Indeksi i Qëndrueshmërisë së Organizatave të Shoqërisë Civile për vitin 2014 për Evropën Qendrore dhe Lindore dhe Euroazisë tregon trajektore të ndryshme të zhvillimit të sektorit. Gjithnjë e më shumë, shoqëria civile në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe Euroazinë operon në dy realitete të ndryshme. Këto ndryshime gjendet midis shteteve të ndryshme të cilat aplikojnë ligje dhe ofrojnë mjedise operuese të ndryshme, por edhe brenda të njëjtit shtet ku OSHC të ndryshme përballen me lehtësira apo barriera për zhvillimin dhe qëndrueshmërinë. OSHC-të në përgjithësi hasin barriera në përmirësimin e imazhit publik si dhe në qëndrueshmërinë financiare.
Indeksi i Qëndrueshmërisë së OSHC-ve për Europën dhe Euroazinë i realizuar nga Agjensia e SHBA për Asistencë Ndërkombëtare (USAID) vlerëson progresin e zhvillimit për një gamë të gjerë organizatash jofitimprurëse të shoqërisë civile aktive në Europë dhe rajonin e Euroazisë. Botimi i këtij viti mbulon zhvillimet në shoqërinë civile gjatë vitit 2014. Indeksi ndjek progresin e sektorit të OSHC-ve lidhur me shtatë dimensione të qëndrueshmërisë në 29 vende përgjatë 18 viteve të fundit. Ai analizon mjedisin e përgjithshëm mundësues për shoqërinë civile, me fokus tek mjedisi ligjor, kapaciteti organizativ, qëndrueshmëria financiare, advokimi, ofrimi i shërbimeve, infrastruktura dhe imazhi publik. Raporti përshkruan dhe vlerëson zhvillimet në shoqërinë civile në secilin vend dhe në tërësi si rajon.
Indeksi i qëndrueshmërisë së OSHC-ve është transformuar shumë prej fillimit të tij – është zgjeruar nga 21 vende në Europë dhe Euroazi, në një instrument që mbulon mbi 60 vende në rajone të ndryshme të botës. Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) ka kënaqësinë të jetë partner i USAID për hartimin e Indeksit të Qëndrueshmërisë së OSHC-ve për Shqipërinë.