Kreu i Partisë Demokratike deklaroi mbrëmjen e së hënës, se po përgatitet arrestimi i kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako.
Pas një mbledhje me krerët e degëve të Tiranës ku diskutoi detajet e protestës së ardhshme të opozitës, Basha tha se prangosja e Dakos është e vonuar.
Por nga ana e qeverisë vazhdon injorimi për akuzat politike. Pasi kryeministri Edi Rama njoftoi ministrat, radha ishte e deputetëve socialistë. Atyre me anë të një mesazhi iu ka kërkuar që të mos reagojnë ndaj akuzave.
“Në vijim të komunikimit për refuzimin e daljeve me kolegët tanë të arratisur, në debate shterpë të cilat përveçse harxhojnë kot kohën e publikut, derdhin baltë e helm në tryezat e shqiptarëve, më duhet të shtoj se nuk do të replikojmë më në distancë me deklarata e përgënjeshtrime ndaj akuzave e shpifjeve të tyre të pafundme. E gjithë vëmendja jonë do të jetë tek njerëzit e zakonshëm pa dallim dhe komunikimi ynë do të jetë për ta e me ta. Natyrisht nuk do t’i kursejmë as arratiakët në komunikimet tona, por vetëm kur kjo i duhet komunikimit me qytetarët. Le të merren kadrinjtë e kazanët me dokrrat e dëshpërimit të tyre dhe le të vlojnë së bashku në zjarrin e mandateve të tradhtuara! Koka bën koka pëson, megjithëse në rastin e tyre koka e bën dhe trupi si gjithnjë e pëson”/ Opinion.al