Kam ditë që vërej prej së largu. E ndoshta pikërisht pse prej së largu, shoh ndoshta pak më qartë ngaqë e papërfshirë në emocionet lokale (o thuajse e papërfshirë).
Kërkohet anullimi i Ligjit për Arsimin e Lartë. E pra, me vetëdije pedagogjike dhe legjislative, dhe pa kurrfarë interesi se siç e dini tashmë i përkas një tjetër bote universitare dhe nuk i përkas më as botës legjislative shqiptare, me bindje dhe vetëdije të plotë ju them se LIGJI PËR ARSIMIN E LARTË ËSHTË LIGJI MË I MIRË QË KA PRODHUAR DHE VOTUAR NDONJËHERË PARLAMENTI SHQIPTAR!
Është ligj elegant e modern, që u mbrujt nga vullneti futurist për t’i nxjerrë Universitetet Publike nga gjendja e Dializës ku ndodhen ende e lëngojnë prej kohësh, e për t’i bërë konkurruese. Decentralizues si gjithë Europa. Me synim liberalizimin dhe garën shkencore, si gjithë bota.
Ligji ka vetëm një të metë: ka të metën që pati Princ Vidi kur iu desh të qeveriste Shqipërinë e dumbabistave. Edhe ky ligj ngjan “i keq” ngaqë është tejet në minorancë në krahasim me shumicën tejet të ngurtë universitare, që ligjit i ka rënë halli të rregullarizojë. Më kuptoni? Ngaqë shumica është shumë dhe është masë e frikshme për t’u lëvizur, atëherë le t’ja lëmë fajet dhe munxët ligjit që na e nxori shumicën lakuriq, kështu hë?!
Mos e demtoni Ligjin! Do ta kërkoni! Shikoni mbase Aktet Nënligjore, ato besoj duan ca ndreqje. E sidomos çoni përpara shumicën! Nuk zgjidhet duke çuar mbrapa pakicën, pra Ligjin.
Forca kolegë, nuk mund të rrini gjithë jetën lidhur pas një makine! Nuk jeni në koma! Jeni gjallë, shpresoj! Çohuni e vraponi me ritmin e Ligjit! Është perfekt! Me ndreqjen e akteve, bëhet xixë!