Home KRYESORE Nikollaq Neranxi: Ju tregoj skemën e Kalit të Trojës në Himarë me...

Nikollaq Neranxi: Ju tregoj skemën e Kalit të Trojës në Himarë me kalorës Edi Ramën dhe Omonian

Përballë grabitjes së madhe, himariotët u sollën si humbës të mëdhenj!

Nga Nikollaq Neranxi

Një VKM e Edi Ramës së bashku me një projektligj, të hartuara javët e fundit, vendosin përfundimisht grabitjen e pronave të himariotëve! Grabitja bëhet për arsye se ata nuk i kanë akoma të hipotekuara pronat, kështu që ligji iu a merr dhe vendimi i shtetëzon, për t’ju a dhuruar më pas investitorëve strategjikë me të cilët pushtetarët ndajnë llokmat! Pra le të themi që këto vendime, shuajnë edhe shpresën e fundit të himariotëve se një ditë mund t’i merrnin pronat e tyre!

Por kjo nuk është gjëma më e madhe që po iu ndodh! E keqja më e madhe është se ata nuk e kanë kuptuar akoma pse po iu ndodh! Absurd akoma më i madh është fakti se ata vijojnë të besojnë vetëm në një rrugë, për të marrë atë që iu takon, nëpërmjet shtetit grek, me ndërmjetësimin e Omonias! Dhe kanë 28 vite që zgjedhin vetëm këtë rrugë edhe pse kanë po kaq vite që nuk gjejnë zgjidhje!!!

Kemi një rast të freskët fare që flet më mirë se çdo arsyetim. Pak javë më parë, firma Gjikuria (miqtë e Ramës) u trimërua dhe solli fadromat në oborret tona, paçka se projekti i rikualifikimit urban është në proces gjyqësor nga Shoqata për Mbrojtjen e Pronave, Shtëpive, Historisë dhe Kulturës Himarë më Kryetar Nikollaq Neranxin. Projekti rifilloi në mënyrë të jashtëligjshme sepse për të firmosi Fred Beleri, i cili nuk ka fare pronë në Spile, si dhe disa anëtarë të tjerë të Omonias. Dhe përsëri, po ky që firmosi që të grabiten tokat tona, po ju tregon hartat e tokave që do ju grabiten nga Rama dhe madje, tani bën si i shqetësuar dhe po takon politikanë grek për të gjetur gjoja zgjidhje!!! Estradë 28 vjeçare që me thënë të drejtën, i ka dalë boja!

Po si ka mundësi more himariotë që vazhdoni të besoni akoma mashtrues dhe pazarxhi të pronave tuaja, edhe pasi shihni firmat e tyre të hedhura kundër jush, si ka mundësi që besoni akoma tek tradhtarët? Si ka mundësi që shkoni akoma në të njëjtat rrugë të gabuara në të cilat në 28 vite nuk gjetët zgjidhje? Nuk e kuptoni që jeni përdorur në mënyrën më të shëmtuar, ju kanë tallur sa kanë dashur dhe në fund nuk ju kanë shërbyer për asgjë?

Ato njollat e kuqe në harta, të cilat tregojnë për grabitjen masive të pronave të banorëve autoktonë të Bregut,(në Himarë nuk ka asnjë centimetër tokë shtetërore), brenda pak vitesh do të kthehen në resorte luksoze. Aty do kenë pjesë të gjithë ata që negociuan për këtë mega grabitje; politikanë shqiptarë e grekë si dhe sekserët e tyre në Omonia apo gjetkë, ata që ju vunë në gjumë me premtime boshe. Vetëm ju, pronarët e vërtetë s’do keni asgjë, përveç një emri të madh që trashëguat dhe që nuk ditët ta çonit përpara me dinjitet!

Shikoni një shembull të thjeshtë të asaj çfarë po ndodh këto ditë! Janë ngritur studentë 20 vjeçarë në protestë dhe i bëjnë presion për ditë kryeministrit sepse nuk duan më të vidhen dhe t’ju mohohen të drejtat. Rama është kthyer në një klloun televiziv, i kapur mat para syve të publikut dhe ai e di mirë se në këto situata presioni popullor, ka dy rrugë: ose do të plotësojë kërkesat, ose do të lërë karriken. Kur një student e pyeti, pse nuk na i plotësove kërkesat kur e dije që ne kishim të drejtë, Rama iu përgjigj: “Sepse ju nuk u ankuat”!

Kjo është e vërteta himariotë! Ju pritët që pronat t’ju a kthejë Greqia, prandaj nuk u bashkuat kurrë, që të ishim të shumtë në numër e t’i bënim presion institucioneve shqiptare për të marrë atë që ishte e jona! Madje rruga që ju zgjodhët, e bëri shumë antipopullore kauzën tuaj, edhe pse kishit të drejtë, pasi dihet që në këto raste duhet mbështetje. Edhe kjo është bërë me qëllim, ka qenë një strategji që t’ju sabotojnë. Sa keq, tërë këto vite, keni pasuruar kaq shumë njerëz, të cilët bënë pazar në kurriz të pronës tuaj!

Si himariot, ish deputet, sipërmarrës i rëndësishëm, aktivist i shoqërisë civile me profil publik, jam munduar shumë që t’ju bind e t’ju hap sytë për të zgjedhur rrugën e duhur. Foltoren e Parlamentit e përdora sistematikisht për të denoncuar grabitjen e pronave në Himarë. Në gusht të vitit 2008, si deputet, erdha dhe ju kërkova të bashkohemi sepse vjedhja kishte filluar. Më bëtë antimiting me në krye Omonian e Bollanos.

Në vitin 2014, u futa në mbledhjen e Dules në Himarë ku diskutohej për Reformën Territorialë dhe ju jam lutur të mos pranonit të bashkoheshit me askënd, pa marrë pronat më përpara. Nuk e bëtë, sepse kështu ju porositi Omonia dhe Greqia! Vetëm, kur dy vite më parë, u vendos për grabitjen e pronave tuaja në Kuç, e kuptuat përse duhej kundërshtuar. Kaluat në minorancë në pushtet vendor dhe nuk mund të vendosni më për fatin tuaj, kaq e thjeshtë ishte për tu kuptuar!

Ju kam bërë thirrje pa pushim këto tre vitet e fundit për bashkim pavarësisht bindjeve, pasi Rama filloi grabitjen masive, por ju prisnit që pronat t’i merrnit në Greqi!

Unë i bëra një letër të hapur Ambasadores Greke në Tiranë para një jave, ku e pyeta se cili ishte roli i saj në grabitjen e fundit në Himarë, aty ku Beleri tha se firmosi me bekimin e Ambasadës greke. Asnjë përgjigje nuk mora ose më saktë nuk morët. Sepse pyetjen publike e bëra për ju, jo për vete, sepse unë tashmë i di të gjitha përgjigjet dhe rolin e gjithsecilit. Heshtja e Amasadores për letrën, flet më shumë së fjalët…

Duke e mbyllur, nuk më mbetet gjë tjetër, veçse t’ju përcjell keqardhjen time për ju, sepse nuk e kuptuat kurrë forcën tuaj, ndërkohë unë do vijoj rrugën time siç kam bërë gjithmonë, luftarak dhe i vendosur. Ato VKM e ligje grabitëse, do t’i çoj në të gjitha gjykatat e mundshme dhe pronat të cilat janë amanet i të parëve të mij, nuk ka burrë nëne të mi prekë.

Himariotë, historia ju vendosi para një prove shumë të vështirë, por ju e humbët shansin që ta shkruanit atë copëz historie me lavdi!/panorama.al

Share: