Home KRYESORE Del vendimi për ish-deputetin e PDIU-së, ja çfarë thotë gjykata

Del vendimi për ish-deputetin e PDIU-së, ja çfarë thotë gjykata

Është berë ditën e sotme publik vendimi për deputetin e PDIU-së, Aqif Rakipi, i cili kishte paditur vendimin e KQZ-së. Gjykata Administrative ka rrëzuar padinë e Rakipit, ndaj KQZ-së pas vendimit për ta shkarkuar si subjekt i dekriminalizimit.

Më herët Rakipi e cilësoi të padrejtë shkarkimin dhe kërkoi rikthimin e mandatit. Por Gjykata e ka cilësuar të drejtë vendimin e KQZ duke argumentuar se deputeti Rakipi fshehu problemet me drejtësinë që kishte në Itali.

Në vendim thuhet se Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendos rrëzimin e padisë dhe se kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 ditëve në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë. Vendimi është dhënë më 17 dhjetor të vitit 2018.

“…Gjykata çmon se vendimi Nr.4, dt. 05.01.2018 i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, është një akt administrativ i nxjerrë në përputhje me ligjin nr.138/2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’, dhe si i tillë duhet lënë në fuqi.

Për rrjedhojë kërkimet e palës paditëse duhen rrëzuar, si të pabazuara në ligj dhe prova. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështje, gjykata arrin në konkluzionin se padia e paraqitur prej paditësit duhet rrëzuar si e pabazuar në ligj dhe prova”, thuhet në vendim.

Në qershor të vitit të kaluar KQZ miratoi me 5 vota pro për heqjen e mandatit të Rakipit, sipas kërkesës së Prokurorisë në kuadër të ligjit për dekriminalizimin.
Në raportin e Prokurorisë shkruhej se deputeti Aqif Rakipi është ndaluar në Itali për vjedhje në 3.11.1998 nën emrin Skënder Ejylbegaj dhe këtë ai s’e ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit.

Deputeti i PDIU, Aqif Rakipi, më herët  ka reaguar për kërkesën e PD drejtuar KQZ për mandatin e tij, duke e cilësuar sulm politik.

“Unë s’di asgjë për këtë që po bën PD. Nuk kam asgjë për këto që pretendojnë ata, janë thjeshtë sulme politike të PD e cila gjithë kohën thotë të njëjtat gjëra”, ka thënë ai./FastNews

Share: