Një sipërmarrje subversive apo koha kur Bukuria ishte derdhur rrugëve?
Nga Philipe Beneton dhe Jean Touchard, publikuar për herë të parë në Revue francaise des sciences politiques, Verë e vitit 1970
Përktheu nga anglishtja Elvis Zaimi
Pashmangshmërisht, shpjegimi më i parë dhe më tunduesi që të vjen ndër mend, është se ngjarjet përfaqësonin një komplot. Gjenerali De Gaulle, I cili do të ofronte më vonë një shpjegim më të gjerë për krizën-duke thënë se “nuk duhet të marrim një pamje më të ngushtë nga ajo që është një çështje e madhe”- në fillim, më 30 Maj 1968 do të deklaronte se: ” Franca…po kërcënohet nga një diktaturë. Ka nga ata që duan ta detyrojnë atë të dorëzohet përpara forcave që kërkojnë të imponohen në mes të klimës shpirtërore të një dëshpërimi kombëtar, nga një fuqi që dukshëm do të dilte e fituar prej këtej, me fjalë të tjera nga totalitarizimi komunist”.
Disa muaj më vonë, në mars 1969, Presidenti do t’i kthehej po të njëjtit shpjegim:
“Për thuajse dy muaj puna është ndërprerë sistematikisht gjithandej. Për shkak të këtij konfuzioni të llahtarshëm, i cili për shumë njerëz shkoi deri në caqet e një dëshpërimi, ne shohim sot autorët kryesorë të ngrenë krye kundër Republikës, të shoqëruar përkohësisht nga një tufë ëndërrrimtarësh që janë të gastshëm t’u shkojnë pas, nga njerëz ambiciozë dhe me shpirt hakmarrës, me synimin fillestar të marrjes së pushtetit, dhe më pas për t’i imponuar kombit një totalitarizëm shtypës. Ne e dimë tashmë të gjithë sesi u shmang kjo sipërmarrje e gjerë shkatërrimtare dhe subversive, në saj të kohezionit të regjimit dhe besimit të madh të shprehur nga populi tek ai, kur unë i bëra thirrje popullit për ta shfaqur këtë besim; fillimisht nëpërmjet marshimeve dhe demonstrative, dhe më pas edhe në zgjedhje”.
Në qershor 1968, z. Georges Pompidou, I cili nuk e kishte pasur ende kohën e nevojshme për të analizuar krizën e rinisë, siç do të bënte në San Francisco në shkurt 1970, theksoi përgjegjësitë e një “partie totalitare’.
“Në radhë të parë, juve do t’ju vijnë ndër mend grupet profesionale subversive-enrages, kokat e nxehta, anarkistët-të rinj dhe studentë të futur në rrugë të shtrembër, nën perden e solidaritetit. Dhe pas tyre vjen aparati I një partie totalitare që u është bashkuar atyre, duke u përpjekur që pas kësaj të marrë kontrollin e rrugëve, të ndalë aktivitetin ekonomik, dhe, më së fundmi, t’i hapë derën kërkesës për marrjen e pushtetit”.
Nëse kryeministri e përqëndroi vëmendjen, për qëllime të fushatës elektorale. tek qëndrimi i Partisë Komuniste, Ministri i Brendshëm ishte veçanërisht I zellshëm në demaskimin e grupeve revolucionare, “objektivi I vërtetë i të cilave ishte përmbysja me forcë e qeverisë, si dhe shkatërrimi i demokracisë dhe institucioneve republikane”
“Prej disa vitesh, tashmë, disa parti revolucionare-Trockiste, Kastroiste, Maoiste- janë duke u organizuar në vendin tonë. Këto lëvizje revolucionare, së tepërmi sektare, shumë aktive, duke praktikuar dhunën, ku secila syresh bën bashkë nga 1000 deri në 3000 militantë-kanë për qëllim të tyren marrjen e pushtetit politik. Për arritjen e këtij qëllimi atyre do t’u shërbente çdo mjet, grevat kryengritëse, pushtimi i shërbimeve publike, demonstratat në rrugë, përleshjet.
Këto grupe të reja revolucionare luajtën një rol vendimtar në demonstratat dhe përleshjet e fundit të Majit”.
Opinionet ndryshonin nga njëri ministër tek tjetri. Nëse M.Marcellin dënonte me forcë agjitatorët që shfrytëzonin të rinjtë, M.Edgar Faure, prerazi dhe në mënyrë autoritare, hidhte poshtë teoritë konspirative: “Veprimet e studentëve dhe agjitacioni nuk mund të shpjegohen vetëm nëpërmjet energjive të një grushti prijësish të tyre, as me qëndrime nihiliste, dhe as me shijen që të ngjall dhuna.Në zanafillën e këtij zemërimi gjendet një malaise e thellë”.
Këto pohime të paqëndrueshme dhe të papajtueshme në logjikën e tyre, vështirë se e ndriçojnë teorinë për ekzistencën e një konspiracioni. Konspiracion-po për cfarë lloj konspiracioni ishte fjala? (vijon)