisë drejt Europës dhe një kombi të bashkuar.
Zoti e bekoftë Shqipërinë! Zoti e bekoftë rininë studentore! Përzemërsisht nga shoqata “Vatra” në Tampa Bay Florida.
Sot, më datë14 dhjetor 2018.