Përpjekjeve për tu katapultuar në postin e kryetarit të Republikës përmes manipulimit të popullit, por edhe keqpërdorimit të SHBA-ve dhe aleatëve tjerë, duket se po ju vie fundi.
Nga sadri RAMABAJA
Prishtinë, 4 shkurt – Goditja e ashpër e Zeusit erdhi në një ditë të mirë e me diell të fillimshkurtit. Pikërisht më 3 shkurt, pa u mbushur 24 orë nga çasti, kur Hashim Thaçi kishte lansuar gënjeshtrën e radhës. Mesazhi ishte i qartë. Tronditës. Ai nuk erdhi as nga Mali i Tomorrit, as nga Olimpi antik, por nga Arbëria, kjo lagje e Prishtinës e shndërrruar kaherë në “fron të perendive”.
Dhe Zeusi foli kësaj radhe pa përdorë gjuhën e diplomacisë që ia kërkon misioni, detyra zyrtare. Nuk kishte si flet ndryshe, meqë e kishte të qartë se sërish, me qëllim, do të keqinterpretohej nga “orakujt-filozof” të Prishtinës. Të tillë orakuj ka vite që i shërbejnë pretendentit për fronin e “mbretit”, alias “presidentit”, këti “lideri historik” që për shumëçka është vetë turpi i Kosovës!
Njëri nga këta orakuj, po atë natë që shefi i tij shpërfaqte gënjeshtrën e radhës, po deklamonte një të pavërtetë që kishte të bënte me qëndrimin e pushtetit ndaj opozitës. Pushteti, në raport me opozitën, sipas këtij kuazi-ideologu, na paska vepruar në frymën e filozofisë kristiane!
Ky i mjerë, nuk mund ta marrë me mend se pamjet që ishin shpërndarë më 28 Nëntor me rastin e ndërhyrjes së njësiteve elitë të policisë në zyrat e VV, kishin krijuar iritimin të madhë, madje gjithandej në botën demokratike. Ky iritim u reflektua më së miri në protestën e 9 janarit , por edhe te vëzhguesit e organizatave të jashtme të angazhuara për vlerësimin e këtyre raporteme – si Freedom House, Amnesty International etj.
Kjo e fundit në raportin e saj të rregullt dënoi ashpër intervenimin e policisë në zyrat e VV, madje i bëri thirrje Mekanizmit Parandalues Nacional që menjëherë të hapë hetime mbi sjelljen e policisë.
Veprimi i policisë, njësive speciale, solli në kujtesën e shumëkujt akte që i ngajnin skenave të Gestaposë në natën e Kristaltë të 30 janarit gjerman, të vitit të largët 1933, kur Hitleri qe inauguruar si kancelar dhe falangat e tij donin të bënin rrafsh me tokë: zyra, shtëpi e çdo gjë që posedonin hebrejtë, ndërkaq kundërshtarët politik i detyronte të mbyllin gojën ose të merrnin arratinë.
Kur shteti vihet në shërbim të individit
Pasuesi i denjë i të ashtuquajturit “president historik”, duke përdorë po të njejtën strategji që kishte përdorë ai, sa herë kthehej nga vizitat që bënte në Perendim, në vitet -90-ta, e që për qëllim kishin vazhdimin e mabjtjes së Kosovës në gjendje kome, po harron se Kosova tashti ka kaluar kalvarin e luftës shekullore me Serbinë, ka shijuar ëmbëlsinë që ta jep Liria, qoftë edhe e dozuar, dhe se strategjia e tillë më nuk pin ujë.
Shkalla e mjerimit intelektual të kësaj lagjeje filozofësh-orakuj, që i shërbejnë qëllimeve të pretendentit të fronit të “presidentit”, tashmë ka kapur majat e absurdit. Kjo nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ka më shumë se tri dekada që në Kosovë etika dhe morali janë zhveshur tërësisht nga politika. Shih për këtë, është pikërisht kjo lukuni të ashtuquajturësh ideologë të denjë për t’ u cilësuar si produkt i shkollës gebelsiane, që ishte pajtuar të arsyetojë edhe marrëveshjen e 19 prillit 2013 dhe ato pasueset të 25/26 gushtit 2015, pavarësisht se e dinin që kështu po cënohej rënd sovraniteti i Republikës dhe e ardhmja e saj.
Ky turp historik, nuk kishte si të mos na risillte në kujtesë, madje me të drejtë legjitime, marrëveshjen e Esat Pashës me Nikolla Pashiqin (Shtatorit 1914), por edhe faktin që për tetë vjetë rresht po jetojmë epokën e errët, kur shteti vihet në shërbim të individit.
Pranvera po afron
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i përkrahin institucionet demokratike të Kosovës, duke përfshirë procesin e zgjedhjes së presidentit. SHBA-ja nuk e përkrah asnjë kandidat individual për president apo për ndonjë post tjetër që zgjidhet”, ka thënë zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Philip Drewry, në përgjigjen e tij për “Kohën Ditore”.
Të rikujtoj se një deklaratë, që ishte në masë të madhe po në këtë frymë, ishte edhe ajo e z.Ruari O’Connell, ambasador i Britanisë së Madhe. Ajo i servirej opinionit publik shqiptar si një përpjekje për të shfajsuar trupin diplomatik dhe vetë Quintin, pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe protestës masive të 9 janarit.
“Deri më tash asnjëherë nuk ka pasur transparencë në mes të Qeverisë, Kuvendit dhe qytetarëve. Ka ardhur koha që të ketë një të tillë, për të mundësuar funksionalizimin e demorkacisë së mirëfillt”, qe shprehur drejtpërdrejt z. O’Connell.
Nëse deklarata e z O’Connell mund të konsiderohej si hapi i parë, kjo e zëdhënësit të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Philip Drewry, është hapi i dytë që po e bën diplomacia për t’ia treguar vendin qeverisë Mustafa/Thaçi.
Miqtë tanë tashmë e kanë të qartë se, uragani popull, po dëshmon mjaftueshëm që e ka shumë seriozisht: Republikën do ta mbrojë me çdo çmim. Pranvera po afron.
Leximi i mesazheve të diplomacisë dhe orakujt e Thaçit
Aleatët tanë real (mbi të gjitha SHBA-të) janë këtu, që bashkë me popullin e Kosovës, të mbrojnë Shtetin dhe Institucionet e Kosovës, por jo të kurorëzojnë Hashimin “mbret”. Sekretari amerikan i shtetit John Kerry, më 2 dhjetor, nga aeroporti i Prishitnës, kishte përcjell po këtë mesazh, por që qeveria dhe një pjesë e diplomacisë europiane me qllim nuk e kishin lexuar si duhej. SHBA-të, shprehej ai pa ekuivoke “ Nuk do të mbështesim asnjë marrëveshje që kërcënon sovranitetin dhe të ardhmen dhe territorin e Kosovës, pasi që ne kemi investuar shumë për pavarësinë e Kosovës”.
Pas kësaj deklarate, pikërisht më 23 dhjetor, erdhi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që, de fakto, i kthej në NUL marrrëveshjet e 25 dhe 26 korrikut, të nënshkruara nga kryeministri Mustafa, në Bruksel.
Ky veprim i Gjykatës Kushtetuese, sado me përbërje skandaloze, nuk kishte si të ishte ndryshe, meqë marrëveshjet cenonin rëndë pikërisht sovranitetin dhe të ardhmen e Kosovës.
Leximi i mesazheve të diplomacisë do një minimum dije në fushën e politikës dhe diplomacisë. Thaçi dhe orakujt e tij kuaziideolog, për këto vite, janë shquar për mungesën e kulturës elementare në lëmin e diplomacisë. Sjelljet finoke të tyre, duke pretenduar të keqpërdorin SHBA-të dhe përgjithësisht miqtë tanë, na bëjnë të ndjehemi të turpruar edhe ne kundërshtarëve të tyre! Përpjekjet për tu katapultuar në postin e kryetarit të Republikës dhe për ta mbajtur pushtetin me çdo çmim, përmes manipulimit të popullit, por edhe keqpërdorimit të SHBA-ve dhe aleatëve tjerë, duket se ka ardhur koha të marrin fund. Këto veprime të ulta diplomatike, ashtu si edhe informacioni i stërvonuar lidhur me gjoja kërcnimin me vdekje që na i paska bërë shefi i organizatës më të urryer terroriste “Shtetit Islamik” (IS), e vënë në shërbim të forcimit të kauzës së tij për tu kurorëzuar “president”, flet shumë për mungesën e theksuar të dinjitetit moral e politik.
Prandaj, si Hashim Thaçi, edhe orakujt e tij kuazi-ideolog që e rrethojnë, nuk e kanë të qartë se deklarata e Sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, më 2 dhjetor; ajo e ambasadorit të Britanisë së Madhe, Ruari O’Connell dhe kjo e fundit e zëdhënësit të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, Philip Drewry, janë përpjekje për të nxitur të kuptuarit real të lirisë dhe demokracisë.