Nga Sulejman Gjana
Kur, më 21 janar 2016, në numrin 1/2016 të gazetës Atdheu*, publikuam artikullin “Antireforma dhe antiligji i arsimit të lartë”, interesimi i “elitës” intelektuale, akademike dhe politike për pikëpamjen tonë ishte pothuajse inekzistent edhe pse në atë artikull kishim parashikuar pothuajse të gjitha arsyet që çuan edhe në protestën e ditëve të fundit, të studentëve-heronj të këtij dhjetori.
Përveç të tjerash, në atë analizë theksonim se:
1- “…dihet se në këtë “treg të lirë” Friedman-ist, me derregullim paraprak ligjor të rregullave të lojës, produkti final do të jetë rritja e skajshme e tarifave studentore në universitetet publike…”.
2- “Ligji i shndërron universitetet publike në kazerma ku gjallesat në to quhen ushtri me komandantë e ushtarë…”.
3- “Nuk flitet gjithashtu as për aksesin e komunitetit të pedagogëve, studentëve dhe prindërve të tyre në dokumentacionin financiar…”.
4- “…teksa ligji nuk përmend asgjëkundi sesi do të kontrollohet bilanci financiar i universiteteve private që do të shndërrohen në “publike të pavarura dhe pa fitim”, për financat e universiteteve publike përcakton se çdo kokërr leku do të kalojë nën filtrin dhe firmat e administratorëve të emëruar, krahas bordeve të dominuara nga përfaqësuesit e agjensive qeveritare dhe MAS.”
5- “Në vend që në qendër të ligjit të jetë studenti, të jenë cilësia e mësimdhënies dhe ajo e diplomës, vihet në fokus paraja dhe studenti shndërrohet në klient, kurse Arsimi i Lartë shndërrohet në mall, nga shërbim dhe e Mirë Publike.”
6- “Kryetari i grupit të punës për hartimin e Ligjit, z. Gjonçaj, pasi rrëfente për arsimin e lartë britanik, belbëzonte dhe nuk ishte në gjendje të përgjigjej se nga e kish marrë modelin grupi që kryesonte, por ia përcolli stafetën e grandomanisë ministreshës Nikolla, që deklaroi në seancën plenare se “ky ligj është në avangardën e sistemeve evropiane”.”
7- “Në tërësi ligji ia ka arritur qëllimit të ligjhartuesve për të uzurpuar Arsimin e Lartë dhe për t’i shndërruar universitetet në ndërmarrje fitimprurëse që tregtojnë shërbime dhe mallra skarco për tregun e shpartalluar të punës.”
8- “…mund të thuhet lirisht se ligji ka hapur gropën për Arsimin e Lartë shqiptar, sa kohë që politikanët që e ideuan dhe e zbatuan skemën “ligjore”, fëmijët e tyre po i shkollojnë jashtë Shqipërisë, për t’i sjellë më pas këtu si udhëheqës të ardhshëm, bij të denjë të baballarëve udhëheqës të sotëm… Udhëheqës këta që shkëlqejnë me lidershipin e tyre dhe rezultatet ku e kanë katandisur vendin, që shkëlqejnë me tituj akademikë dhe në shumicë pa vepra, apo me vepra plagjiaturë që s’i hyjnë as dreqit në punë.”
Unë vazhdoj të besoj se krahas mendësisë të pushtetarëve, korrupsionit, klientelizmit, mungesës së vullnetit politik pozitiv dhe injorancës, Ligji për Arsimin e Lartë është e zeza e rinisë së sotme por edhe e shoqërisë.
Andaj, duhen mbështetur protestat e studentëve, duke plotësuar 8 kërkesat e tyre, që janë minimale dhe një e drejtë që nuk negociohet apo dialogohet, si dhe maksimalizuar (nga vetë studentët) fruti i tyre.
PS: më poshtë gjeni artikullin e plotë “Antireforma dhe antiligji i arsimit të lartë” botuar me 21/01/2016…
* Organ zyrtar i Partisë Lëvizja e Legalitetit që patëm rifilluam ta nxjerrnim në treg gjatë mandatit tim si kryetar i PLL
—–
Antireforma dhe antiligji i arsimit të lartë
PLL e konsideron arsimin e lartë si një aset publik, si pasuri kombëtare e vyer dhe garante e zhvillimit. E konsideron si fidanishtja ku do të krijohen lidershipi politik, elita intelektuale dhe ajo profesionale, që do të garantojnë mbijetesën e kombit në kushtet e globalizmit dhe zgjidhjen graduale të problemeve madhore, deri tek çeshtja kombëtare. Ndaj PLL e priste me interes të jashtëzakonshëm Ligjin për Arsimin e Lartë, si një normim juridiko-kushtetues, si jetësimi kulmor i filozofisë së universitarizmit, si produkti final i elitarizmit profesional dhe ekspertizës në të gjitha fushat. Por fatkeqësisht, me miratimin e Ligjit me shpejtësi dhe me synime të mbrapshta në fund-sezonin parlamentar të verës së këtij viti (2015), kjo hapësirë publike, kjo ngrehinë institucionale që duhej të mbetej e pavarur dhe domosdoshmërisht e papolitizuar, u pushtua plotësisht nga maxhoranca dhe qeveria aktuale, sipas parimit të Kapjes së Shtetit (state capture).
Projektligji për Arsimin e Lartë u kundërshtua qysh në fillim nga profesorati i universiteteve publike dhe studentët e tyre, por habitshëm dhe me doza diskredituese për frymëzuesit-përfitues dhe qeverinë klienteliste, drafti u mbështet nga pronarët e universiteteve private dhe profesorati i tyre, duke dëshmuar çarjen dhe hendekun e thellë brenda të njëjtës kategori dhe fashë sociale!!? Ky hendek dëshmoi përplasje interesash që shpërfaqën shkakun fundor: rivalitetin midis universiteteve publike e private për fondet publike. Dëshmoi gjithashtu edhe shkërmoqjen e raporteve midis tyre në tregun universitar, tashmë në kushte krize financiare, morale dhe të devijimit nga misioni i shenjtë i universiteteve në një shoqëri me demokraci të brishtë.
Arsyeja është e thjeshtë: triumfoi filozofia fridmanisto-liberale e maxhorancës (së Majtë?!!) për shkatërrimin e mbetjeve të fundit të Publikes në Arsimin e Lartë, në favor të universiteteve private, që tashmë do të financohen me fonde publike si “nonprofit”, pra si jo fitimprurëse, justifikuar me pseudo-parimin që “paraja të shkojë aty ku është studenti, pavarësisht nëse ka zgjedhur universitetin publik apo privat, si fëmijë i qytetarëve taksapagues?!!”.
Kur Milton Fridmani i “Shkollës së Çikagos” propozoi me sukses këtë skemë të financimit të arsimit privat me paratë publike në SHBA-të, ushtroi paraprakisht presion mbi miqtë e tij presidentë të djathtë amerikanë duke i quajtur publikisht “socialistë të thekur”, dhe ia arriti pjesërisht qëllimit!
Po lidershipi i majtë shqiptar në pushtet, përse ka frikë nga fridmanistët liberalë shqiptarë se mos e quajnë “socialist?!”, sa kohë që pretendon se i tillë është!?
Në fakt ky lidership nuk ka frikë nga etiketime të tilla, por i leverdis kjo skemë e kopjimit dhe klonimit të draftit të maxhorancës së djathtë të kaluar, sepse arriti ta realizojë vetë dhe të sigurojë të korrat për “hambarin” ku gjallojnë mijtë e saj, që e kishin dhe e kanë të domosdoshëm pushtetin akademik dhe produktin universitar: si para publike nën kontroll; si brerore plot pupla e margaritarë të “intelektualizmit elitarist” të pretenduar; si truall ku do të vegjetojnë e “ligjërojnë akademikët” narcizistë të lidershipit majtist; dhe si shkallare pushteti plot me tituj akademikë, për akaparimin total e “meritokratik” të administratës dhe mbarë institucioneve të shtetit me klientelë dhe nepotizëm.
Kopjimi dhe vazhdimi i idesë nga maxhoranca e kaluar shpjegoi edhe heshtjen e opozitës në komisione si dhe gjatë fushatës “sensibilizuese” dhe “këshillimore” me “grupet e interesit”, ku çuditërisht u përjashtua nga “këshillimi” profesorati i fakultetit Juridik të UT, i cili ka në gjirin e tij ekspertët më të mirë dhe akademikët më të shquar të fushës, me njohje solide të problemeve juridike dhe arsimore. Akademikë të cilët u zëvendësuan me “grupe interesi” sikurse OJF-të e krijuara nga politika, të financuara edhe nga maxhorancat suksesive, e ku janë punësuar militantë që bërtasin e shkruajnë pafundësisht letra e “raporte” drejt kancelarive perëndimore, me pretendimin se janë “zëri i njimendtë i shoqërisë civile në Shqipëri”.
Ndaj dhe ligji ka nonsense dhe kundërshti të panumërta, është autoreferencial dhe i pashembullt, injoron referimin në Kartat, standardet dhe modelet më të përparuara ndërkombëtare…
Ligji nuk e përmend asgjëkundi Kartën e Bolonjës dhe Marrëveshjen detyruese respektive të Bolonjës si marrëveshje-kuadër kjo e gjithëpranuar në vendet e BE dhe ato aspirante, dhe e ratifikuar nga shteti shqiptar qysh në vitin 2003 për njësimin e programeve, kurrikulave dhe diplomës me tregun europian të punës.
Ligji nuk ka model referimi perëndimor, por është model unikal shqiptar që ngrihet dhe kalon nëpër shtigje të pashkelura, si dikur baballarët… “me zbatimin krijues të teorisë M-L krejt në kundërshtim me teorinë dhe praktikën revizioniste…”.
Por mbi të gjitha, sipas ekspertëve, nga pikëpamja e zbatimit të kritereve dhe teknikës legjislative, ligji i miratuar është një nulitet juridik dhe ulëret si skandal.
Ligji ka karakter të theksuar burokratiko-etatist në raport me autonominë universitare, e cila rrënohet dhe nëpërkëmbet nga bordet dhe agjensitë qeveritare që kontrollojnë dhe vendosin për gjithçka.
Financimi i dikurshëm i universiteteve publike nga shteti, me fonde të destinuara, të cilat përdoreshin për funksionimin e tyre sipas nevojave akademike, tashmë është zëvendësuar nga financimi i copëzuar në fonde e grante konkurruese… Ku të parat përdoren për mbijetesë dhe paga mjerane për personelin akademik, ndihmës dhe administratën, kurse të dytat (grantet), janë llokmat që do të kollofiten nga privatët e konvertuar me ligj në “publikë”, tashmë “jo-fi timprurës”, nëpërmjet projekteve “konkurruese”, ku gjithmonë dihen fituesit (me “prokurim të drejtpërdrejtë”), fitues këta që përflitet se japin 20 përqindshin për miratuesit e granteve.
Dhe dihet se në këtë “treg të lirë” Fridman-ist, me derregullim paraprak ligjor të rregullave të lojës, produkti final do të jetë rritja e skajshme e tarifave studentore në universitetet publike, të cilat edhe sot janë 3 herë më të shtrenjta se ato të universiteteve publike në Kosovën me ekonomi më të varfër se ajo e Shqipërisë.
Sulmi i maxhorancës aktuale mbi skandalet anekdotike dhe kioskat diplomore të liçencuara nga ish maxhoranca, në vend që të shërbente si Atu për formulimin me përgjegjësi të neneve detyruese dhe penalizuese për përmirësimin radikal të programeve, kurrikulave, teksteve dhe cilësisë së mësimdhënies, (si garanci për produkt me cilësi të lartë dhe standarde bashkëkohore) – shërbeu thjesht si alibi për të përligjur kontrollin qeveritar mbi pseudo-autonominë universitare dhe financimin e Arsimit të Lartë… Shërbeu si koperturë e grisur mbi gërmadhat e projektuara, teksa akreditimet, rankimet dhe kontrollet me ekspertizë mbi mësimdhënien dhe punën shkencore janë injoruar në të gjithë praktikën dy-vjeçare të MAS dhe kudo përfliten si legjenda me agjensi të huaja ekspertize, ndërkohë që në uebsajtin e MAS dhe dokumentacionin e saj shumica e universiteteve publike janë të paakredituara.
Në ligj, filtrat e cilësisë dhe akreditimi e rankimi, kalohen shkarazi thjesht me përmendje si nocione, (madje edhe në relacionin shpjegues), pa përkufizime konceptuale, pa përcaktim të masave administrative dhe pa penalitete ligjore.
Ligji i shndërron universitetet publike në kazerma ku gjallesat në to quhen ushtri me komandantë e ushtarë që kanë vetëm kambale e rrypa, por ku askush nuk u kërkon llogari për përgatitjen, përveçse për rreshtoren, e cila është komponenti kryesor vlerësues i shpurës së “oficerëve të shtatmadhorisë” (administratorëve dhe anëtarëve-shumicë të bordeve, të emëruar që të gjithë nga MAS, pra nga Qeveria).
Në ligj shmanget habitshëm krijimi i normave juridike për transparencën financiare dhe verifikimin e përgjegjësisë në administrimin e vlerave monetare të universiteteve private që do të shndërrohen në publike. Nuk flitet gjithashtu as për aksesin e komunitetit të pedagogëve, studentëve dhe prindërve të tyre në dokumentacionin financiar, me qëllim që këto ente që do të përfitojnë fonde publike nëpërmjet projekteve dhe granteve të rezultojnë doemos jo fitimprurëse për pronarët, dhe fitimi i mbetur të kanalizohet për përmirësimin e cilësisë dhe ngritjen e infrastrukturës ndihmëse për procesin mësimor.
Pra teksa ligji nuk përmend asgjëkundi sesi do të kontrollohet bilanci financiar i universiteteve private që do të shndërrohen në “publike të pavarura dhe pa fitim”, për financat e universiteteve publike përcakton se çdo kokërr leku do të kalojë nën filtrin dhe firmat e administratorëve të emëruar, krahas bordeve të dominuara nga përfaqësuesit e agjensive qeveritare dhe MAS.
Ligji që përmend shpesh punën kërkimore e shkencore (që kërkon financim të fuqishëm, dhe jo shkurtim), nuk përmend askund Akademinë e Shkencave dhe institutet në vartësi të saj (që nuk arritën të futen nën çatinë e universiteteve), institucione shkencore këto që tashmë, me shfuqizimin e ligjit paraardhës, kanë mbetur pa koperturë ligjore dhe funksionojnë sipas parimit anarkist “bjeri kah të duash e të dalë si t’ia ketë qejfi …”.
Në vend që në qendër të ligjit të jetë studenti, të jenë cilësia e mësimdhënies dhe ajo e diplomës, vihet në fokus paraja dhe studenti shndërrohet në klient, kurse Arsimi i Lartë shndërrohet në mall, nga shërbim dhe e Mirë Publike.
Standardi unik dhe etatist që imponon ligji bie ndesh me parimet e BE për diversifikimin e programeve, kurrikulave, dijeve universitare dhe produktit shkencor (tejet të propaganduar) të institucioneve dhe bërthamave shkencore që u janë atashuar universiteteve.
Kryetari i grupit të punës për hartimin e Ligjit, z. Gjonçaj, pasi rrëfente për arsimin e lartë britanik, belbëzonte dhe nuk ishte në gjendje të përgjigjej se nga e kish marrë modelin grupi që kryesonte, por ia përcolli stafetën e grandomanisë ministreshës Nikolla, që deklaroi në seancën plenare se “ky ligj është në avangardën e sistemeve evropiane”.
Dhe megjithëse kryeministri Rama ironizoi “profesorin e SHQUP-it” që kish mbuluar me udhëheqësi temash të doktoraturave 41 kandidatë, anashkaloi faktin se ka dy vjet që janë bllokuar regjistrimet për doktoraturat në universitetet publike, vetëm e vetëm që kjo mundësi t’i jepet një universiteti privat, klient i Qeverisë, në të cilin afro 20 profesorë kanë drejtuar për dy vjet 300 tema doktoraturash, duke i mundësuar këtij universiteti arkëtimin e shumës 2 milionë euro.
Miratimi i ligjit dëshmoi se forca e kartonit dhunoi hapur kritikat dhe oponencën, ndërsa deputetët që e mbrojtën pa asnjë vërejtje morën përsipër të bënin ekspertin, pasi më parë, në komisionin parlamentar, kishin mbyllur veshët për kriticizmin dhe po shkruanin hartimet për gjenialitetin e Qeverisë.
Ligji nuk flet asnjë fjalë për të drejtat sociale të pedagogëve e studentëve dhe të drejtën e organizimit sindikal të pedagogëve…, ndërkohë që përmend deri në lodhje faktin se ata kanë të drejtë të lidhin veçse kontrata individuale me rektorët, të cilët, kur t’ua ketë qejfi, mund t’i zgjidhin këto kontrata punësimi në mënyrë të njëanshme.
Sipas ligjit, asnjë vendim i rektorit ose i dekanit për çështje akademike, nuk mund të hyjë në fuqi pa miratimin e bordeve të administrimit, të kontrolluara nga ministria e Arsimit dhe burokracia shtetërore.
Ligji në mënyrë absurde ia delegon të drejtën për karrierën akademike dhe dhënien e titujve të profesoraturës vetëm senatit akademik të brendshëm, çka mundëson që nëpërmjet imponimit, të punësuarit si pedagogë nga maxhoranca në pushtet të marrin me lehtësi titujt “Profesor” dhe “Profesor i Asociuar”, pa oponencë të profesoratit mbarëkombëtar.
Ligji gjithashtu iu heq kompetencat kolektive profesorëve, që nëpërmjet këshillit të tyre të drejtojnë jetën shkencore të fakulteteve dhe nuk përcakton nominalisht se cila është instanca që shpërndan grantin për fusha të ndryshme të shkencës, mësimdhënies, kërkim-zhvillimit, etj…
Gjithashtu ligji nuk specifikon kriteret që shërbejnë për të matur cilësinë e arsimit të lartë dhe performancën e institucioneve arsimore, duke lënë të nënkuptohet se kriteret e tanishme do të vazhdojnë të drejtojnë arsimin universitar shqiptar.
Nga pikëpamja sintaksore ligji është formuluar keq, është konfuz dhe i lodhshëm në të kuptuarit dhe të dalluarit e mbivendosjeve e ambiguiteteve konceptuale.
Duket qartë se hartuesit kanë synuar të krijojnë hapësira për interpretim dhe lënie të shumicës së normativave detyruese e zbatuese në dorë të VKMve dhe akteve nënligjore arbitrare. Akte këto të lëna që të imponohen nga instancat vendimmarrëse administrative e shtetërore jashtë universiteteve dhe pa oponencën e shqyrtimin kritik të profesoratit, duke rrënuar kësisoj demokracinë universitare dhe të drejtën për të dhënë mendim për çështjet kryesore të universiteteve nga subjektet thelbësore të ligjit, që janë studentët dhe pedagogët.
Në tërësi ligji ia ka arritur qëllimit të ligjhartuesve për të uzurpuar Arsimin e Lartë dhe për t’i shndërruar universitetet në ndërmarrje fitimprurëse që tregtojnë shërbime dhe mallra skarco për tregun e shpartalluar të punës.
Nga kjo pikëpamje mund të thuhet lirisht se ligji ka hapur gropën për Arsimin e Lartë shqiptar, sa kohë që politikanët që e ideuan dhe e zbatuan skemën “ligjore”, fëmijët e tyre po i shkollojnë jashtë Shqipërisë, për t’i sjellë më pas këtu si udhëheqës të ardhshëm, bij të denjë të baballarëve udhëheqës të sotëm… Udhëheqës këta që shkëlqejnë me lidershipin e tyre dhe rezultatet ku e kanë katandisur vendin, që shkëlqejnë me tituj akademikë dhe në shumicë pa vepra, apo me vepra plagjiaturë që s’i hyjnë as dreqit në punë.
Me këtë ligj pushtetarët e djeshëm e të sotëm ia kanë arritur që, brenda disa vitesh, të nxjerrin totalisht jashtë konkurrimit në tregun europian të punës të diplomuarit tanë dhe t’i sigurojnë Shqipërisë vendin e fundit në zhvillimin ekonomik të rajonit dhe mbarë kontinentit, krahas mjerimit të projektuar, në favor…