Home KRYESORE AKADEMIKËT DUHET T’I SHËRBEJNË POPULLIT, E JO PARTIVE POLITIKE!!!

AKADEMIKËT DUHET T’I SHËRBEJNË POPULLIT, E JO PARTIVE POLITIKE!!!

Nga Fadil Maloku

1. Kujtojë që intelektuali i njëmendët, sikurse edhe në shoqëritë totalitare ashtu edhe në ato të tranzicionit, do të duhej të paktën ta ruaj edhe për një kohë këtë rol apo këtë dhunti specifike të udhërrëfyesit të ndërgjegjshëm për bashkëvendësit e vet.

2.Sepse, vetëm duke e ushtruar këtë “profesion”, ai pa pardon dhe pa asnjë frikë do të duhej t’i emërojë ngjarjet, dukuritë, fenomenet e padyshim edhe sjelljet e ndryshme kërcënuese deviante që normohen në sistemet e reja vlerore të këtyre vendeve, me emrin e tyre të vërtetë. E jo të bëhet “servis”; ideologjishë partish, klaneve dhe grupeve të interesit…!

3.Mirëpo, roli i të qenit udhëheqës i vizioneve dhe ideve të reja progresive në shoqëritë e apostrofuara nuk nënkupton që ky tip intelektuali në identifikimin e këtyre temave të veprojë me parametra selektiv, e aq më tepër me indiferencën, konformizmin dhe oportunizmin e tij të ndihmoj në rritjen e këtyre momenteve që shpesh rrezikojnë të kolapsojnë edhe me kërcënime serioze ekzistenciale!

4.Pra intelektuali i vërtetë, ashtu sikurse edhe në të kaluarën, kujtojë që duhet të mbetet edhe për një kohë një lloj altoparlanti, gjykuesi dhe identifikuesi i pakontestueshëm i ngjarjeve, proceseve, dukurive dhe fenomeneve që ndodhin për rreth tij, pa marrë parasysh politikën, interesat klanore dhe ato partiake që mund ta kontestojnë vazhdimisht.

5.Ngaqë, vetëm roli i tij “shkurorëzues” ndaj ndikimeve të apostrofuara pamundëson kooptimin në “projektet” dytësore që në të gjitha variantet prodhojnë mostër mesatare intelektuale.

6.Ajo çka më së paku nuk i lejohet një intelektuali të këtij kalibri është rënia e tij nën ndikimin e publikut, sepse roli i tij nuk duron konformizmin dhe koherencën me atë çka mendojnë njerëzit e rëndomtë, por çka ai mendon dhe si mendon. Në fakt, intelektuali i vërtetë do të duhej në parim të ishte ashpërsisht i butë, pra prokurorë i vetë vetës e avokat i interesave të komunitetit, ngaqë vetëm kështu ai mund ta fitojë një backgraund të tillë ndërgjegjësues në shoqëritë e tranzicionit.

7.Ndryshe, ai nëse bie nën ndikimin e burokracive qofshin ato politike (sidomos!?), pastaj atyre kulturore e sociale, e humb peshën e karizmës për të qenë dhe për t’u mbajtur si i tillë jo vetëm në publik, por çka është më me rëndësi në histori!

Share: