Nga Albert Vataj
Letrat sekrete të Nënë Terezës dhe krizat e saj të besimit
Më 11 dhjetor 1979, Nënë Tereza, “Shenjtorja e të varfërve”, shkoi në Oslo. Si gjithmonë me veshjen e saj tipike të bardhë me bordurë blu dhe me sandale, pavarësisht temperaturave nën zero, Anjeza Bojaxhiu u nderua me Çmimin Nobel. Në ligjërimin e saj të pranimit, Tereza, dha fjalimin që bota priste prej saj. “Nuk është e mjaftueshme të thuash që unë e dua Zotin, por nuk e dua komshiun tim”, tha ajo, “pasi Jezusi kur vdiq në kryq e kishte sakrifikuar veten e tij, duke u bërë ai vetë i urituri, i zhveshuri dhe i pastrehu.
Duhet të gjejmë frymën e Jezusit dhe ta kultivojmë atë”. Ajo mallkoi abortin dhe përhapjen e drogës mes të rinjve në perëndim. Në fund ajo sugjeroi që me rastin e Krishtlindjeve që po afronin, bota duhet të kujtohej që drita e gëzimit është e vërtetë pasi Jezusi është kudo. “Krishti është në zemrat tona, Krishti është afër të varfërve që takojmë, Krishtë gjendet në buzëqeshjen që japim dhe në buzëqeshjen që marrim”.
Më pak se tre muaj më parë, në një letër drejtuar një rrëfyesi shpirtëror, atë Michael van der Peet, që vetëm këto kohët e fundit është bërë publike, ajo shkuante me një mërzi të thellë rreth një Krishti “ndryshe”, një që mungonte. “Jezusi ka një dashuri të veçantë për ju”, i thoshte ajo Van der Peet-it. “Por, për mua, qetësia dhe boshllëku është aq i madh saqë e kërkoj dhe nuk e shikoj, vë veshin po nuk e dëgjoj, gjuha ime lëviz kur dua të lutem, por nuk arrin të flasë…dua që të luteni për mua.
Dua që t’i luteni Atij që të bëjë çfarë të dojë me mua”.
Këto dy deklarata janë shkruajtur me një distancë kohore prej 11 javësh nga njëra-tjetra. E para është tipike e gruas që e gjithë bota mendonte se e njihte. E dyta tingëllon sikur të ketë dalë nga dramat e ekzistencialistëve të viteve 1950. Të dyja së bashku ato sugjerojnë një portret kontraditkor.
Ikona njerëzore më e madhe e 100 viteve të fundit, veprat e mrekullueshme të së cilës dukeshin të lidhura shumë ngushtë me afërsinë që ajo kishte me Zotin dhe që është parë vetëm në momentet e saj të lutjeve të heshtura dhe në paqe, si nga përkrahësit e saj të devotshëm ashtu edhe nga telekamerat e shumta televizive, faktikisht ishte duke jetuar në një realitet tjetër shpirtëror, të cilin e ruante me fanatizëm nga bota e jashtme. Ajo tashmë jetonte në një botë ku perëndia duket se ishte zhdukur.
Faktikisht, këtu qëndronte i gjithë problemi. Një libër i ri joarmiqësor i titulliar “Mother Teresa: Come by my light” (Nënë Tereza: Eja drejt dritës time), i cili konsiston kryesisht në korrespondencën e Terezës me rrëfyesit e saj dhe eprorët gjatë një periudhe 66-vjeçare, shpalos një panoramë shpirtërore që bie në kontradiktë me një jetë të dedikuar punës.
Letrat, shumica e të cilave janë ruajtur kundër vullnetit të saj (ajo kishte bërë kërkesë specifike që letrat të zhdukeshin, por kisha nuk e bërës këtë gjë), tregojnë se gati gjatë gjithë gjysmës së jetës së saj ajo nuk ndjeu asnjë prezencë të Zotit ose, siç shkruan edhe redaktori dhe përpiluesi i librit, Atë Brian Kolodiejchuk, “nuk e ndjente këtë prezencë as në zemër dhe as në veprat e saj”.
Mungesa duket se kishte filluar pikërisht në kohën kur ajo filloi t’i përkushtonte jetën të varfërve dhe të vdiste në Kalkuta dhe, përveç pesë javëve të pushimit në vitin 1959, nuk pushoi kurrë. Edhe pse shfaqej përherë e lumtur në publik, Tereza e letrave jetonte në një gjendje të thellë dhe konstante dhimbjeje shpirtërore. Në më shumë se 40 komunikime, shumë prej të cilave nuk janë publikuar kurrë më parë, ajo vajtonte “thatësirën”, “errësirën”, “vetminë” dhe “torturën” që po përjetonte.
Ajo e krahasonte këtë eksperiencë me ferrin dhe në një moment ajo thoshte se kjo gjendje po e çonte drejt dyshimit të ekzistencës së parajsës, madje edhe vetë Zotit. Ajo ishte tërësisht e vetëdijshme për mospërputhjen e gjendjes së saj të brendshme me sjelljen e saj publike.
“Buzëqeshja”, shkruan ajo, “është një maskë ose një perde që mbulon gjithçka”. Në të njëjtën mënyrë, ajo pyeste veten nëse ishte duke humbur në mashtrimet verbale. “Unë flas sikur të isha e dashuruar me Zotin, një dashuri e brishtë personale”, i cilëson ajo një këshilltari. “Sikur të ishit aty, do të thonit, ‘Çfarë hipokrizie'”. Atë James Martin, redaktor i revistës “Jesuite” të Amerikës dhe autori i “Jeta ime me Shenjtorët”, një libër që merrej shumë shkurtimisht me dyshimet e Terezës, thotë:
“Nuk kam lexuar kurrë jetën e një shenjtori që të ketë një errësirë shpirtërore kaq intensive. Asnjeri nuk e dinte që ajo ishte kaq e shqetësuar”. Kolodiejchuk, redaktor i librit “Eja drejt dritës time” kujton: “Kam lexuar një letër që i drejtohej Motrave (misioneret e bamirësisë bashkë me Terezën) dhe të linte me gojë hapur ashtu siç la edhe ato. Kjo do t’i japë një dimension tërësisht të ri të perceptimit të njerëzve për të”.
Libri nuk është absolutisht vepër e ndonjë antikrishti apo të ndonjë spekulatori. Kolodiejchuk, një nga anëtarët më të vjetër të Misionerëve të Bamirësisë, ka qenë përgjegjës për kërkesën e shenjtërimit të saj dhe për mbledhjen e materialeve të nevojshme. Letrat që janë publikuar në libër kanë qenë gjithashtu pjesë e procesit të shenjtërimit të saj.
Edhe kisha e pranon që ekziston një periudhë pasive shpirtërore. Në të njëjtën mënyrë, mistiku spanjoll, Shën John of the Cross, shpiku në shekullin XVI “natën e errët” të shpirtit për të përshkruar një fazë karakteristike të lartësimit të disa mjeshtërve shpirtërorë. Nënë Tereza mund të ketë përjetuar periudhën më të gjatë të rasteve të tilla të evidentuara. (“Nata e errët” e Shën Paul of the Cross zgjati 45 vjet.) Megjithatë, Kolodiejchuk e shpjegon këtë fazë të jetës si errësira e fshehur e besimit. Tereza zbuloi një mënyrë, duke filluar gjatë viteve ’60, për të bashkëjetuar me këtë gjendje ankthi dhe nuk e braktisi as besimin dhe as punën e saj.
Kolodiejchuk e shkroi këtë libër si një provë përkushtimi të mbushur me besim, të cilin e cilëson si aktin e saj shpirtëror më heroik.
Pjesë nga teksti i David Van Biema, TIME MAGAZINE