Home KRYESORE Ti ditëzi (jo kuqezi), që kërkon “Shqipëri etnike”, çfarë di nga etnia,...

Ti ditëzi (jo kuqezi), që kërkon “Shqipëri etnike”, çfarë di nga etnia, Shqipëria dhe atdhetarizmi?

Ti ditëzi (jo kuqezi), që kërkon “Shqipëri etnike”, çfarë di nga etnia, Shqipëria dhe atdhetarizmi? Ti je OK për sa kohë deri te pragu yt e ke fshirë e larë, pa plehrat aty në fillim të shkallës lëri, se bota jashtë pragut nuk të përket. Dhe ti do “Shqipëri etnike”! Futesh brenda dhe e shpreh atë që kërkon në Facebook, pastaj e kap mbulesën e tavolinës (s’po them tapetin) dhe e shkund nga ballkoni, nga ku thërrimet e mbeturinat hijerënda përshëndesin gjithë komshinjtë që banojnë poshtë teje, e mandej ca prej tyre përfundojnë në rrugë. Pastaj del në lagje, në qytet dhe kërkon medoemos të gjesh një biletë për ndeshjen e datës 8, e fal edhe makinën, veç të shkosh atje, t’ia shash motrën Serbisë me sa te ha rryli, se ai, serbi, është armiku yt, e keqja jote në jetë, se ai nuk ta do atë “Shqipërinë etnike” që kushedi ç’formë ka në atë trurin tënd të ngushtë.

Atë Shqipërinë tënde ti e menderos përditë, e qelb, e pështyn (po, po, sa qurre e këlbaza të tuat kam parë në trotuar!), shkon e i voton njerëzit më të korruptuar kriminelë e xhelatë, që e çojnë Shqipërinë në supermjerim dhe ti ke dëshirë të ikësh me të katra natën (ke aplikuar dhe për llotarinë amerikane), edhe tërret ti sa të ha gurrmazi: “Shqipëri etnike”!

Paradoks, absurditet dhe fodullëk!

Ti mëso një herë të duash e të respektosh veten tënde, pastaj njerëzit më të afërm e më të dashur, miqtë, kolegët, bashkëqytetarët, shqiptarët, njerëzimin….. pastaj duaj vendet: shtëpine tënde, ambjentet që ndan me fqinjët, lagjen, fshatin/qytetin, Shqipërinë! E mandej kushedi mund të bëhesh i denjë të duash edhe Europën, Botën, Universin e të jesh i dobishëm në koordinatën ku ndodhesh. Se për sa kohë nuk të ha dheri, bën mirë të shërbesh për diçka, jo vetëm për të sharë motrën e Serbisë! Rezil! Jazëk!

Nga Jonida Salku

Share: