Home KRYESORE “Ideja e Universitetit” (1959), nga Karl Jaspers (1883-1969) Pjesa e dyte!

“Ideja e Universitetit” (1959), nga Karl Jaspers (1883-1969) Pjesa e dyte!

Përktheu nga anglishtja, Elvis Zaimi

“E ardhmja e universiteteve tona, përsa kohë asaj do t’i jepet një shans, qëndron në përtëritjen e shpirtit krijues që i ka pjellë ato” Karl Jaspers

Preokupimi i dytë i Universitetit natyrisht se është mësimdhënia, sepse e vërteta edhe duhet të transmetohet. Të kuptuarit, për më tepër, presupozon jo vetëm pjekurinë intelektuale të mendjes, por të të gjithë njeriut. Kështu pra që, së këndejmi rrjedh se mësimdhënia dhe kërkimi duhet të synojnë më shumë sesa vetëm transmetimin e fakteve të thata, dhe të aftësive. Ato duhet të synojnë në formimin e njeriut në tërësinë e tij, në arsimimin në kuptimin më të gjerë që mund të marrë ky term. Të shpërfaqësh hartën e konceptit të universitetit do të thotë të kërkojmë ta orientojmë veten tonë drejt një ideali, të cilit edhe në rastin më të mirë vetëm se mund t’i përafrohemi. Për këtë, do të veprojmë në tri mënyra.

Së pari, ne do të shqyrtojmë natyrën në përgjithësi të jetës intelektuale, një nga format e të cilës realizohet në universitet. Së dyti, do ta kthejmë vështrimin për të shqyrtuar përgjegjësitë e qenësishme të realizimit të jetës intelektuale brenda formës koorporative në universitet. Së fundmi, do të shqyrtojmë themelet konkrete të universitetit dhe sesi këto e ndikojnë funksionimin e tij.

Nëse universiteti i shërben shkencës dhe dijes, dhe nëse këto dy të fundit kanë kuptim për sa kohë mbeten pjesë e një jete intelektuale gjithpërfshirëse, atëherë kjo jetë intelektuale është vetë gjaku jetësor që rrjedh në venat e jetës universitare. Jeta intelektuale mund të marrë shumë forma, por ajo që ndodh brenda universiteteve është e karakterizuar nga një bashkëpunim i institucionalizuar dhe i rregullt ndërmjet dijetarëve. Në këtë mënyrë, për ta kuptuar idenë e universitetit dhe të formave të tij institucionale, na duhet të themi diçka rreth jetë intelektuale në përgjithësi, si dhe rreth karakterit të shkencës dhe dijes në veçanti.

Shkenca dhe dija përfaqësojnë një lloj njohurish të cilat janë metodike, bindëse për nga argumentat, dhe të vlefshme universalisht. Le të vemë në diskutim, duke u përpjekur të trajtojmë secilën nga këto tri karakteristika të njohurive shkencore. Para së gjithash, shkenca dhe dija janë të pandashme nga një lloj “sensi i metodës”. Subjekti me të cilin unë jam duke punuar i përcakton nga vetja mënyrën sesi unë duhet të shkoj drejt rezultateve. Metoda ime përcakton këndvështrimin dhe kufijtë e materialit me të cilin jam duke punuar. Puna intuitive jometodike dhe pranimi në mirëbesim jokritik i ideve , janë saktësisht e kundërta e mendimit shkencor. Edhe pse çfarë mund të pranohet në këtë mënyrë mund të ndodhë të jetë edhe e vërtetë, kjo nuk e bën pranimin jokritik të ideve më pak joshkencor. Një njohuri e tillë është në fakt një lloj besimi supersticioz apo “adhurimi mirëdashës” i shkencës . Përsa kohë unë nuk kam kontrollin e ideve të cilat i pranoj, unë mund të bie viktimë e pambrojtur e këtyre ideve. Dija e ruan relativitetin e saj vetëm kur ne e kuptojmë metodën me të cilën u arrit, kur ne kuptojmë këndvështrimin dhe domethënien e saj. Nëse në nuk I kualifikojmë “faktet” në këtë mënyrë, ato mund të shndërrohen dhe arrijnë të bëhen absolutisht mashtruese.

Së dyti, dija shkencore është bindëse në sajë të argumentimit. Lloji i dijes të cilën unë mund ta kuptoj shkencërisht është thjesht dhe vetëm një çështje e të arsyetuarit dhe provuarit në mënyrë racionale. Ajo është e drejtë përsa qëndron, dhe tej kësaj nuk kërkon ndonjë përkushtim shtesë personal prej meje. Bindja është saktësisht e kundërta e kësaj forme të njohjes. E vërteta për të varet nga përkushtimi im personal ndaj saj, domethënë nga pikëpamjet e kushtëzuara dhe të formësuara nga rrethanat dhe marrëdhëniet e jetës time. Kjo është arsyeja përse Galilei u tërhoq mbrapsht, por me një shprehje kuptimplote, përpara Inkuizicionit. Pasi tërhoqi hipotezën për lëvizjen e Tokës, atij i njihet për nam të mirë të ketë thënë “Prapëseprapë, ajo rrotullohet”. Kjo i përgjigjet si e vërtetë frymës dhe jo gërmës të asaj ngjarjeje historike. Galileu e dinte se mohimi i tij nuk mund ta ndryshonte të vërtetën).Nga ana tjetër, tek Xhordano Bruno, gatishmëria për të bërë koncesione dhe për të tërhequr pjesët jothelbësore të doktrinës, shkoi dora-dorës me një refuzim heroik për të mohuar bindjet e tija më themelore filozofike. E vërteta e tyre, për shkak se nuk ishte bindëse në një rafsh të pastër teorik, do të ishte refuzuar nëse Bruno do të kishte zgjedhur t’i përgënjeshtronte.Kështu pra, e vërteta e tyre nuk ishte ende provuar sipas metodës shkencore për t’u treguar “si e vërtetë”, derisa të provuarit gjeti shprehje e në mbështetjen entuziaste dhe të patundshme të filozofit.

Së treti, gjetjet shkencore kanë vlefshmëri universale. Kjo do të thotë se bindja e krijuar mbi vërtetësinë e tyre mund të verifikohet nga kushdo. Për shkak të kësaj, përhapja e dijes shkencore është e aftë të ketë të njëjtën shtrirje me hapësirën ku është i pranishëm botëkuptimi dhe perspektiva shkencore. Konsensusi e shenjon vlefshmërinë universale. Në këtë mënyrë e vërteta shkencore mbizotëron sa herë që njerëzit mendojnë në terma shkencore. Në filozofi është e dukshme se kjo vlefshmëri universale. mungon. Është e drejtë të shprehemi kështu sepse nëse një bindje e caktuar filozofike do të ishte detyruese sa për t’u pranuar dhe fituar respekt universal, ajo nuk do ta kishte të nevojshme përkushtimin tim personal ndaj saj. Anasjelltas, relativiteti i dijes shkencore është I lidhur me pranimin universal të saj. Kërkimi nuk mund të shënojë përparim nëse gjetjet e tij, të afta të të bindin me argumenta të vlefshme universalisht, do të ishin të vlefshme edhe në një kuptim absolut.

Share: