Home KRYESORE Jeta osh qef, por shkolla nuk osh qef

Jeta osh qef, por shkolla nuk osh qef

Nga Mentor Kikia

Një ngjarje e fundit na riktheu edhe njëherë në skenë problemin e madh të rregullit dhe disiplinës në shkollën tonë. Një mësues në Durrës u arrestua, sepse ishte filmuar nga nxënësit ndërsa qëllonte një nxënës tjetër. Mësuesit, nxënësit dhe prindërit e tyre, madje edhe prindërit e nxënësit që u godit, firmosën një peticion për të mbështetur mësuesin e arrestuar.

Një cështje e nxehtë dhe delikate. Në shkollë dhuna është e papranueshme. E dënon kodi i etikës dhe kodi penal. Të gjithë shokohemi kur shikojmë “videoklipet” e nxënësve me mësues që ngrejnë dorën kundër nxënësve.

Duke u futur në një diskutim delikat, mund të pyesim: Kush duhet të ketë më shumë të drejta në shkollë, mësuesi apo nxënësi?

Mësuesi është aty që të bëjë mësim. Ai e ka për detyrë këtë. Paguhet për këtë punë, ka një kontratë më qeverinë. Dhe është i detyruar tu shërbejë të gjithë nxënëve. Por kë duhet të respektojë më shumë mësuesi në këtë rast, të drejtën e atij që do të mësojë e të shkollohet, apo të drejtën e atij që do të prishë orën e mësimit?

Ashtu si në shumë drejtime, edhe këtu ne duket se e kemi nisur demokracisë së prapthi. Para se të mësojmë se cilat janë detyrimet, ne po mësojmë se cilat janë të drejtat. Para se tu mësojmë nxënësve që kanë për detyrë të vijnë në shkollë në orar, të mësojnë rregullisht, të mos prishin qetësinë, të mos përdorin telefonat në klasë, të mos shqyejnë bangat, të mos shkatërrojnë tualetet, të respektojnë mësuesit…, u mësojmë se kanë të drejtë të denoncojnë mësuesin edhe kur ai ngre zërin dhe u kërkon llogari për mësimet, sepse kjo quhet dhunë psikologjike. Shkolla nuk është një vend argëtimi, as për të kaluar kohën e lirë ata qe nuk duan te mesojne. Shkolla është një vend ku mësohet, dhe ku disiplina duhet të jetë shumë e fortë. Sepse shkatëruam këtë ingranazh të shoqërisë, më të rëndësishmin në fakt, jemi këtu ku jemi, me një gjeneratë të dalë duarsh e mendsh dhe e paftë të orientohet vetë, e jo më të orientojë vendin.

Një kontribut të madh po japin në drejtim të ç’organizimit të shoqërisë(përmes këtyre modeleve në shkolla) pikërisht mediat që ngrejnë tallaze kur një nxënës qëllohet më shpullë, por nuk bëjnë lajm faktin që mesatarja e matematikës në rang vendi eshtë 5. Po japin gjithashtu edhe OJQ-të, që janë gati të bëjnë edhe100 raporte deri në OKB për dhunën ndaj nxënësve(jo për ndonjë arsye të madhe, por sepse kështu marrin më shumë fonde). Ky mjedis e ka vënë shkollën nën një presion të madh, për tu qëndruar nxënësve me temena se mos i filmojnë dhe dalin nëpër rrjetet sociale e media. Por shkolla, para se të tregohet e rreptë me mësuesin, duhet të tregohet e rreptë në zbatimin e rregullit nga nxënësit. Para se të arrestojë mësuesin, policia duhet të arrestojë nxënësit që shkojnë me thika e kacavida, me të cilat kërcënojnë edhe vetë mësuesit. Megjithatë mësuesit e dhunshëm duhet të largohen, kjo nuk duhet të ketë asnjë dilemë, dhe shkolla duhet të ofrojë mekanizma ankesash për këtë. Zbatimi i rregullores nuk duhet të varet nga faqja e gallatave “Jeta osh qef”. Por rregullorja duhet të nisë nga nxënësi. Jeta mund të jetë edhe qef, por shkolla nuk osh qef. Shkolla është detyrim!

Share: