Home KRYESORE LAKRORI! Nga Agim Xhafka (Tregimi i Krishtlindjes.)

LAKRORI! Nga Agim Xhafka (Tregimi i Krishtlindjes.)

Nëna ime,si gjithë gratë korçare,i qante lakrorët. E them me të qeshur se mbase edhe kur ishim bebe me byrek na konin. Çdo të djelë ishte mbi tavolinë tepsia e si zogj zgjatnim pjatat drejt nënës. Merrnim nga një ngastër sa një arë e shija,oh shija,na bënte të lumtur. Nëna ka qënë shumë e bukur,por në ato çaste as me Sofia Loren nuk e krahasoja. Yll më ngjante,yll.
Nga fundi,ne fëmijët hidhnim një sy nga një pjesë e ngelur.
-Doni prapë?
Nuk përgjigjeshim,rrëmbenim të tre nga një copë. Bënim sikur e nisnim e thoshim:
-U ngopëm. Po e lemë për nesër.
Shkonim dhe e fshihnim në vende të ndryshme. Une pas ca librave në bufe. Vëllai e motra kishin vendet e tyre.
Çdo të hënë çoheshim herët e…sa dilte babai tek dera për të ikur në punë ne i zgjatnim në një kohë copat e lakrorit mbështjellë me gazetë. Në fillim atij iu njomën sytë e na puthi e përqafoi. Më pas nuk kishte befasi,por e donte shumë dashurinë që i falnim. Nuk ngopej me ne.
Pas shumë vitesh,kur u rritëm krijuam shtëpi më vehte. Takoheshim jo dendur. Rasti e solli të jemi unë dhe prindërit . Babai në fund të drekës rrëmbeu copën e lakrorit qē ngeli. Sa e preku,na tha
-Po e le për më vonë.
Të nesërmen,kur po përqafoheshim, se do ikja në Tiranë,më la në dorë lakrorin mbështjellë me letër gazete.
Sikur më fali botën. U ndjeva sërish fëmijë dhe veç e puthja. Ende ruaj atë aromë të mirë që shpërndan faqja e një babai. Aromë jete plot ngrohtësi e dritë.

Share: