Home Gjeo-Ekonomia Më shumë informacion lidhur me një deklaratë të MPJ të Rusisë

Më shumë informacion lidhur me një deklaratë të MPJ të Rusisë

Nga Kasem Seferi

Në lajmet e mbrëmjes së 16 marsit, 2019, pikërisht, disa orë pas protestës së opozitës, u dha edhe një deklaratë e zëdhënëses së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, ndër të tjera për “llastimin” e Kosovës nga SHBA dhe BE.

Një ditë më pare por edhe sot më 16 mars 2019, u dha po ashtu edhe qëndrimi i terroristit që vrau 50 vetë në Zelandën e Re, në lidhje me qëndrimin e SHBA dhe BE në lidhje me Kosovën.

Dy lajme të ndryshëm, një rastësi, për një qëndrim të njëjtë!

Por, a nuk do të ishte më mirë të shiheshin dhe analizoheshin në kontekstin historik ngjarjet e fundit në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Shqipëri, në lidhje me prirjet autokratike të liderëve që ushqejnë idenë se edhe pa demokracinë tipike perëndimore, një vend mund të bëjë përpara në rritjen e mirëqënies, si është shembulli i Rusisë, Kinës, Turqisë dhe, së fundi i Hungarisë dhe Polonisë, për të kuptuar çfarë po ndodh dhe përse?

Po “lodhen” disa analistë të na mbushin mendjen se qëndrimi i opozitës “çon ujë në mullirin e Rusisë”, duke na dhënë “fakte” dhe “shembuj”, që nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjet e fundit në Shqipëri.

Historia flet:

Në vitin 2009 Mesdheu Lindor dhe Europa Juglindore hynë tërësisht në çështje të reja strategjike dinamike, në një periudhë dhe në një rajon ku Rusia dhe jo Perëndimi, po merrte nismat kyç dhe kishte shumë përparësi.

Veçanërisht, këto fakte ishin domethënëse për të kuptuar se politikëbërja ruse morri pak vemendje në median e SHBA dhe atë perëndimore dhe mbeti po aq opake për analistët e Perëndimit sa ishte gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, kur Rusia ishte mbuluar nga Perdja e Hekurt.

Forcat madhore shtytëse të tanishme të Rusisë, për një varietet arsyesh historike, ekonomike dhe të sigurisë, kanë qenë për të dominuar Kaukazin dhe vendet arabe, Basenin e Detit të Zi dhe Azinë Qendore, gjë që, veçanërisht, është dëshmuar nga nismat e susksesshme të Rusisë për të ndërtuar marrëdhënie strategjike me Turqinë dhe Iranin.

Thellësia e plotë e këtij transformimi nuk mund të nënvlerësohet dhe bashkë me stabilitetin e BE në vetvete (i cili lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me Rusinë për burimet e energjisë së saj që furnizojnë vendet e BE dhe më gjërë), domosdoshmërisht, ndikon edhe mbi fatin e shteteve të Europës Juglindore.

Politika e SHBA drejt rajonit deri në presidencën Obama duke vazhduar ta trajtonin Rusinë e pas Luftës së Ftohtë sikur të ishte ende Bashkimi Sovietik, në një shkallë të madhe, bënë që Moska të veprojë në mënyra të kundërta me interesat e Perëndimit.

Por, pati edhe shumë ngjarje të tjera të cilat e detyruan Moskën të kthehet në kursin e vetëm të veprimit, në lidhje me sigurinë e interesave të saj në rajonin e Europës Juglindore, veçanërisht, pas krijimit të shtetit të pavarur të Kosovës në Ballkanin Perëndimor, të cilin Moska nuk e njeh.

Rënia e influencës strategjike të SHBA, diçka që tashmë po njihet në Washington, nënkupton se tensionet e reja të Europës Juglindore, Azisë së Vogël, kanë dalë në shesh shpërthyese dhe Washingtoni u përgatit për ta qetësuar këtë situatë.

Interesat, veçanërisht, aktuale gjeopolitike dhe ekonomike perëndimore dhe realitetet e historisë, kanë luajtur një rol dominant në politikëbërjen strategjike të SHBA, që prej fundit të Luftës së Ftohtë kur, në të njëjtën kohë, politikëbërja strategjike ruse i është kthyer parimeve të vjetra gjeopolitike dhe gjeoekonomike të cilat kanë dominuar sigurinë ruse për, pothuajse, 500 vjet.

U bë e dukshme se Rusia, si rezultat i nismave të Moskës dhe, për arsye të rrethanës së ndryshuar globale, u bë fuqi me dominancë mbi Turqinë.

Përveç kësaj SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe, në një shkallë të gjërë, politika e BE drejt Turqisë ka qenë “biznes si zakonisht”, duke diskutuar hyrjen e Turqisë në BE si një lloj bari çudibërës, ose si njëfarë mënyre për ta “sjellë Turqinë përsëri në dosjen e Perëndimit”.

Realiteti është se Perëndimi ka dështuar për njëfarë kohe të kuptojë presionet që mbizotërojnë brenda Turqisë dhe në lidhje me kontekstin e përgjithshëm gjeohapsinor të Turqisë në rajon, si edhe prirjet Lindje – Perëndim dhe Veri – Jug, atëhere është e pamundur të formulosh politika në Washington të cilat lidhen me Turqinë.

Dinamikat Veri – Jug filluan në mesin e shekullit të 15 – të kur Rusia filloi të shtyjë hordhitë Mongole – Turke drejt jugut në një seri luftërash, ndërkohë që ushtritë otomane pushtuan Konstantinopolin, që solli fundin e Perandorisë Bizantine dhe nisi përparimin e saj drejt veriut gjatë brigjeve të Detit të Zi gjithë rruga për në Krime.

Mega – prirja Veri – Jug kapërceu një etapë historike herët në shekullin e 17 – të kur valët e kozakëve u përhapën gjatë brigjeve veriore të Detit të Zi (Ukraina e sotme) dhe kulminoi drejt fundit të shekullit kur ushtritë e Pjetrit të Madh për herë të parë arritën brigjet e Detit të Zi (saktësisht Detit Azov).

Gjatë shekujve 18 – të dhe 19 – të, Rusia bëri një seri luftërash të hidhura me Turqinë dhe Persinë, të cilat përcaktuan kufijtë jugorë të Perandorisë deri në fund të shekullit të 20 – të, që konsoliduan gjithashtu pretendimin e saj për një rol të veçantë në rajonin e Ballkanit (në qoftë se ishte e mirëpritur).

Dinamikave Lindje – Perëndim mund t’i kthehemi mbrapa në mesin e shekullit të dytë para Krishtit, në origjinat e të dhënave të para të Rrugës së Mëndafshit, e cila lehtësoi arritjen e parë të Kinës në Europë nëpërmes Persisë, sepse në formën e saj origjinale Rruga e Mëndafshit u konsolidua në njëfarë mënyre 300 vjet më vonë, në mesin e shekullit të dytë pas Krishtit.

Një karakter më modern i Rrugës së Mëndafshit mund të ndiqet në mesin e sshekullit të 13 – të, transformimit civilizues të Euroazisë në pasojën e invazionit mongol në Europë, kur Rruga e Mëndafshit u zgjerua dhe, gradualisht, evoluoi në një sistem të përgjithshëm të këmbimit të mallrave dhe gjithashtu të kulturës ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit; dinamikat lindje – perëndim ishin shumë të ngrira gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20 – të, si një rezultat i paparashikuar i Luftës së Ftohtë

Në vigjilje të shekullit të 21 – të dhe në një shkallë më të vogël madje në dekadën e fundit të shekullit të 20 – të, këto mega – prirje historike janë rigjallëruar dhe marrin me mend rolin e tyre dominant në gjeopolitikë dhe gjeoekonomi.

Në mënyrë domethënëse, mega – prirjet koinçidojnë me tregtinë madhore të shekullit 21: energjinë. Varësia e Europës në energjinë nga dhe nëpërmjet Rusisë, ose nëpërmjet Basenit më të Madh të Detit të Zi, që përfshin Turqinë, e udhëheq shumë politikën e BE – së drejt Rusisë dhe Turqisë.

Në një shkallë të gjërë, është roli potencial i Turqisë si një kanal përçues i energjisë nga Baseni i Kaspikut për në BE, gjë që ia ka bërë të mundur Ankarasë të përshkallëzojë rëndësinë e saj për Europën.

Kjo, më shumë se gjithçka tjetër, ka qenë një udhëheqje në mbajtjen e aplikimit të Turqisë për anëtarësimin e saj në BE, pavarësisht nga fakti se Turqia nuk po plotësonte kushtëzimet e hyrjes në BE.

Në mars 2009 tregtia bilaterale Ruso – Turke në vitin 2008 kishte arritur 32 miliard US$, duke e bërë Rusinë partnerin më të madh tregtar të Turqisë dhe Moska dhe Ankaraja e shihnin këtë shteg për të rigjallëruar përshtatshmërinë turke në modelimin e energjisë rajonale.

Turqia, nga kyçi i strategjisë së zhvillimit të furnizimit me naftë dhe gaz të Perëndimit për të rrethuar “shtrëngimin për fyti” që Rusia i bën Europës me dërgimin e energjisë, tani është pjesë e qarkut rus.

Kompleksitetet e kësaj situate dhe se çfarë do të thotë se ky kompleksitet për vendet e Ballkanit, për Izraelin dhe pjesën tjetër të Levantit, si dhe për Qipron kërkonte dhe kërkon vemendje intensive.

Nga pikpamja e një ekonomisti, qëndrimet e diplomatëve të huaj dhe, veçanërisht, të Ambasadës Amerikane dhe Përfaqësisë së BE, i kuptoj në suazën e kësaj panorama historike që vjen e gjallë në ditët e tanishme.

Një fjalë e urtë e tironsve thotë: “Sherrin në shpi nuk mund ta shujë bota, por i zoti i shpisë!”.

Kasem Seferi – ekonomist

Share: