Presidenti Ilir Meta të mërkurën ka komentuar nga Kamza kalimin e kompetencave të Ministrit të Punëve të Jashtme te Gent Cakaj.
Kreu i Shtetit tha se si President i ka shumë të qarta kompetencat se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë.
Pyetje: Zoti President, cili është komenti juaj lidhur me vendimin e kryeministrit Rama për delegimin e kompetencave të tij si ministër i Jashtëm tek zv/ministri që ju nuk e dekretuat, z.Cakaj?
Presidenti Meta: Presidenti nuk ndërhyn dhe nuk komenton për aktet e organizimit të brendshëm të ekzekutivit apo të ministrive. Unë si President i Republikës respektoj Kushtetutën dhe i kam shumë të qarta kompetencat e mia se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë.
Ndërkohë, mosmarrëveshja për emrin e Ministrit të Jashtëm do të shkojë për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese, pasi kreu i qeverisë Rama pretendon se presidenti Meta ka shkelur Kushtetutën me mosdekretimin e Gent Cakës si ministër./opinion.al