Shoqata e Bashkive të Shqipërisë (ShBSh) ka marrë kërkesa nga media dhe aktorë të ndryshëm për të bërë një sqarim mbi Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 360/2019.
Në respekt të misionit tonë si shoqatë por edhe të gjithë atyre që na besojnë si profesionistë,për të hedhur sa më shumë drite mbi këtë rast sqarojmë si më poshtë:
- Përcaktimi i kufijve administrativë të njësive të qeverisjes vendore në VKM 360/2019 është miratuar vetëm nga Qeveria me një vendim të saj, ndërkohë që formalisht duhet të miratohet përmes një ligji, i cili duhet të kalojë në parlament dhe nuk mund të kryhet thjesht me një vendim të qeverisë, pasi cënohet uniteti administrativ-territorial i Njesisë së Qeverisjes Vendore.
- Sjellim në vëmendje se sipas Kushtetutës ligji nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” si dhe ligji nr. 115/2014 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, janë ligje të një rëndësie të veçantë që miratohen me shumicë të cilësuar prej tre të pestave të Kuvendit.
- Në ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” në nenin 89 përcaktohet se: “Riorganizimi i ndarjes administrativo-territoriale me ose pa ndryshim kufijsh, bëhet me ligj të veçantë dhe propozimi për riorganizimin e një ose më shumë njësive të vetëqeverisjes vendore, për çdo rast të veçantë, i paraqitet Kuvendit së bashku me faktet dhe argumentet përkatëse si dhe mendimin e popullatës që banon në njësitë e vetëqeverisjes vendore që do të riorganizohet”.
- Nga ana tjetër sa konstatojmë deri tani, VKM 360/2019, bie ndesh dhe prek Nenin 5, pika 3 te Ligjit 139/2014, “Bashkia përfaqëson një unitet administrativo-territorial dhe bashkësi banorësh. Bashkitë, shtrirja territoriale, emri dhe qyteti qendër i saj përcaktohen me ligj”.
- Më tej, ligji parashikon se këshillat bashkiakë dhe të qarqeve, që janë të përfshirë drejtpërdrejt në riorganizim, si dhe kryetarët e tyre japin mendimin e tyre zyrtar dhe, nëse ka, edhe mendimin “kundër” të një pjese të këshilltarëve të këshillit përkatës.
- Ndërkohë që procesi i ndjekur nga qeveria është i panjohur për bashkitë apo për Shoqatën e Bashkive si përfaqësuese e tyre.
- Por edhe nëse i referohemi Nenit 93 të ligjit nr. 139/2015 konstatojmë se “Përditësimi i kufijve administrativo-territorialë, janë pikërisht Këshillat Bashkiake që marrin vendime, referuar pikës 2. Këshillat bashkiakë, bazuar në ligjin në fuqi për ndarjen administrativo-territoriale, miratojnë me vendim hartën e përditësuar të kufijve ndarës administrativo-territorialë të njësive administrative dhe fshatrave në përbërje të tyre, sipas standardeve të përcaktuara gjeohapësinore.
- Por nga ana tjetër e paqartë dhe e pa sqaruar është hapësira kohore e nevojshme për të bërë ndryshim kufinjsh (ligji thotë çdo 10 vjet). Ndryshimet e fundit teorikisht janê bërë ne vitin 2014 me lgjin 115.
- Teknikisht, përditësimi i kufijve do të kërkonte një punë voluminoze nga zyrat vendore të regjistrimit të pasurive, nga vetë bashkitë, nga drejtoritë e Bujqësisë e të gjithë zinixhirit institucional përkatës për të kordinuar informacionin e për të arritur në rezultatin final të ndarjes së kufijve administrativë.
- Në dijeninë tonë ky proces nuk ka ndodhur, çka lë dyshime mbi saktësinë e hartave gjeografike të miratuara si dhe mund të krijojë konflikte të reja mes bashkive dhe komuniteteve, ruajtes se unitetit të territorit etj.
- Ndaj procesi i ndjekur ne hartimin e ketij akti duket jo transparent dhe me ndikime mes bashkive, duke ndyshuar sipërfaqen dhe popullsinë e tyre, faktorë keto që kanë ndikim në formulën e buxhetit të bashkive, por edhe probleme të tjera administrative, që lidhen me ndryshimin e juridiksionit te territorit, etj. etj.
- Saktësimi i kufijve administrativë është pa dyshim një nevojë e bashkive pasi nuk ka pasur një hartë të unifikuar administrative deri me sot, por për nga vetë rëndësia e këtij procesi duhet një bazë e saktë të dhënash të cilat nuk ekzistojnë dhe kjo është identifikuar dhe me zbatimin e reformave të tjera si taksa e pronës apo nga ngritja e kadastrës kombëtare.
- Por në çdo rrethanë caktimi i kufinjëve duhet të bëhet nga vetë bashkitë me grupe pune të përbashkëta, me konsultime publike dhe transparente, dhe me pëlqim e vendimarrje të perbashkët të organeve publike- Bashkive.
- Keto procese duhet të mbështen me ekspertizë, teknologji dhe mjete financiare.