Home KRYESORE Interpretimet e krizës së Maj-Qershorit 1968, një rini e shqetësuar shpesh nga...

Interpretimet e krizës së Maj-Qershorit 1968, një rini e shqetësuar shpesh nga e ardhmja e saj (pjesa e trete)

Nga Philipe Beneton dhe Jean Touchard, publikuar për herë të parë në Revue francaise des sciences politiques, Verë e vitit 1970

Përktheu nga anglishtja Elvis Zaimi

Në këtë mënyrë, ndonëse studentët zënë vend në rangjet më të larta, duke u reshtuar në pararojën e “trashegimtarëve të kulturës kombëtare”, qartazi studentët e 1968 nuk e gëzonin këtë siguri. Vështirësia në bërjen e zgjedhjeve, sëbashku me frikën nga dështimi, nga regresi shoqëror dhe papunësia, janë faktorët që shpjegojnë ankthin për të ardhmen e tyre profesionale.

“Rreziku i lartë për të dështuar, qëndrimi në vendnumëro duke harxhuar kohën për studime që nuk kanë ndonjë vlerë për jetën, madje regresi shoqëror për disa syresh, vështirësia e të gjeturit të një pune edhe pasi kanë bërë katër apo pesë vite studime të larta më shumë nga të tjerët-ja me çfarë përballen sot studentët, veçanërisht ata të letrave dhe të shkencave.

Loja e pakontrolluar e forcave shoqërore ka shpënë në një përkeqësim të konsiderueshëm të situatës së studentëve, në një shoqëri e cila, si kurrë ndonjëherë më parë, bëhet çdo ditë e më e kamur, inteligjencia e të cilës gjen dhe merr kënaqësi sa të parakohshme, aq edhe të papjekura, në analizën që u bën fatkeqësive të shkaktuara dhe shumëzuara nga begatia e shoqërive të industrializuara”

Të gjitha këto pikëpuetje angushtuese dhe të përhapura gjerësisht lidhur me perspektivat e karrierës të studentëve, mbi provimet, mbi aktivitetin professional, ishin përforcuar atëbotë edhe nga një dënim përgjithësues që i bëhej “universitetit borgjez” dhe “kulturës borgjeze”, një kulturë e përhapur nga trashëgimtarë për trashegimtarët, ku leksionet janë “qen-roje” të kapitalizmit, për të mbajtur të pandryshuar “mjerimin e botës studentore”, të shoqëruara edhe me thirrjet për t’u dhënë “pushtet dhe të drejta vetoje” studentëve.
Disa nga këto tema menjëherë më pas u sanksionuan edhe zyrtarisht. Z.Edgar Faure humbi disa herë mundësinë për t’u bërë jehonë ideve të Bourdieu dhe Passeron, duke kritikuar programet e lëndëve dhe metodat e vlerësimit, të cilat “në mënyrë të pandërgjegjshme favorizonin kategori apo grupe të caktuara”, dhe duke dënuar “ transferimin e privilegjeve”, të cilat, megjithë shfaqjet e jashtme, sistemi tradicional konkurrues i provimeve thjesht vazhdon t’I përsërisë ad infinitum.

Është interesante të vihet re se si këto ide mbërritën dhe bën jehonë tek një audiencë shumë e gjerë, dhe u mbështetën nga ministri pikërisht atëherë kur studimet empirike prireshin ta vinin në pikëpyetje vlefshmërinë e tyre. Mbi bazën e rezultateve të një sondazhi të zhvilluar nga 6919 letra të studentëve, Noelle Bissseret arriti në përfundimin se:

“Situata objektive duket të jetë përcaktuese, qëkurse për studentët me pozicione të krahasueshme, treguesi apo norma mbi aftësinë për të qenë i suksesshëm që dilte nga përpunimi i të dhënave pas sondazhit, rezulton të jetë e përafërt, pavarësisht nga kategoria shoqërore të cilës i përkisnin studentët.

Ngjashmërisht, në vitin e parë në universitet (edhe pse ndoshta jo në kohën e përfundimit të tij), studentët që shfaqnin treguesit më të mirë nuk dukeshin të favorizuar nga avantazhi kulturor për të cilin ata i detyroheshin rrethit të tyre familjar, duke qenë se norma e nxjerrë nga sondazhi në lidhje me aftësinë e tyre për të qenë i suksesshëm nuk ishte më e lartë se ajo e të tjerëve të të njëjtit nivel”

Një tjetër sondazh, kësaj here i zhvilluar në Tuluzë, “mbi dhjetë vite të një gjenerate studentore”, tregonte se origjina e ulët shoqërore nuk ishte pengesë për suksesin në provime. Në fakt, numri i studentëve me origjinë nga klasa punëtore ishte proporcionalisht më i madh se të tjerët, kur vinte fjala për të shkuar deri tek CAPES ose agregation.

Këto sondazhe-të cilave mund t’u shtohet punimi i Christian Delage mbi diplomën e nivelit të parë në Orleans (për letrat, shkencat, dhe drejtësinë), me shumë gjasa e kanë objektin e hulumtimit të tyre të kufizuar. Ato dëshmojnë thjesht se në çdo rast, në Fakultetet e Letrave (objektivi i parapëlqyer i sociologëve, dhe për ta një shembull i rëndësishëm), ndoshta me një përfytyrim jo pak të gabueshëm për t’u besuar edhe për të gjithë universitetin në tërësi, siç duket se sugjeron Delage, eleminimi shoqëror nuk ndodh nëpërmjet provimeve universitare. E shumta që mund të pretendohet është se këto provime nuk eliminojnë dhe aq “jetimët” e një kulture, sesa “trashëgimtarët” e saj (e përgënjeshtruar kjo nga statistikat), ndërkohë që mbajnë në nivelet e larta të sistemit arsimor “trashëgimtarë” që nuk e meritojnë.

Ky argument duket jobindës gjithsesi, nëse sjellim ndër mend treguesit e lartë të dështimit për studentët me prejardhje nga grupet në një pozitë më të mirë shoqërore. Për këta studentë mbetet e vërtetë se avantazhet materiale që gëzojnë u lejojnë të mbeten në universitete megjithë dështimet e përsëritura, dhe më gjerësisht, trashëgimia e tyre kulturore përbën një nga avantazhet më të rëndësishme për ta, por e cila e luan rolin e saj si faktor avantazhues përpara kohës së ardhjes ne universitet, gjatë shkollës fillore dhe të mesme.

Prapëseprapë, nocioni se “roli objektiv që zhvillon arsimi I lartë është mbështetja nëpërmjet provimeve e hyrjes dhe anëtarësisë në universitete, vetëm për klasat e kulturuara”, u pranua gjerësisht nga studentët kontestues (contestataire), dhe u shndërrua në temën kryesore të shumë manifesteve dhe pamfleteve që denonconin “arsimimin klasor” dhe “kulturën borgjeze”.

Ndonëse këto tema vështirë se mund të merren si faktorët shpjegues të krizës, dënimi I kuturës së përhapur nga universiteti dhe të sanksionuar nëpërmjet sistemit të provimeve universitare, sigurisht se nuk do të kishin mbërritur tek një audiencë aq e gjerë nëse provimet nuk do t’u kishin shkaktuar studentëve një angushti të thellë. Kjo angushti perceptohej veçanërisht përgjatë gjithë Majit dhe Qershorit, dhe sigurisht së nuk është e rastit që kriza shpërtheu pikërisht kur sezoni i provimeve ishte duke filluar.

Gjatë krizës, “seleksionimi” u denoncua nga studentët duke shfreur një pakënaqësi dhe duf të furishëm, dhe qysh nga ditët e para kur Fakultetet u pushtuan, problemi i provimeve zuri një vend të rëndësishëm, mbase edhe thelbësor, në diskutimet që zhvilloheshin ndërmjet studentëve. Në këtë mënyrë, a mundet dikush ta shpjegojë krizën universitare nëpërmjet faktorëve si frika nga dështimi në studime, apo lojërat e rrezikshme që luanin me fatet e studentëve forcat e pakontrolluara dhe të pamoralshme shoqërore? I pjesshëm, ashtu siç edhe mund të duket në pamjen e tij të jashtme, ky arsyetim mund të paraqitet si faktor shpjegues, duke mbajtur ndërmend problemin e konkurrencës brendapërbrenda universitetit.

Kjo konkurrencë ishte e ethshme dhe rraskaptiëse (shumë janë të thirrurit, por pak janë të zgjedhurit), jetëshkurtër (zgjat vetëm pak vite), dhe që shpesh ofron vetëm një perspektivë zhgënjyese, (një pozicion mediokër shoqëror, si dhe problematika në gjetjen e punës). Duke qënë se mungonin udhëzimet ose përzgjedhja paraprake, e gjithë e ardhmja profesionale e studentëve vendosej vetëm në pak vite, dhe vetëm një pakicë mund të arrinte pozicionin e lartë shoqëror të aspiruar në çastin e hyrjes në universitet. Në këtë mënyrë “provimet” rezultonin të ishin “verdikte të paapelueshme” mbi statusin shoqëror të të interesuarve.

Një konkurrencë e tillë qartazi se mund të shkaktojë shqetësim, ankth, dhe të rrisë tensionet, aq më tepër sot që studentët formojnë një “masë pa strukturë”, një ‘turmë të vetmuar” siç e shpreh Riesman, një grup me pretendime por po aq njëherazi edhe i angushtuar, pa pushtet dhe pa përgjegjësi, një masë “të rriturish rioshë”, të reduktuar në nivelet e konsumatorit (të librave-tekste, konspekteve të leksioneve, njohurive), një grup i marzhinalizuar në shoqërinë e shekullit të njëzetë.

Megjithatë e vërteta është se kjo situatë nuk ishte unike për Francën, dhe duket pra e vështirë t’I qëndrosh mendimit se kriza universitare, më shumë sesa ideologjitë dhe aksionet e sekteve të spektrit të majtë, ishte në ndonjë mënyrë rrënjësisht e ndryshme nga ato që shpërthyen në të njëjtën kohë në shumë vende të tjera. Ajo që ishte unike për Francën ishte se kriza e Majit 1968 u përhap me shpejtësi të jashtëzakonshme në pjesën tjetër të shoqërisë. Për ta shpjeguar këtë cilësi të saj “infektonjëse”, do të na duhej ta hidhnim vështrimin tek interpretime më të gjera. (Vijon)

Share: