Home KRYESORE Ledi Shamku: Ja si e kujtoj vdekjen e Enver Hoxhes

Ledi Shamku: Ja si e kujtoj vdekjen e Enver Hoxhes

0

Nga Ledi Shamku

11 Prill 1985, Ose: Mori bilë, bilë e Lalës, përse të venë në det mejtimet.

Isha 13 vjeç. Në klasë të tetë te 20-vjetori (sot Dora d’Istria). Shkolla u rreshtua në oborr, por as forcë nuk paraqitëm e as “gjithmonë gati!” nuk u thirr. Na futën rrëmujshëm në klasë e s’po kuptonim asgjë. Dikur, pas ndonjë ore, një zysh erdhi me sytë e enjtur nga të qarët. Sapo kishim humbur një shok klase nga leuçemia, Ilirin, një djalë të mrekullueshëm, dhe patëm qarë të gjithë, edhe zyshat.

Ndaj mendova me frikë e ankth mos duhet të lotonim sërish për ndonjë tonin, ndryshe s’po i kuptoja dot sytë e enjtur e të skuqur të zyshës. Na tha të shkonim nëpër shtëpia se “kob i madh kishte ngjarë”, sipas saj.

Dikush pëshpëriti se kishte vdekur Enveri. U qetsova. Nuk kishim humbur ndonjë tjetër shok klase, falë Zotit. “Enveri i ka ngrënë ditët e veta” – thash me vete (ndoshta kish ngrënë edhe ditët tona, mqs e uronin “marrç nga ditët tona!”). “Ka një kohë me le e ka një kohë me vdekë”- thashë me vete dhe u nisa për shtëpi.

Megjithatë rrugët ishin gri dhe ty të ngjitej grija! Do kem mbërritë me siguri te derë e shtëpisë me fytyrë gri. Portën ma çeli moma Feti, gjyshja ime, një Tafajse që Enverin s’e kish dashtë kurrë. Nuk ia falte torturat në burg të xhajës së vet, noterit Jonuz Tafaj. Ndaj edhe sa herë e shifte në TV, mërmëriste nëpër dhëmbë n’tironce: “T’preftë njordhja t’preftë ty ishalla!”.
Do ketë pa me siguri shprehjen time të fytyrës gri, dhe m’pyti me inat: “Ça ke mi? Ça t’ka bo vaki?”
– “S’di gjo ti?” – i thashë. “Ka vdekë Enveri mi!”.
“E masnej?! Yt atë t’ka vdek ty që mban at surrat?! Hec ere dreq futu mrena, thash se ç’ke! Futu mrena tarallake!” – ma preu shkurt.

Sa kam qesh me at replikë të saj: “yt atë t’ka vdek gjo ty?!”. Akoma qesh me vete.

Një javë në pastiçeritë e Tiranës u zhduk çdo pastë, çdo tortë e çdo gurabije. Zot na ruj, vetëm kafe, si zi e madhe kombtare! Mezi gjeje ndonji karamele Zana.

Robt e lagjes, ata t’zellshmit, robt e Frontit që na nxinin jetën për antenat me vibrator, shkonin e vinin nëpër rrugicat qorre tu qa me gulçe, dhe moma Fetit që i shpifej e gjitha kjo, mërmëriste sa i shifte: “qafshi e plaçi se po na ndillni nai gjo t’keqe me gjith kto t’qame!”. Po do flas më pas për këta lotmëdhenj!

Mbas ca ditësh isha në oborr t’shtëpisë. Radio tha se Ramiz Alia u zgjodh zëvendësi. Gjyshi e njifte mirë, qysh kalamo. Dhe gjyshi shquhej për bejte aty për aty, ndaj ia pat: “Sekretar shoku Ramiz / ti dikur ke qenë bythgris / Po nështi t’kena vu t’parë / T’kena zgjedh Sekretar / Me na e shti qafën mo shum n’kular!”. Dhe vazhdoi i qetë punën e vet.

Vitet ikën. Si ikën e dimë t’gjithë. Ika edhe unë, ika fare, kaptova detin. Kur u ktheva, ata t’zellshmit e Frontit, ata që qanin e vinin kujen nëpër rrugica, ata i gjeta “demokratë të flaktë” e “t’përndjekmit e regjimit”! Ashtu janë edhe sot! Ata, dhe jo vetëm ata!

Mori bilë, bilë e Lalës, përse të venë në det mejtimet!
11 Prill 2016. Plot 31 vjet më pas. Jam 44 vjeç. Isha 13! Medet!

Share:
Reklama juaj